Ballina Lajme nacionale Dialogun me Serbinë mund ta udhëheq vetëm presidenti Thaçi

Dialogun me Serbinë mund ta udhëheq vetëm presidenti Thaçi

5
SHPËRNDAJE

Pas vendimit kushtetues, dialogun me Serbinë mund ta udhëheq vetëm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sot e ka shpallur antikushtetues Ekipin Negociator për bisedime me Serbinë.

Pas kërkesës së dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për rishikimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Dialogun, përkatësisht për themelimin e Ekipit Negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë, Gjykata Kushtetuese, sot ka vlerësuar se ky ekip është antikushtetues dhe jo kompetent për udhëheqjen e dialogut dhe marrjen e vendimeve.

Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, pajtohet edhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka.

Smaka në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se Ekipi Negociator i Kosovës ka qenë i panevojshëm pasi që sipas tij, Kushtetuta e parasheh qartë se kush ka kompetenca.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se është presidenti i vendit ai i cili obligohet që të udhëheq politikat e jashtme shtetëtrore e në këtë rast edhe me dialogun.

“Ky ekip ka qenë krejtësisht i panevojshëm vetëm i dobishëm për të marrë para të mira nga buxheti i mjerë i Kosovës. E kemi Kushtetutën që s’ka nevojë për kurrëfarë platforme. Në Kushtetutë janë parimet fundamentale të sistmetmit politik, kushtetutar, e të rendit juridik të Kosovës. Tash aty dalin disa analista dhe krijojnë njëfar opinioni, më pastaj reflektohet deri në Kuvend. Në vendin tonë, sipas Kushtetutës në fuqi e cila na obligon deshtëm apo nuk deshtëm, presidenti i vendit është shefi i shtetit dhe është i autorizuar ekskluzivisht për udhëheqjen e politikës së jashtme. E tash negociatat janë politika të jashtme. Prandaj presidenti është ai i cili i autorizuar automatikisht sipas Kushtetutës, funksionin që e ka për t’i udhëhequr politikat e jashtme”, ka deklaruar Smaka për lajmi.net.

Smaka po ashtu theksoi se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese u vërtetua se Ekipi Negociator nuk ka pasur as vlera politike e as juridike.

“Gjykata Kushtetuese shpeshherë deri tash ka dështuar që ka miratuar akte në harmoni me politikat ditore, por në këtë rats ka vepruar mjaft mirë sepse e ka interpretuar saktësisht Kushtetutën. E tash këto që i kanë bërë këta, del se këta apo ky ekip, ishin inkopetent dhe nuk kanë vlera as politike e as juridike. Nuk kanë mpakte as afekte juridike e as politike”, ka deklaruar Smaka.

Sipas tij, i vetmi përfitim që ka pasur Ekipi Negociator ka qenë përfitimi i buxhetit të shtetit.

“Sa i përket politikave të jashtme, kryeministri konsultohet me presidentin. Prandaj çështja është shumë e qartë, ekipi edhe ta marrim anën tjetër të medaljes, shteti serb nuk ka ngritur ekipi, kurse ne po. Edhe shkuan disa në Bruksel dhe me kënd u takuan ballë për ballë, me askënd. Do me thënë janë sorollatur nëpër hotele super luksoze nga kostoja e buxhetit”, u shpreh Smaka.

Në anën tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj, ka deklaruar për lajmi.net, se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe themelimi i Ekipit Negociator është për shkak të kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi që sipas tij, Haradinaj, nuk ka marrë përgjegjësi mbi vete për udhëheqjen e dialogut.

“Ky është çmimi që po paguhet për shkak të vendimit të Haradinjat për mos me e marrë mbi vete dialogun por me ia lënë kompetencë Hashim Thaçit dhe pastaj përpjekjet e tij që nëpërmjet një delegacioni të ashtuquajtur shtetëror me e la veten. Edhe kjo është rezultat i joseriozitetit të kryeministrit edhe një qasje po ashtu joserioze të shtetit të Kosovës i cili konsideronte se nëpërmjet kësaj mënyre të funksionimit mund të shkojë tutje në dialog edhe që konsiderohej se ishte me qasje shtetëror edhe pse ishte vetëm një qasje qeveritare”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ai po ashtu ka thënë për lajmi.net, se këto situata krijojnë një imazh jashtëzakonisht të keq për Kosovën.

“Tash për tash ky delegacion është antikushtetues nuk ka bazë juridike të funksionimit. E vetmja bazë e këtij delegacioni mbetet rezoluta e Kuvendit të Kosovës, mirëpo ne e dimë që rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk ka efekt juridik. Është një trupë e krijuar qysh në fillim me idenë që të dështoj edhe është një tregues se si shteti i Kosovës dinë të ndërmarrë veprime të tilla joserioze që dështojnë në fund dhe krijon një imazh jashtëzakonisht të keq karshi partnerëve tash në bisedime, qoftë edhe çështjeve tjera”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net.

Edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetues ishte ashtu edhe siç pritej. Pra sipas tij, delegacioni shtetëror ishte antikushtetues qysh në fillim mirëpo, tani këtë e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Këtë vendim, Murati e ka cilësuar si lajm të mirë dhe ka treguar se tani kompetencat i takojnë vetëm presidentit Hashim Thaçi.

“Lajmi i mirë nga Gjykata Kushtetuese vjen edhe për kompetencat e Presidentit, që për këtë proces po i kufizon si “konsultuese”. Pra, nuk ka shoë nga një njëri i vetëm”, u shpreh Murati.

Sipas tij, në tërë këtë çështje, humbësi më i madh është kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

“Fituesi edhe humbësi më i madh këtu del Kryeministri/Qeveria. Në një anë, Qeveria është e vetmja që mund të udhëheqë me dialogun, sepse është e vetmja me kompetenca ekzekutive. Në anën tjetër, Kryeministri as që është marrë me dialogun prej fillimit të mandatit e deri më tani. Me dialogun u morr indirekt, me vendosjen e taksës, e cila mandej shërbej si pretekst për të ndalur të gjithë procesin. Tash ose Qeveria duhet të mësoj ABC-në e dialogut nga fillimi, ose duhet të ndërmerren hapa tjerë të cilët do të mundësonin që dialogu të rikthehej në rrugën e duhur”, deklaroi Murati.

Kujtojmë se Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë, ishte themeluar në dhjetor të vitit të kaluar, ku deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën edhe anëtarët e këtij ekipi.

Me 59 vota për, dy abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rezolutën për Ekipin Negociator me Serbinë, të propozuar nga PSD-ja.

Që nga ajo kohë, ky ekip kishte zhvilluar tre takime në Bruksel mirëpo, vetëm një herë ishte takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politika të jashtme, Federica Mogherini.

Duhet theksuar, se edhe Qeveria e Kosovës për Ekipin Negociator të Kosovës kishte ndarë buxhet prej 300 mijë eurove.