Ballina Lajme nacionale Edhe ambasadori O’Connell mbështet mos akreditimin e universiteteve nga Agjencia e Akreditimit

Edhe ambasadori O’Connell mbështet mos akreditimin e universiteteve nga Agjencia e Akreditimit

11
SHPËRNDAJE

Ambasadori Britanik në largim, Ruari O’Connell, ka thënë se të rinjtë e Kosovës meritojnë edukim të mirë që njihen ndërkombëtarisht.

O’Connell ka thënë se vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akredimit të universiteteve është një vendim i vështirë, por që sipas tij, këto universitete duhet të plotësojnë disa kritere nëse duan që vendet evropiane të njohin diplomat e tyre.

“Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre”, ka thënë O’Connell.

Përmes një shkrimi në facebook, Ambasadori në largim ka thënë se nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit.

“Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private”, ka përfunduar O’Connell.

Para disa ditësh, KSHC ka marrë vendim për të mos akredituar për vitin e ardhshëm akademik Universitetin e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

-----