Ballina Lajme nacionale Doli “pro” shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Kurti shkarkon ministrin e LDK-së

Doli “pro” shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Kurti shkarkon ministrin e LDK-së

19
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliu.

Zyra e kryeministrit, përmes një deklarate për shtyp tha se Veliu, ishte shprehur kundër qëndrimit të shefit të ekzekutivit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë.

Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga koronavirusi, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është.

Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, ndaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejt të më dërgojë emrin e ministrit të ri. Ndërkohë, deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zv. ministri aktual, Xhelal Sveçla”, thuhet në deklaratë.

-----