Ballina Lajme nacionale Ekskluzive/ Drejtori i hekurudhave dëshmon në prokurori për Dosjen “339”

Ekskluzive/ Drejtori i hekurudhave dëshmon në prokurori për Dosjen “339”

18
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Hetimet për dosjen me numër “339” janë intensifikuar. Jo vetëm pas publikimit të përgjimeve nga “Bild”, por edhe për shkak të mediatizimit të kësaj çështjeje, prokurorët kanë shtuar veprimet hetimore me personazhet e akuzuar, nën hetim, apo edhe si dëshmitarë.

Pas marrjes në pyetje disa ditë më parë të kryebashkiakut Vangjush Dako radha ka qenë për drejtorin e përgjithshëm të hekuruave Ani Dyrmishi, një prej zyrtarëve nga Durrësi që del shkoqur në përgjimet e Avdylajve me deputetin socialist Ilir Ndraxhi dhe jo vetëm.

Gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, nën cilësinë e personit që ka dijeni, ose më saktë të një personi që është nën hetim, ndonëse pa masë sigurie,  Ani Dyrmishi ka folur për të gjitha, duke tentuar në njëfarë mënyre edhe lehtësimin e pozitës së tij juridike. Ai ka pranuar njohjet shoqërore me emrat e përmendur në përgjime, por kurrësesi nuk ka pranuar se ka shkelur ligjin, apo shpërdoruar detyrën.

Në fakt, Ani Dyrmishi është një emër i njohur në procesverbahet e Policisë. Në 19 nëntor të vitit 2018, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në makinën që kishte në pronësi, e vendosur në një shishe plastike dhe e lidhur me një telefon celular. Shpërthimi nuk arriti të ndodhte, sepse Dyrmishi e pikasi atë dhe njoftoi Policinë.

Gjatë marrjes në pyetje për atë ngjarje, Dyrmishi tha se nuk kishte lidhje me të dhe se me askënd nuk kishte konflikte personale, apo për shkak të detyrës.

Por kush janë emrat e zyrtarëve që përmenden në këto përgjime?!

Një prej personave që ka komunikuar me Avdylajn, dhe që del nga këto përgjime, është Ivo Doçi, i cili është përgjegjësi i repartit të Shijakut që varet nga UKD.

Elton Arbana është një tjetër emër, i cili është  kandidat për kryetar Bashkie në Shijak.  Ilir Ndraxhi, deputet i PS, ndërsa Arjan Ndraxhi është vëllai i tij. Ardian Kokomani është aktualisht kryetar Bashkie në Shijak.

Ani Dyrmishi asokohe ka mbajtur postin e Drejtorit të Hipotekës, ndërsa aktualisht është drejtor i Përgjithshëm i hekurudhave shqiptare. Ndërkohë, një tjetër emër që përmendet në këto përgjime të dy viteve më parë, është Vath Alla, një qytetar nga Ishmi që pretendon një tokë në bregdetin e Kepit të Rodonit dhe mik i afërt me Avdylajt. Mesa duket Dyrmishi për shkak të detyrës si ish-drejtor i Hipotekës mund të ketë shkelur në kallo, ndaj edhe më pas është kërcënuar.

---- ----
----
-----
-----