Ballina Sport Dhimbje dhe trishtim, 2020-a viti i lamtumirës së legjendave

Dhimbje dhe trishtim, 2020-a viti i lamtumirës së legjendave

23
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------

Viti 2020 do të mbahet mend jo vetëm për ndryshimet e jashtëzakonshme që shkaktoi pandemia, por edhe për ndarjen nga jeta të tre prej sportistëve më të njohur të planetit, legjendës argjentinase të futbollit, Diego Armando Maradona, sulmuesit të njohur italian Paolo Rossi dhe basketbollistit të famshëm Kobe Bryant, dy të parët për shkak sëmundjesh dhe i fundit në një aksident ajror.

Futbolli humbi legjendën Diego Armando Maradona
Viti 2020 do të mbetet përjetësisht në kujtesë për ndarjen nga jetë të legjendës së futbollit botëror, Diego Armando Maradona. “El Pibe d’oro” mbylli përgjithmonë sytë më 25 nëntor, në shtëpinë e tij në San Andres, lagje në periferi të Buenos Airesit, për shkak të arrestit kardiak. Në fillim të nëntorit, Maradona (sapo kishte mbushur 60-vjeç) iu nënshtrua operacionit në kokë për të hequr mpiksjen e gjakut, por vetëm 21 ditë më vonë ndërroi jetë për shkak të problemeve me zemrën.

Diego Armando Maradona udhëhoqi Argjentinën drejt titullin kampione e botës në vitin 1986, ndërsa në karrierën me klube, shkëlqeu me fanellën e Napolit, ku fitoi dy tituj kampionë, një Kupë Italie, një Kupë UEFA dhe një Superkupë Italie. Bashkia e Napolit vendosi pak ditë më vonë që stadiumit të qytetit t’i japë emrin “Diego Armando Maradona”, në nderim të kujtimit të legjendës…

Italia vajtoi Paolo Rossin, heroin e Botwrorit 1982
2020-ta do të mbahet si një vit i zi për futbollin dhe jo vetëm. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme. Paolo konsiderohej idhull në Itali për shkak të atij Botërori të paharrueshëm. Ai sapo ishte kthyer nga një dënim, por u grumbullua në kombëtare dhe bëri atë, që askush nuk e mendonte.

Italia nuk ishte aspak pretendente, por në fund shkoi me Kupën në shtëpi dhe protagonisti kryesor ishte pa dyshim Rossi. Ai i shënoi një tregolësh të pabesueshëm ndaj Brazilit të mbushur plot me “yje” si dhe I realizoi Gjermanisë në finalen e fituar 3-1 nga të kaltrit. Pas tërheqjes nga futbolli Rossi u bë komentator shumë i zoti, duke punuar në televizione gjigante si Rai, Sky dhe Mediasset. Ai la tre fëmijë, Sofia Elenën, Maria Vittorian dhe Alessandron.

Aksidenti tragjik në “Los Angeles”, bota e sportit u pikëllua për “Black Mamba”-n
Sporti, në vitin 2020, para se të merrte goditje të njëpasnjëshme për shkak të pandemisë së Koronavirusit, u trondit në muajin janar nga një tragjedi që i mori jetën ikonës së basketbollit amerikan, Kobe Bryant. Legjenda 41-vjeçare e koshit, vajza e tij Gianna dhe 7 persona të tjerë ndërruan jete pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin humbi kuotë dhe u përplas në një kodër jo shumë larg Los Angelesit. Ky lajm tronditës pikëlloi veçanërisht dashamirësit e basketbollit, të cilët janë mrekulluar nga klasi që shfaqte “Black Mamba” mbi parket.

---- ----
-----