Ballina Lajme nacionale Eksperti amerikan për Ballkanin: S’ka seriozitet në dialogun Kosovë- Serbi pa rol...

Eksperti amerikan për Ballkanin: S’ka seriozitet në dialogun Kosovë- Serbi pa rol udhëheqës të SHBA-së

32
SHPËRNDAJE

Joseph thotë se s’ka seriozitet në dialog pa rol udhëheqës të SHBA-së.

Ndërsa në pjesën e parë të intervistës, eksperti i mirënjohur amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, doli për idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke thënë se kjo ide është një tjetër qasje dhe vlerësim i kotë e i papërgjegjshëm që vetëm sa e nxit separatizmin e serbëve të Kosovës, në pjesën tjetër, Joseph flet për dështimin e dialogut të deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën për “Kohën Ditore”, Joseph flet edhe për arsyet se pse ideja e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve ishte e keqe, si dhe për nevojën që dialogu të vihet nën udhëheqjen amerikane. Po ashtu, si prek edhe çështjen e ndërhyrjes ruse në rajon.

Ai thotë se çmimi i angazhimit të Washingtonit është ndalimi i menjëhershëm i çarkut të provokimit në dy vendet dhe kjo do të thotë ujdi për heqjen e tarifave.

Joseph, aktualisht profesor dhe shkollar i lartë pranë “Johns Hopkins School of Advanced International Studies”, ka edhe një propozim se si do të mundë të arrihej një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e modeluar në marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës.

“Presioni i kohës është pothuajse gjithmonë një faktor kritik për çdo negociatë. Afatet i përqendrojnë mendjet, posaçërisht kur ka ngjarje që detyrojnë – mundësi që do të humben apo zmbrapsje që do të ndodhin. I mbetet Bashkimit Evropian para së gjithëve që t’i ndërtojë këto afate. U mbetet Shteteve të Bashkuara të marrin rolin udhëheqës – ose as Kosova e as Serbia nuk do ta marrin afatin apo procesin me seriozitet. Mënyra më e mirë për t’u siguruar se Brukseli dhe Washingtoni mbeten të përkushtuar në proces është që vetë palët – Prishtina dhe Beogradi – të tregojnë se, edhe ata, e kanë seriozisht. Sinjalet tani janë shumë të përziera. Edhe Vuçiqi, edhe Thaçi dërgojnë disa sinjale pozitive dhe në të njëjtën kohë disa sinjale shumë negative. Zëra të tjerë në Beograd dhe Prishtinë po ashtu dërgojnë disa sinjale shumë negative. Për SHBA-në, posaçërisht, kjo është dekurajuese. Një pjesë e mendimit në Washington është edhe kjo: ‘Pse të çajmë kokën dhe të përfshihemi ne, kur palët veprojnë kështu… dhe janë kaq joserioze?’

Prishtina dhe Beogradi duhet gjithmonë ta kujtojnë se pozicioni parësor ndaj Ballkanit në Washington është ky: ‘Lini evropianët të merren me këtë’. Natyrisht, është pothuajse gjithmonë rasti që evropianët nuk mund të merren me këtë, posaçërisht me Kosovën. Nëse Thaçi dhe Vuçiqi duan ndihmën amerikane për ta zgjidhur këtë problem, ata duhet ta fitojnë atë”, ka deklaruar Joseph ndër të tjera në këtë intervistë.

-----