
Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi i ka bër thirrje kryeministrit Edi Rama që t’i thërrasë arsyes dhe t’i kthehet zgjidhjes politike. Idrizi theksoi se situata është tejet dramatike dhe rrezikohet përplasja civile.
“Sot PDIU është thellësisht e preokupuar për situatën politike, e cila është tejet e rrezikshme për Shqipërinë.
Sot Rilindja po ecën qorrazi e pa arsye, duke e çuar vendin drejt kolapsit institucional dhe rrezikimit të pluralizmit politik.
Pika më e ulët arriti sot, kur u propozua nisma absurde ligjore, për të ndaluar lëvizjen jashtë shtetit, të atyre që “rilindasit” do i konsiderojnë kundërshtarë politikë.
Me sa duket arsyeja ka ndalur së funksionuari!!!
Duhet ta kuptojë mirë cilido shqiptar, e veçanërisht iniciatorët e kësaj nisme, se lëvizjen e lirë të shqiptarëve, një nga fitoret më të mëdha të shqiptarëve pas pluralizmit e demokracisë, po e rrezikon sot, pikërisht keq-qeverisja aktuale, e cila po stërmbushet çdo ditë me skandale financiare, të ilegjitimitetit të pushtetit, krimit, korrupsionit, kanabizimit e varfërisë, që po mbillet përditë në shtëpitë e shqiptarëve.
Një pushtet i ardhur nga votat e vjedhura dhe bandat, siç po e tregojnë përgjimet e zbardhura të Rilindjes, sigurisht që sot do të shfaqet arrogant dhe dhunues ndaj qytetarëve të lirë të këtij vendi.
Por të jeni të sigurtë, që drejtësia do e gjejë rrugën e saj dhe pushteti në këtë vend, do të vijë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve.
Në një vend ku të gjitha pushtetet kapen nga një njeri i vetëm, ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori, media, prokuroria, kur pushojnë së funksionuari Gjykatat, pushon së funksionuari Demokracia.
Janë të gjitha këto arsye bashkë, se pse Edi Rama dhe Rilindja duhet ti thërrasin arsyes, e të kthehen drejt zgjidhjes politike, e të mos shkaktojnë më kosto dramatike për vendin.
Por meqënëse siç duket arsyeja është arratisur nga PS tek Rilindja, sot i bëj thirrje simpatizantëve e anëtarëve të PDIU-së dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të bashkohemi në protestën për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit, nesër në ora 20:00, të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”