Ballina Lajme nacionale Dita Botërore e Refugjatëve/ Ja çudia shqiptare, karta për…

Dita Botërore e Refugjatëve/ Ja çudia shqiptare, karta për…

10
SHPËRNDAJE

20 qershori është Dita Botërore e Refugjatëve që synon të tërheqë vëmendjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.

Pablo Zabata, Përfaqësues i UNHCR në Shqipëri, thotë se vendi ynë ka treguar një angazhim të madh në mikëpritjen e refugjatëve. Ai nënvizon se qeveria shqiptare ka miratuar dhënien e një karte identiteti për të huajt, refugjatët, për të ndihmuar në integrimin e tyre.

“Për vitin 2018 janë regjistruar rreth 131 refugjatë në Shqipëri dhe 162 azilkërkues. Këto janë ato që kanë qëndruar në Shqipëri. Brenda vitit ka pasur më shumë se 5 700 azilkërkues, por shumica kanë ardhur në Shqipëri dhe janë larguar për në vende të tjera të Europës”, tha Zapata.

“Në Shqipëri ka një traditë të mikpritjes. Këtu mund të kujtoi, refugjatët Kosovar gjatë kohës së luftës apo dhe gjatë luftës së dytë botërore keni dëshmuar mikpritje. Institucionet punojnë mirë dhe në kufi dhe brenda territorit. Situata nuk është e  lehtë, por institucionet shqiptare kanë treguar profesionalizëm”, tha ai.

“Shtresat vulnerabël janë dhe më të vështirat. Problemi me këtë pjesë është se lëvizin sapo nis marrja e trajtimit. Në Shqipëri shifrat janë rritur. Viti 2017 numëronte 1 050 vetë, ndërsa në vitin 2018 kemi një total prej rreth 5 700 refugjatësh. Kjo rritje është adresuar mjaft mirë fal profesionalizmit të institucioneve”, vijoi Zapata.

“Në aspektin e integrimit dhe trajtimit ka dy pjesë. Ana e parë është ana ligjore, legjislacioni shqiptarë është mirë për integrimin dhe po diskutohet dhe një ligj për të ndërtuar një dokumentacion edhe më të plotë sipas standardeve të BE. Ana e dytë është që qeveria ka aprovuar, miratuar një vendim në Këshillin e Ministrave për të krijuar një kartë identiteti për të huajt, për refugjatët, që do të ndihmoj këto shtetas për t’u integruar më lehtë”, theksoi Zapata.

“Ka refugjatë që punojnë në Shqipëri dhe që integrohen shumë mirë në vend, janë mirë pritur nga komshinjtë, si edhe nga komuniteti në Shkollë dhe në jetën e përditshme”, shtoi ai.

Sa i takon shifrave në botë,  50% e refugjatëve janë fëmijë. 80% e tyre qëndrojnë afër vendeve të tyre. Numri i njerëzve që iknin nga lufta, persekutimi dhe konflikti tejkaluan 70 milionë në vitin 2018. Ky është niveli më i lartë që UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka parë në gati 70 vjet.

Të dhënat nga raporti vjetor i Trendit Global të UNHCR-së, të publikuara sot, tregojnë se të paktën 70.8 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë. Për ta vënë këtë në perspektivë, kjo është dyfishi i nivelit të 20 viteve më parë, 2.3 milionë më shumë se një vit më parë, dhe një popullsi midis asaj të Tajlandës dhe Turqisë.

Shifra prej 70.8 milion është konservative, në veçanti pasi kriza në Venezuelë është ende e reflektuar pjesërisht në këtë numër. Në tërësi, rreth 4 milionë Venezuelanë janë larguar nga vendi i tyre që nga viti 2015 duke e bërë këtë ndër krizat më të mëdha të shpërnguljes në botë. Edhe pse shumica e refugjatëve kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, që nga sot vetëm rreth gjysmë milioni kanë ndërmarrë hapin e aplikimit zyrtarisht për azil.

Brenda shifrës prej 70.8 milionë në raportin e Trendit Global janë tre grupe kryesore. I pari është refugjatët, që do të thotë njerëz të detyruar të ikin nga vendi i tyre për shkak të konflikteve, luftës apo persekutimit. Në vitin 2018, numri i refugjatëve arriti 25.9 milionë në mbarë botën, 500.000 më shumë se në vitin 2017. Në këtë total përfshihen 5.5 milionë refugjatë palestinezë që janë nën kujdesin e Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara.

Grupi i dytë është azilkërkuesit – njerëzit jashtë vendit të tyre të origjinës dhe që marrin mbrojtje ndërkombëtare, por në pritje të rezultatit të kërkesës së tyre për statusin e refugjatit. Në fund të vitit 2018 ka pasur 3.5 milionë azilkërkues në nivel global.

Grupi i tretë dhe më i madh, në 41.3 milionë, janë njerëz të zhvendosur në zona të tjera brenda vendit të tyre, një kategori që zakonisht quhet si persona të zhvendosur brenda vendit.