Ballina Arti Dosja e “Grupit të deputetëve”: Shefqet Beja më dha stërlina e flori...

Dosja e “Grupit të deputetëve”: Shefqet Beja më dha stërlina e flori nga të anglo-amerikanëve dhe e para do sulmohej Shkodra, pasi atje reaksioni ishte më i fortë…

18
SHPËRNDAJE

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat i përkasin dosjes hetimore dhe gjyqsore të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve”, ku bënin pjesë 24 të pandehur dhe midis tyre emra dhe personalitete të njohura të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e më pas deputetë të Parlamentit Shqiptar apo në Kryesinë e Frontit Demokratik të Shqipërisë të kryesuar nga gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, si Shefqet Beja, Dr. Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, etj., të cilët u nxorrën para një gjykate ushtarake të kryesuar nga major Niko Çeta dhe prokuror, Josif Pashko.

Cilat ishin akuzat e formuluara nga ana e trupit gjykues ndaj 24 të pandehurve: Shefqet Beja, Enver Sazani, Sheh Ibrahimi (Karbunara), Selaudin Toto, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Hysen Shehu, Salim Kokalari, Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Rram Marku, Beqir Çela, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Saggioti Paolo, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Shefki Minarolli, Pertef Karagjozi, Mehmet Prishtina dhe Agathokli Xhitoni?

Çfar deponuan gjatë proçesit hetimor dhe gjyqësor të pandehurit e “Grupit të Deputetëve”, lidhur me: organizimin e tyre, degët që kishin nëpër rrethe të ndryshme të vëndit, njerzit që i kryesonin ato, lidhjet me grupet e rezistencës antikomuniste që ishin në arrati, apo eksponentë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit që ndodheshin në kampet e Italisë, mbështetja që ata kishin nga anglo-amerikanët dhe misionet e tyre që vepronin në Shqipëri, lidhjet me ushtarakë të lartë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Punëve të Brendëshme, e deri tek njerëz me funksione të larta, pranë Enver Hoxhës etj.

Nga Dashnor Kaloçi

Dokumentet që po publikojmë në këtë shkrim i përkasin dosjes gjyqësore dhe hetimore, të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve” që u arrestuan dhe u morën të pandehur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u vunë në bangon e të akuzuarëve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq i cili u zhvillua në Kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data 4 deri në datë 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona, ku pjesa dërmuese e tyre ishin personalitete të njohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të njohur, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre si: Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Paralamentit Shqiptar, të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar prej Enver Hoxhës.

Përveç këtyre tre personave tepër të njohur si nacionalistë dhe me popullaritet mjaft të madh në të gjithë vëndin dhe që ishin krerët e atij grupi të pandehurish, të njohur si “Grupi i Deputetëve”, edhe një pjesë e madhe e tyre ishin antizogistë dhe kishin mbështetur apo kishin marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po kështu në përbërje të atij grupi kishte dhe intelektualë të tjerë dhe tregtarë të ndryshëm, të cilët nuk kishin aderuar në asnjë nga tre forcat politike (Balli, Legaliteti dhe Partia Komuniste) gjatë periudhës së Luftës, por që ishin brymosur dhe kishin përqafuar idetë liberal-demokrate të vëndeve Perendimore ku kishin studjuar, duke pasur prirje të theksuara antikomuniste.

Procesi gjyqësor i “Grupit të Deputetëve” i cili filloi me një pomozitet të madh nga ana e propagandës së regjimit komunist, duke vënë në dispocizcion të gjithë arsenalin e saj me radio, gazeta dhe afishe të ngjitura nëpër mure, për nga përmasat e rëndësia e tij, ishte procesi i dytë më i madh i zhvilluar deri në atë kohë që nga mbarimi i Luftës. Proçesi i parë gjyqësor ishte zhvilluar në marsin e vitit 1945, i njohur si “Gjyqi Special kundër kriminelëve të Luftës” dhe në bankon e të akuzuarëve të atij gjyqi, kishin dalë 64 persona, ku pjesa më e madhe i tyre kishin mbajtur funksione të larta në të gjitha qeveritë shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek ato nën pushtimin gjerman, si deputetë, kryeministra, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, ambasadorë, ushtarakë të lartë etj.

Ndryshe nga Gjyqi Special i marsit të vitit 1945, ku gjykoheshin si të pandehur të gjithë ata persona të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur si “armiq e kriminelë lufte”, procesi gjyqësor i Grupit të Deputëtëve, që filloi në katër shtatorin e vitit 1947, kishte një ngarkesë akoma më të madhe politike e sociale, e interes të jashtëzakonshëm, pasi aty gjykoheshin një pjesë e atyre personalitëteve që kishin aderuar brenda rradhëve të Frontit Demokratik, që e udhëhiqte Partia Komuniste e sapoardhur në pushtet.

Nga dëshmi të ndryshme të marra si nga ana e familjarëve të “Grupit të Deputetëve”, ashtu dhe nga ish-ushtarakët e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, pothuaj gati të gjithë të pandehurit e atij grupi, gjatë procesit hetimor i janë nënshtruar torturave nga më ç’njerzoret në mënyrë që të pranonin akuzat që u ngarkoheshin nga ana e hetuesëve. Ajo shihet qartë edhe nga dosja gjyqësore e atij procesi, ku disa nga të pandehurit gjatë gjykimit të tyre i kanë mohuar ato dëshmi që kanë dhënë gjatë hetuesisë, duke u shprehur me fjalët: “Nuk kemi qenë në gjëndje dhe i kemi firmosur ato”.

Përveç atyre dëshmive të mohuara në atë proces gjyqësor, nga ana e të pandehurve të atij procesi ka edhe shumë dëshmi të tjera, ku flitet për aktvitetin dhe veprimtarinë e tyre antikomuniste, të filluar që nga periudha e Luftës e deri në atë kohë që u arrestuan, ku Sheqet Beja, Enver Sazani, Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Tefik Deliallisi, Sulo Kloso, Salim Kokalari, Beqir Çela etj., kanë pranuar të gjithë aktivitetin e tyre që synonte rrëzimin e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Po kështu në atë dosje gjyqësore shihet se të pandehurit kanë pranuar edhe lidhjet e bashkëpunimin e tyre me misionet anglo-amerikane të kryesuara nga Harry Fultz dhe gjenerali Hodgson, si dhe lidhjet me eksponentët kryesorë nacionalistë të Ballit e Legalitetit, që ishin në mërgim apo në arrati nëpër male.

Përveç shumë dëshmive të bëra nga të pandehurit e atij procesi gjyqësor, (gjithnjë duke i’u referuar dosjes në fjalë), ku tregohen lidhjet e tyre dhe aktiviteti antikomunist për rrëzimin e regjimit komunist, një nga dëshmitë më interesante në atë gjyq, është ajo e bërë nga Tefik Deliallisi, ku ai tregon për bisedën e bërë në shtëpinë e Ymer Keçit në Tiranë, ku Ymeri i ngarkoi Hamdi Kacolles, (njeriut që shërbente pranë Myslym Pezës) atentatin ndaj gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës e Koci Xoxes, gjatë vizitës që ata do të bënin në Pezë.

Ndonëse Memorie.al disponon të gjithë dosjen e plotë gjyqësore të këtij grupi, e cila përbëhet nga 173 faqe të daktilografuara dhe është nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendosëm që të publikojmë vetëm disa nga pjesët kryesore të saj, duke i dhënë ato në variantin original, ashtu siç ndodhen në dosjen përkatëse.

Trupi Gjykues

Kryetar: Major Niko Çeta

Anëtar: Kapiten I-rë, Nexhat Hyseni

Kapiten II-të, Mustafa Iljazi

Kryesekretari: Aspirant Thoma Rino

Prokuror: Zv/ Prokuror i Përgjithshëm, Josif Pashko

Të pandehurit

Shefqet Beja

Enver Sazani

Sheh Ibrahimi (Karbunara)

Selaudin Toto

Irfan Majuni

Tefik Deliallisi

Hysen Shehu

Salim Kokalari

Sulo Konjari

Ramazan Tabaku

Gjovalin Vlashi

Rustem Sharra

Xhevat Xhafa

Rram Marku

Beqir Çela

Riza Alizoti

Sulo Klosi

Saggioti Paolo

Foto Bala

Abdyl Kokoshi

Shefki Minarolli

Pertef Karagjozi

Mehmet Prishtina

Agathokli Xhitoni

Aktakuza

Duke formuar një organizatë tradhëtaro-sabotatore, të lidhur me kriminelët e luftës jashtë dhe brenda Shqipërisë dhe të shtyrë e të ndihmuar nga agjentat e imperializmit Anglo-amerikan, kanë kryer akte sabotazhi, spiunazhi, terrorizmi për rrëzimin me forcë të Pushtetit Popullor dhe për sjelljen në fuqi të regjimit shtypës të Ballit e Legalitetit. Mbas kësaj u bë apeli i të pandehurve të cilët u ndodhën të gjithë prezent. U mor identiteti i tyre:

Shefqet Beja, i biri i Hasimit dhe i Havasë, lindur më 1912, në Durrës dhe banues atje, me profesion tregëtar, i martuar me fëmijë, me arsim fillor i padënuar.

Enver Sazani, i biri i Hilmiut dhe i Nafijes, vjeç 37, lindur në Himarë dhe banues në Tiranë, i martuar me një fëmijë, me arsim të lartë, me profesion mjek, i padënuar.

Shef Ibrahim Karbunara, i biri i Rushitit dhe i Hamdijes, vjeç 67, lindur dhe banues në katundin Karbunarë të Lushnjës, me profesion Fetar, mbaruar Medresenë, i martuar me fëmijë, i padënuar.

Selaudin Toto, i biri i Rizait dhe i Hilvijes, vjeç 34, lindur në katundin Progonat të Kurveleshit e banues në Tiranë, me profesion Profesor, me arsim të lartë, i padënuar.

Irfan Majuni, i biri i Hiqmetit dhe i Havas, vjeç 36, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me profesion nënpunës, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar.

Tefik Deliallisi, i biri i Masarit dhe i Nurijes, vjeç 37, lindur në Shijak dhe banues në Durrës, me profesion Mësues, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm i padënuar.

Hysen Shehu, i biri i Ibrahimit dhe i Sulltanes, lindur më 1912 në katundin Karbunarë të Lushnjës, i martuar, me 2 vjet gjimnaz, i padënuar.

Salim Kokalari, i biri i Selimit dhe i Xhevos, vjeç 50, lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës, me profesion Mësues, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i dënuar në vitin 1935 politikisht dhe në muajin Shkurt 1946 për kontrabandë floriri.

Sulo Konjari, i biri i Idrizit dhe i Ballkëzit, vjeç 44 lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës, me profesion Farmacist, i martuar me fëmijë, me arsim fillor i padënuar.

Ramazan Tabaku, i biri i Hysejnit dhe i Gjyles, vjeç 46, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës, me profesion telegrafist, i martuar me fëmijë, me arsim fillor i padënuar.

Gjovalin (Gjon) Vlashi i biri i Gjergjit dhe i Rozës, vjeç 34, lindur dhe banues në Durrës, me profesion Avokat, i pamartuar, me arsim të lartë i padënuar.

Rustem Sharra, i biri i Haxhiut dhe i Nurijes, vjeç 40, lindur dhe banues në Kavajë, me profesion tregëtar, i martuar me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar.

Xhevat Xhafa, i biri i Hasanit dhe i Bakushes, vjeç 34, lindur dhe banues në Kavajë, me profesion Mësues, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar.

Rram Marku, i biri i Haxhiut dhe i Hatixhes, vjeç 46, nga katundi Shatol i Shijakut, me profesion bujk, i martuar me fëmijë, me arsim fillor, i dënuar në kohën e Zogut me 21 vjet burg, për vrasje.

Beqir Çela, i biri i Mustafait dhe i Emines, vjeç 34, nga Durrësi, me profesion Mësues, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm i padënuar.

Riza Alizoti, i biri i Fejziut dhe i Ismihanit, vjeç 37, lindur në Stamboll të Turqisë dhe banues në Kuçovë, me profesion inxhinier, i martuar me fëmijë, me arsim të lartë, i padënuar.

Sulo Klosi, i biri i Ismailit dhe i Zakijes, vjeç 31, lindur në Klos të Mallakastrës dhe banues në Tiranë; me profesion inxhinier, i martuar me fëmijë, me arsim të lartë, i dënuar në kohën e Zogut politikisht

Paolo Saggiati, i biri i Domenicos dhe i Gjinevrës, vjeç 40, lindur në Manutto dhe banues në Gova të Italisë, qëndrues në Kuçovë, me profesion nëpunës industrial, i pamartuar, krye Institutin Industrial, i padënuar, i cili u pyet me anën e përkthyesit Kapiten i I-rë Gafur Korçës.

Foto Bala, i biri i Dhimitrit dhe i Marisë, vjeç 37, lindur në katundin Vuno të Himarës dhe banues në Korçë, me profesion Profesor, i martuar me fëmijë, me arsim të lartë, i padënuar.

Abdyl Kokoshi, i biri i Asimit dhe i Meshtanes, vjeç 37, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me profesion kafexhi, me arsim të lartë (fakultetin e drejtësisë), i martuar me fëmijë, i padënuar.

Shefki Minarolli, i biri i Refatit dhe i Gjylizarit, vjeç 44, nga Pogradeci, dhe baneus në Elbasan, me profesion Hotelier, i martuar me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar.

Pertef Karagjozi, i biri i Samiut dhe i Bedrijes, vjeç 39, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar.

Mehmet Prishtina, i biri i Jahjajt dhe i Gjylizarit, lindur më 1926 në Shijak dhe banues në Tiranë, me profesion tregëtar, i pamartuar, me 3 klasë Gjimnaz, i padënuar.

Agathokli Xhitoni, i biri i Thomait dhe i Athinasë, vjeç 59, lindur dhe banues në Përmet, me profesion Shkrues-publik, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i dënuar me 5 vjet burgim për kundravajtje.

Dëshmia e Hysen Shehut

Mbi këtë merret në pyetje i pandehuri Hysen Shehu, të cilit ju caktua kryesisht si Avokat mbrojtës z. Ilija Kote dhe e pranoi.

Ju këndua akt-akuza e Prokurorit dhe tha që e pranon.

Mbasi u pyet deklaroi: “Gjatë okupasionit kam qenë nëpunës në arsim. Kam bërë pjesë në grupin nacional-demokrat të deputetëve, i cili kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit të sotëm dhe marrjen e tij, në dorë, aktivitetin e kam filluar në muajin shkurt 1945, por qysh në vitin 1944, kur me rastin e Kongresit të Beratit kishin ardhur në Lushnjë disa delegatë, janë mbledhur në shtëpinë time në Karbunarë Shefqet Beja, Ymer Keçi, Muharrem Vllamasi.

Aty Shefqet Beja tha që në Kongresin e Beratit u kuptua se gjithçka ishte në dorën e Partisë Komuniste, kurse neve mundimi na shkoi kot”. Aty tha se në këtë mënyrë kishte biseduar dhe me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin; gjithashtu dhe Ymer Keçi tha që kishte biseduar dhe ai me Gjergji Kokoshin e Suat Asllanin për këtë punë. Këtu u mor vendim që të mblidheshim në Tiranë për të biseduar dhe me shokë të tjerë. Në muajin shkurt 1945, bëmë një mbledhje në shtëpinë e Shefqet Bejës në Tiranë, ku ishin Tefik Deliallisi, Selaudin Toto, Salim Kokalari, Kol Kuqali, Enver Sazani, Kostandin Boshnjaku. Mbledhjen e hapi Shefqet Beja, i cili tha që sikundër kishim biseduar dhe më parë dhe me shokët e tjerë, neve duhet të formojmë një organizatë.

Unë erdha në këtë mbledhje bashkë me babanë tim Shef Ibrahim Karbunarën me makinën e Frontit që më dërgoi Shefqeti, i cili më lajmëroj se duhet të vija së bashku me babanë. Mbas Shefqetit, folën me rradhë Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto, Enver Sazani e Kol Kuqali. Ky i fundit d.m.th. Kol Kuqali, tha se këtë punë duhet t’jua raportojmë dhe anglo-amerikanëve. Kostandin Boshnjaku tha se mendimi i Kolës ishte i mirë. Këtu u vendos që të thirreshin në këtë organizatë dhe Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari, Suat Asllani, Cen Elezi dhe Faik Shehu. Shefqeti tha që duhet të organizohemi mirë dhe me ndihmën e anglo-amerikanëve, të rrëzonim pushtetin.

Këtu u vendos që kjo organizatë të ishte ilegale. Në këtë mbledhje caktuam që rreth formimit të kësaj organizate t’u thoshim gjithë miqve dhe elementëve besnikë që njihnim. Mbledhjen tjetër e bëmë në mars 1945, në shtëpinë e Ymer Keçit, ku ishim ne të parët dhe Salim Kokalari, Gjergj Kokoshi e Sami Çeribashi. Mbledhjen e hapi Shefqet Beja. Këtu foli Kol Kuqali, i cili tha që po ta shifni dhe juve me vend, këtë t’jua raportojmë anglo-amerikanëve.

Në mbledhjen e parë u shtrua që Kol Kuqali me Selaudin Toton, të shkonin tek anglo-amerikanët dhe t’jua raportonin: në mbledhjen e tretë këta na raportuan neve rreth kësaj çështje, tue na thënë se anglo-amerikanët e pritën mirë organizimin tonë. Në këtë mbledhje u vendos që të krijoheshin Komitete në të gjitha qendrat e Shqipërisë dhe të bëheshin lidhje me kriminelët e arratisur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Lidhjet me kriminelët në Shkodër, do t’i bënte Riza Dani, në Korçë Kol Kuqali, në Durrës Tefik Deliallisi, në Dibër Faik Shehu, Irfan Majuni e Selman Ndreu dhe në Gjirokastër Selahudin Totua. Në këtë mbledhje Abdyl Kokoshi përfaqësonte Ballin, i cili kishte marrë letra nga Mithat Frashëri dhe Ali Këlcyra; Sami Çeribashi përfaqësonte një grup nacionalistësh, Gjergj Kokoshi, Suat Asllani dhe Musine Kokalari përfaqësonin Social-Demokraten dhe grupi ynë Naciona-Demokrat.

Këtu u vendos të bashkëpunohej ndërmjet grupeve. Natën e kryengritjes e caktuam më 17 Nëntor dhe do të bëhej në Shkodër pasi për atje na kishin thënë anglo-amerikanët, që sa të merrej Shkodra nga kryengritësit, për 3 ditë ata do të zbarkonin. Unë kam marrë nga Shefqet Beja 180 stërlina para hotel Dajtit, letër dhe flori, këto m’i dha për disa njerëz të organizatës që ishin ngushtësisht ekonomikisht. Nuk di kush ka marrë tjetër të holla.

Mbi pyetjen e prokurorit i pandehuri tha: U vendos për kryengritje Shkodra, se aty kishin kërkuar anglo-amerikanët dhe se atje reaksioni ka qenë më i organizuar. Kur do të sulmohej Shkodra, të arratisurit e qarqeve të tjera do të sulmonin dhe ata për t’ju ardhur në ndihmë. Arratisjen e Cen Elezit e mora vesh dhe na erdhi mirë, kurse kur u dorëzuan djemtë e tij nuk na erdhi mirë dhe me këtë rast bëmë një mbledhje, ku u vendos t’ju njoftohej anglo-amerikanëve prej Kol Kuqalit dhe Selaudin Totos.

-----