Ballina LifeBizare Egjiptianët mësyjnë Shqipërinë me kompani ndërtimi

Egjiptianët mësyjnë Shqipërinë me kompani ndërtimi

42
SHPËRNDAJE

Përkeqësimi i klimës së biznesit në Shqipëri, sipas raportit të fundit “Doing Business 2020” të Bankës Botërore nuk ka trembur investitorët egjiptianë që të vërshojnë në Shqipëri, kryesisht në fushën e ndërtimit.

Sipas “Open Data Albania”, në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 39 kompani me pronarë, ose kapital me origjinë nga Egjipti. Pjesa dërrmuese e tyre veprojnë në sektorin e ndërtimit, ndërsa nuk mungojnë edhe kompanitë që operojnë në fushën e teknologjisë, telekomunikacionit dhe konsulencave.

Nga grupi i kompanive me objekt aktivitetin në fushën e ndërtimit, pjesa më e madhe janë regjistruar që Qendrën Kombëtare të Biznesit në muajin janar. Regjistrimet e pazakonta mbërrijnë pak javë pasi Qeveria shqiptare ngriti shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore për procesin e rindërtimit.

Kompanitë në fjalë mund të synojnë që të përfshihen në këtë proces, jo vetëm me marrjen e tenderave për rindërtimin, apo ndërtimin e objekteve, por edhe duke siguruar fuqinë punëtore të ngritur si shqetësim nga pala shqiptare.

Ndërkohë, “Open Data Albania” thotë se prej 1 janarit janë hapur 935 biznese të reja me formë ligjore person juridik. Nga këto 105 janë me pronarë, ose kapital me origjinë nga Italia. Pjesa më e madhe e bizneseve italiane janë në fushën e telekomunikacionit, shërbimeve, turizmit dhe të konsulencës.

Nga totali i bizneseve, pjesa më e madhe janë regjistruar në dy muajt e parë të vitit, ndërsa pas prekjes së vendit nga pandemia dhe hyrja në izolim, numri i bizneseve të reja të hapura ra ndjeshëm.

Shqipëria u rendit në vendin e 82-të në rang global në raportin “Doing Business” të Bankës Botërore, duke rënë me 19 vende në krahasim me një vit më parë. Ekonomia jonë shënoi përkeqësim në 9 nga 10 tregues në total, që përdor BB për vlerësimin e performancës së një vendi.

The post Egjiptianët mësyjnë Shqipërinë me kompani ndërtimi appeared first on ShqipMedia.

----- ----- ----- -----