Ballina Lajme nacionale Dialogu Prishtinë-Beograd, a u hoqën pengesat me abrogimin e “reciprocitetit”?

Dialogu Prishtinë-Beograd, a u hoqën pengesat me abrogimin e “reciprocitetit”?

36
SHPËRNDAJE

Me heqjen e të ashtuquajturës masë të reciprocitetit nga ana e qeverisë së re të Kosovës, reaguan SHBA dhe BE, pasi sipas tyre u hoqën pengesat për dialogun Kosovë-Serbi. Realisht, janë hequr pretendimet që Beogradi nxori pas vendosjes së taksës 100% nga ana e qeverisë Haradinaj dhe reciprocitetit që vendosi qeveria e Albin Kurtit.

Sot edhe Presidenti Hashim Thaҫi deklaroi që nuk ka pengesa dhe shpreson se dialogu do të nisë brenda këtij viti. Megjithatë, për këtë ende nuk ka një garanci, pasi ka disa pengesa përpara.

Në radhë të parë: Serbia është në proces elektoral për të zgjedhur parlamentin e ri. Pas 2 javësh Serbia zhvillon zgjedhjet, të cilat do të japin një drejtim politik të situatës, dhe ende nuk ka një garanci politike se cila forcë është në favor të “lëshimit” të Kosovës.

Deri tani vetëm liberaldemokratët e Ҫedomir Ivanoviҫit janë partia properëndimore dhe që përkrah një mbyllje të hapur të ҫështjes së Kosovës.

Forcat e tjera si në të majtë edhe në të djathtë vijojnë ta përdorin Kosovën si “Jeruzalemi” i serbëve. Partia e Presidentit Vuҫiҫ, nëse do të marrë shumicën e plotë, mund të ketë dorë të lirë në proces, por ajo vijon të luajë herë me Perëndimin e herë me Moskën, duke mos vendosur një poizicion të qartë.

Nga ana tjetër edhe pozicionet mes SHBA dhe BE nuk janë aq të afërta dhe të dy palët kanë emëruar emisar dhe ekipe të veҫanta dialogu, ҫ’ka nuk premton për një “proces rrufe”.

Tjetër problem është qeveria e Kosovës, e cila është e brishtë në numrat që e mbështesin vetëm 61, ku 10 i takojnë Listës Serbe.

Ҫdo luhatje në politikën e ditës, Beograd, apo edhe politikën ndërkombëtare do të ҫonte në një përplasje mes forcave politike brenda qeverisë.

Të shtunën, sapo qeveria e Abdullah Hotit hoqi reciprocitetin, partia e dytë e qeverisë, AAK e Ramush Haradinajt foli kundër. Ekuilibri politik përballë një opozite reaktive si Vetëvendosja që dialogun e ka pjesë të kauzës së saj është i kërcënuar ҫdo moment.

Ndërkaq, edhe nëse administrata Trump i “vendos me forcë” në tryezë Beogradin e Prishtinën të firmosin një marrëveshje për njohje të ndërsjelltë, ҫ’ka flitet se mund ta bëjë Trump përpara zgjedhjeve të nëntorit, sërish do të duhen të ratifikohen në Parlamente dhe referendum në Serbi e Kosovë, që është mjaft proces i ndërlikuar.

Por para se të arrihet këtu, Donald Trump sot duket se ka një axhendë më të ndryshme në SHBA pas rastit të vrasjes së George Floyd nga një polic në Mineapolis.

Në vitin 2003, 4 vjet pas ҫlirimit të Kosovës, administrate Bush e shtyu këtë ҫështje pas hapjes së problemit të Irakut. Edhe pse e rëndësishme, ҫështja e Kosovës, nuk është aq e rëndësishme për politikën globale sat ë jetë fikse.

-----