Ballina Sport Dyshimet se COVID-19 ishte në Lojërat Ushtarake/ Luiza Gega tregon Vuhanin: Çfarë...

Dyshimet se COVID-19 ishte në Lojërat Ushtarake/ Luiza Gega tregon Vuhanin: Çfarë pashë në “qytetin e pandemisë”

23
SHPËRNDAJE

Atletja shqiptare Luiza Gega garoi në Vuhan në fund të tetorit në Lojërat Botërore Ushtarake, ku morën pjesë rreth 10 mijë atletë. Në mediat italiane u raportua se ka dyshime të mëdha se virusi COVID-19 ishte i pranishëm në atë periudhë.

Bashkë me Gegën morën pjesë edhe 8 atletë të tjerë shqiptarë në këtë aktivitet. Ndërsa në Itali pati dëshmi të pjesëmarrësve për simptoma të ngjashme me koronavirusin, Gega për gazetën “Shqip”, thotë se nuk ka pasur dhe parë asnjë shqetësim. Madje e kujton si një aktivitet madhështor.

Gega fitoi medaljen e bronztë në garën e 3000 metrave me pengesa. Aktualisht ajo vazhdon të qëndrojë në Kinë, ku shkoi më 16 mars për t’u stërvitur.

Kampionia shqiptare shprehet se nisur nga fakti që aktivitetet janë shtyrë, ka kontaktuar me autoritetet shqiptare që të rikthehet në Shqipëri, por deri më tani përgjigje pozitive nuk ka marrë.

Si është situata në Kenia aktualisht, sa rrezik ka nga pandemia?

Unë kam ardhur që në datën 16 mars në Kenia, ku dhe vazhdoj të jem. Duhet të kthehesha më 29 prill, por siç e dini fluturimet janë anuluar pothuajse në të gjithë botën për momentin dhe për këtë arsye jam e detyruar që të qëndroj këtu. Situata e COVID-19 nuk është e agravuar këtu në Kenia, edhe pse janë marrë masa sigurisht. Unë vazhdoj stërvitjen dhe pse jo ne kushte të përshtatshme dhe siç duhet, pasi edhe këtu stadiumet dhe palestrat vazhdojnë të jenë ende të mbyllura. Kështu, stërvitem në rrugë kryesisht. Por vazhdoj të kem një formë shumë të mirë edhe pse ende nuk e dimë se kur do të kemi gara. Mendohet në gusht por ende nuk është e sigurt.

Kur mendoni që të riktheheni në Shqipëri?

Në Kenia erdha për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike dhe Kampionatin Evropian, por për fat të keq, të dy aktivitetet nuk do të zhvillohen këtë vit. Siç e dini lojërat Olimpike “Tokyo 2020” janë spostuar për vitin në vitin 2021, ndërsa Kampionati Evropian është anuluar fare.

Për këtë arsye, sigurisht që nuk kam shumë motiv të qëndroj këtu, sepse dy aktivitetet më të rëndësishme nuk do të zhvillohen. Po bëjmë përpjekje për kthimin në Shqipëri, jemi lidhur dhe me institucionet përkatëse, pasi kemi kërkuar dhe riatdhesimin, por ende nuk kemi asnjë përgjigje pozitive.

Situata nuk është e rrezikshme, edhe pse numrat e te prekurve janë rritur pak këto ditë. Por nuk janë numra shqetësues, janë vetëm 30-40 persona te infektuar në ditë, edhe pse sigurisht unë ruhem ne maksimumin sepse jam në një vend të huaj, aq më tepër në një vend si Kenia. Gjithsesi nuk mund të rrimë, pasi ka shumë arsye që më duhet të kthehem. Aq më tepër që shpenzimet rriten çdo ditë, siç e dini pjesën e grumbullimeve nuk e kemi aq komode.

 Ju keni marrë pjesë në Lojërat Botërore Ushtarake në Vuhan të Kinës, ku fituat edhe medalje bronzi në tetor. Mediat italiane sot raportuan se ka dyshime se virusi COVID-19 ka qarkulluar në këtë aktivitet, madje ka pasur atletë të sëmurë. Keni vërejtur te dikush ndonjë simptomë, apo keni ndier vetë ndonjë shqetësim?

Po kam marre pjesë dhe kjo ka ndodhur në fund të muajit tetor. Kemi qenë 9 pjesëtarë nga delegacioni i Forcave të Armatosura Shqiptare. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë shqetësim, më saktë nuk kam kaluar as edhe një grip normal, qoftë atje por qoftë dhe kur jam kthyer. Dhe për më tepër, asnjë pjesëtar i ekipit tim apo familjes nuk ka pasur shqetësime. Sot në fakt e kam dëgjuar këtë lajm, që në mediat italiane ka qarkulluar një lajm i tillë. Unë nuk di çfarë të them për këtë pjesë mund të flas vetëm për pjesën që unë nuk kam pasur asnjë shqetësim.

Përsa i përket pyetjes për pjesën e dyshimtë, absolutisht asgjë; ka qenë aktiviteti më i bukur dhe më madhështor dhe me i siguruar që unë kam marr pjese ndonjë herë.

-----