Ballina Arti Ditë zie për artin shqiptar, ndahet nga jeta shkrimtari dhe regjisori i...

Ditë zie për artin shqiptar, ndahet nga jeta shkrimtari dhe regjisori i njohur nga Durrësi

28
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Është ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare Gjergj Vlashi.  Ai ishte një ndër intelektualët më të shquar të qytetit të Durrësit, si shkrimtar, përkthyes dhe artist.

Për shumë vite Gjergj Vlashi ka qenë regjisor i estradës profesioniste të qytetit të Durrësit deri kur doli në pension në vitin 1990.

Me të lidhet një pjesë e historisë  e artit durrsak pas çlirimit të vendit. Me dhjetëra shfaqje të trupës së estradës së Durrësit mbajnë vulën e tij.

Aktorë si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa, Spiro Strati, Aishe Stari, Lumturi Dashi etj rritën performancën e tyre artistike nën drejtimin e regjisorit Vlashi.

Njohës i disa gjuhëve të huaja, Gjergj Vlashi solli në shqip Franc Kafkën me veprat “Metamorfoza” dhe “Proçesi”, si dhe shkroi tregime, novela e romane.

Gjergj Vlashi mban titujt “Qytetar Nderi” i Durrësit,”Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Gjergj Vlashi u lind në Durrës më 13 korrik 1928. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes.

Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj.

Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension.

Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj.

Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.

Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes.

 

---- ----
----
----- ----
-----