Ballina Arti Fatos Klosi: Pse Azemin nuk e nxirrja dot unë nga selia e...

Fatos Klosi: Pse Azemin nuk e nxirrja dot unë nga selia e PD-së

33
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, reagon rreth akuzës që i bëri Sali Berisha disa ditë më parë, se ishte ai që e nxori në pritën vdekjeprurëse Azem Hajdarin në 12 shtatorin e 1998-s.

Në këtë intervistë për gazetën Dita, Fatos Klosi shpjegon dhe arsyet pse Berisha e bën këtë mësymje, ndërkohë që shpreh dëshirën të përballet me ish-Presidentin në gjyqin që do të rihapet për çështjen Hajdari.

– Zoti Klosi, besoj se jeni shqetësuar ditët e fundit nga akuza e drejtpërdrejtë që ju ka bërë Sali Berisha se jeni ju që që e keni nxjerrë në pritë Azem Hajdarin. Si qëndron e vërteta për një krim që vazhdon të ngjallë debate edhe pas 22 vjetësh?

– Jo nuk jam shqetësuar fare, se tani më është regjur lëkura nga akuzat pafund të bëra nga Saliu, që ditën që fillova punën në KQZ, në prill të vitit 1997. Sidoqoftë, për respektin që kam për gazetën tuaj, po ju them: Azemin nuk e nxirrja dot unë nga Selia e PD-së, se atje këndonte vetëm një gjel, dhe ai ishte  vetë Saliu.

Ndoshta, në gjyqin e kësaj radhe do marrim vesh ndonjë gjë më shumë për këtë “nxjerrje” meqë, si në çdo gjyq, besoj që deklarimet do të jenë nën betim gjyqësor. Berisha gjer më tani nuk ka bërë asnjë deklarim të tillë, megjithëse është ftuar disa herë nga Gjykata e parë.

E vërteta, në vija të përgjithshme, ka dalë në procesin e parë gjyqësor, por shpresojmë që të pathënat e atij procesi, të dalin në procesin që pritet.

– Pavarësisht argumenteve që ju jepni, si ish-shef i SHIK-ut të asaj kohe, a nuk ju mundon ndonjë mëkat, ndonjë hallkë apo çështje për një nga ngjarjet më të mëdha të shekullit, sikurse është konsideruar vrasja e Azem Hajdarit?

– Jo nuk më mundon. Shërbimi ka bërë detyrën që i lejonin rrethanat e kohës, e ka trajtuar këtë problem dhe ka informuar për gjithçka dinte Policinë e Shtetit dhe nëpërmjet saj dhe vetë të ndjerin, aq sa, ai, në një emision televiziv, rrotull një javë para atentatit, e ka falënderuar Shërbimin për interesimin e tij.

– Me siguri ju do të jeni pjesë e këtij procesi. A ndiheni i sikletosur nga një proces i tillë? Sidomos po të përballeni me Sali Berishën?

– Unë nuk ndihem fare i sikletosur, pasi Shërbimi gjithçka që dinte për përgatitjen dhe realizimin e ngjarjes i ka deklaruar nëpërmjet dokumenteve zyrtare në organet kompetente.

Për sa thoni për përballjen me Saliun, do ta dëshiroja shumë një përballje të tillë. Kam patur një rast për një gjë të tillë, gjatë Procesit të Hetimit Parlamentar për Shërbimin, në vitin 2002. Por në atë proces, në kundërshtim me të gjitha rregullat e Procedurës, Saliu iu tremb përballjes me mua, që isha i akuzuari konkret, dhe kërkoi me ngulm që unë të dilja nga salla ku zhvillohej procesi, dhe, për çudinë time, komisioni iu bind, dhe unë e humba rastin të përballesha me të. Si gjithmonë, në monologun treorësh të asaj seance, tha vetëm gënjeshtra 24 karatshe, që unë do t’ia rrëzoja me fakte.

– Le të bëjmë një hamendësim: Do rihapet dosja Hajdari. A jeni ju i bindur se vrasja e tij është shfrytëzuar vazhdimisht si një kauzë politike gjatë gjithë këtyre viteve?

– Kjo pyetje nuk pret përgjigje nga unë, përgjigjen e saj e dinë prej kohësh të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë, këtë ata e kanë ndjerë në gjithë propagandën dhe demonstrimet terroriste të PD në ato vite. Boll të kujtojmë se dy javë pas ngjarjes, dha dorëheqjen Kryeministri socialist i kohës, Z. Fatos Nano.

– A mund të shërbejë apo të shfrytëzohet kjo çështje si një motivim  për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri nga opozita?

– Nuk dua ta besoj. Në këtë situatë Saliut i duhet të mbrohet dhe nuk e ka mendjen tek zgjedhjet, nuk është më ai që e ka përgjegjësinë për to. Zgjedhësit kanë shqetësime më të rëndësishme se ky proces. Por procesi mbetet interesant për të gjithë ata shqiptarë që e njohin mirë Saliun dhe të bëmat e tij dhe presin nga organet e reja të drejtësinë, të bëjnë drejtësi mbi aktivitetin e gjatë djallëzor të këtij njeriu.

---- ----
----
----- ----
-----