Ballina Arti Dëshmitë e rralla të ish-burgosurit: Si tentuan të më helmonin në burgun...

Dëshmitë e rralla të ish-burgosurit: Si tentuan të më helmonin në burgun e Tiranës, si Tuk Jakovën, pas pyetjeve që i bëra ambasadorit sovjetik

28
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Zef Dod Gjeloshaj

Publikohet historia e panjohur të familjes Gjeloshi nga Trieshi i Malit të Zi, nëpërmjet dëshmive të rralla të Zef Dod Gjeloshajt, njërit prej pinjollëve të saj, i cili në janarin e vitit 1950, pas konflikteve që familja e tij pati me regjimin titist, ku mbetën të vrarë disa djem të tyre si dhe ngjarjes kur familja Gjeloshi luftoi për disa orë kundra forcave ushtarake serbo-malazeze, pasi nuk pranoi ta dorzonte një oficer serb (nipi i Gjoko Mirashoviç, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ka dy buste në Mal të Zi), që u kishte kërkuar besë, ai u detyrua dhe u arratis nga Mali i Zi, duke ardhur në Shqipëri, si emigrant politik. “Stabilizmi” i Zefit në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante të izoluar rreth 800 shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare, të cilët për shkak të politikës diskriminuese të regjimit titist ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe krimeve të Rankoviçit ndaj tyre, ishin arratisur dhe kishin ardhur në Shqipëri.

Emërimi i Zefit si mësues në rrethin e Lushnjes ku në vitin 1951, Ministria e Punëve të Brendëshme e thirri në Tiranë, ku dy oficerët, Petrit Arbana dhe Vilson Pecani që  mbulonin emigracionin jugosllav në Shqipëri, e ngarkuan me një mision sekret, duke e dërguar në Jugosllavi së bashku me kolonelin serbo-malazez, Petër Bllazhoviç, i cili kishte braktisur funksionin e Shefit të UDB-së për Malin e Zi dhe kishte dalë në arrati. Çfarë detyrash kreu Zef Gjeloshaj në Jugosllavi, si përfundoi misioni sekret që i’u ngarkua nga Ministria e Brendëshme në Tiranë dhe përse ai u dënua me 15 vjet burg në Shqipëri, duke u akuzuar se me dorën e tij kishte vrarë kolonelin e UDB-së?! Të gjitha këto Zef Dodë Gjeloshaj i ka përshkruar me mjeshtëri në librin e tij, “Zëri i kujtimeve”, të botuar në vitin 2006, me parathënie nga shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, apo siç është njohur ndryshe, si: “Patriarku i letrave shqipe”.

 Parathënia e Dritëro Agollit në librin e Zef Dod Gjeloshaj

                                                   “Një libër që na vë në mendime”

Çdo njeri është një histori me vete, histori pune dhe lufte, miqësie dhe armiqësie, dashurije dhe urrejtje. Këto janë ngjarje të jetuara, janë përvoja të jetës dhe jetesës, që njerzit nuk i mbajnë për vete, por ua tregojnë shoku-shokut në fshat, në qytet, në shtëpi, në kafe dhe kudo.

Më të çmuarat nga këto histori, përhapen gojë më gojë dhe merren vesh nga një qark i gjerë njerzish. Megjithatë ato, kur nuk shkruhen, firojnë dhe humbin me vdekjen e atyre që i kanë treguar dhe atyre që i kanë dëgjuar. Prandja thuhet se e shkuara mbetet, sido që të shkruhet. Gjënë e shkruar, as uji nuk e mbyt, as zjarri nuk e djeg.

Zef Dod Gjeloshaj e ka këtë fat që i tregon dhe i shkruan ngjarjet e jetës së tij dhe për të tjerët që të mbeten të paharruara.

Njeri me përvojë të madhe jetësore dhe shumë të ndërlikuar, njeri që ka shkrirë përvojën me kulturën dhe nga kjo shkrirje, ka fituar mënçurinë. Ky njeri me emrin Zef Dod Gjeloshaj, na jep një libër të rrallë me kujtime nga jeta e tij, në marrëdhëniet me jetët e të tjerëve, të miqve dhe të kundërshtarëve të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, dhe mbi të gjitha, të atdhedashurisë dhe gjoja atdhedashurisë.

Në këtë libër kujtimesh ai kujton peripecitë e tij, që fare i ri drejt rrugës së të vërtetës, pasi në rini barazonte idealin me atdheun dhe këtë e quante të vërtetë. Ky konceptim i së vërtetës, pastaj i kushtoi shumë! Siç shkruan në kujtimet e tij, si arratiset nga trevat shqiptare të Malit të Zi, vjen me mall në Shqipëri, ku e bëjnë veprimtar të Informbyrosë, organizatës ndërkombëtare të udhëhequr nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, për triumfin e socializmit në botë.

Me këtë mision, i riu Zef, dërgohet përsëri në Jugosllavi për të mbledhur të dhëna që do të shërbenin për rrëzimin e Titos dhe regjimit të tij. Mos harrojmë se jemi në vitin 1951, kur Shqipëria kishte dy-tre vjet që ishte prishur me Jugosllavinë e Titos, si gjithjë Kampi Socialist, kur Zef Dodë Gjeloshaj ishte një djalë 20 vjeçar, sa unë, por ai në Informbyro, unë ende në gjimnaz në Gjirokastër.

I fortë ky Zefi.

Por unë nuk kam qëllim që të përsëris në këto shënime ato që janë në librin e Zef Dodë Gjeloshajt, unë dua të vërtetoj atë mendim, që përmënda pak më parë, se në rininë tonë ne barazonim idealin me atdheun! Kështu djaloshi Zef, mendonte se veprimtaria e tij në Informbyro, ishte punë atdhetare, ashtu siç e mendoja dhe unë. Veçse dua të them se Zefi, për këtë nocion historik, është treguar mjaft i mënçëm, për këtë le të citojmë një paragrah nga libri i tij, ku flitet për një takim të veprimtarëve të Informbyrosë, me Çuvahinin, ambasadorin sovjetik, dhe Mehmet Shehun, aty nga fundi i vitit 1951.

“Si për të zezën time, unë më i riu nga mosha, i’u drejtova me një pyetje gjeneralit, Çuvahin! “Shoku gjeneral, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Bolshevike, shoku Andre Vishinski, në një mbledhje të Kominternit, tha: ‘Titizmin do ta zhdukim, por Federatën Jugosllave do e ruajmë. Po qe kështu, ne shqiptarët nga Ulqini dhe Tivari, e deri në luginën e Vardarit, çfarë do të fitojmë”?!

Pa u menduar fare, Çuvahini tha: “Këtë e ka thënë shoku Stalin”. Gjeorgjiani tundi kokën në shenjë aprovimi, ndërsa Mehmet Shehu, i nevrikosur siç ishte nga natyra, m’u drejtua mua: “Ti nuk je çliruar akoma nga pikpamja nacionaliste borgjeze. Ti nuk e paske të qartë se në ç’shekull jetojmë”! “U shqetësova, por jo aq sa të mendoja se ato pyetje do të më kushtonin rëndë në fatin e jetës sime”

Zef Dodë Gjeloshaj me mjeshtëri në librin e tij i jep këto prita në rrjedhën e rrëfimit, prita që mundohen të pengojnë liqenin e dashurisë për atdheun. Megjithatë, për atdheun pikëllohesh, por nuk zemërohesh. Zefi siç e gjykoj unë, ka menduar në kohën e zhgënjimeve, se shteti nuk është gjithmonë atdhe.

Në rrëfimin për jetën e tij, Zef Dodë Gjeloishaj pa rënë në literaturizëm artificiale, e zotëron mirë mjeshtërinë e kurthit për të kapur lexuesin, zotëron atë që unë do ta quaja zëmbërek, si të orës për të mos mbetur pa kurdisur, me një fjalë, që ngjarja të shkojë përpara, që lexuesi të bëhet kurioz e të thotë: çfarë do të ndodh me tej?

Ai që në faqet e para të librit, kur tregon për jetën e tij si nxënës i gjimnazit të Pejës, thotë se e ndiqnin njerzit e Sigurimit jugosllav, ata të UDB-së. për këtë Zef Gjeloshaj shkruan:

“Filluan goditjet kundër meje në Gjakovë. Po arrija në përfundimin se nuk dija shumë. I shkreti Sokrat, përse nuk ma la një racion helm nga ai që piu vetë, kur e dënuan me vdekje për blasfemi, grupi i tiranëve të Athinës”?!

Dhe më tutje ndodhën shumë ngjarje, shumë peripeci, shumë dëshpërime dhe gëzime. Me një gjakftohtësi të çuditëshme, ai i jep ngjarjet tragjike, si ajo e helmimit në burgun e Tiranës,, por kjo është gjakftohtësi e revoltës, që thërret të burgosurit e tjerë: ruhuni ju, se mua më helmuan!

Libri i Zef Dodë Gjeloshajt, këtij njeriu që rrjedh nga një familje e madhe, fisnike dhe patriotike, tregon lindjen dhe pjekurinë e një njeriu.

Ky libër nuk është shkruar në formën e një kronologjie të mërzitëshme, por një lëvizje të çuditëshme brenda kronologjisë. Autori, fjala vjen, edhe kur ngjarjen e vendos në vitet ’50 të të shekullit të kaluar, ka ndërhyrje për ditët tona, edhe kur rrëfen për një vënd, ku ka shkuar, na kujton historinë e këtij vëndi.

Me librin e tij, Zef Dodë Gjeloshaj shquhet për një kulturë të gjerë letrare, filozofike dhe patriotike. Kjo e bën që t’i rrëfejë në libër me urtësi të veçantë ndhe me ndjenjë admiruese humane edhe ngjarjet më tragjike të jetës së tij.

Zef Dodë Gjeloshaj, me përvojën dhe kulturën e tij, e di se, përveçse shqiponjës së flamurit, të gjitha shqiponjat e tjera, bëjnë glasa…!

 Dritëro Agolli

13 dhjetor 2006   

                           Pasazhe nga libri “Zëri i kujtimeve”, i Zef Dodë Gjeloshaj

                                     “Do e kenë rezervuar dhe një birucë për ty”

Me kushëririn tim të dashur, profesor Nikoll Margilaj, unë nuk mbaja asnjë rezervë, pra, i tregoja çdo sekret të shpirtit. Një ditë, Nikolla më tha: “Ti je përplasur me gjeneral Çuhvahinin, je kundër platformës së Informbyrosë që ndjek edhe çështjen kombëtare shqiptare. E quan antikombëtare shprehjen dhe pozicionin që mban shteti shqiptar për artin dhe letërsinë “që është në përmbajtje socialiste dhe në formë nacionale”. Je grindur dhe mban qëndrim mospërfillës ndaj eprorëve. Përshpëritet se ke vrarë disa oficerë madhorë jugosllavë, si Petër Bozhoviçin, Radosh Zhivkoviçin etj. Vetëm njëra nga këto mjafton të të fusnin në burg dhe të dënojnë me masën më të rëndë”

“Për mua’, i thashë Nikollës, ‘nuk ka burg në Shqipëri”. Ndërsa Nikolla më tha: “Do e kene rezervuar edhe një birucë për ty”. Fjalët e Nikollës që e konsideroja si këshilltarin më të afërt dhe më të mënçur, më vunë në mendime. Mendoja se miqësia sovjeto-shqiptare manifestonte kulmet më të larta.

Më 15 nëntor 1952, arrin urdhëri nga Tirana: “Të vish në Tiranë për një problem me rëndësi”. Në stacionin e trenit në Tiranë, prisnin dy veta: I. A. nga Tragjasi i Vlorës dhe një nga Berati. Më bënë një përqafim prej “Jude”. “Keni një mbledhje shumjë sekrete. Na kanë ardhur edhe njerëz nga jashtë shtetit”, më thanë me dy fjalë qëllimin e thirrjes së ngutëshme. Më futën në Rrugën “Siri Kodra”,dhe në fund të kësaj rruge e drejt e në zyrën e oficerit të rojes së Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Qarkut të Tiranës. Pasi më kontrolluan me marifet për mbajtje arme, më thanë: “Në emër të popullit je i arrestuar” dhe më vunë prangat.

Unë në kulmin e zëmërimit, u thashë: “Do të përgjigjeni për këtë akt antiligjor dhe provokativ që po më bëni. Ju nuk respektoni as gjakun dhe as sakrificat supreme që kam bërë unë dhe familja ime për kombin dhe atdheun”.

Në qiellin e kaltër dhe pa re m’u duk se u errësua çdo gjë dhe se stuhitë e vjeshtës nuk kishin të mbaruar.

Me makinën përkatëse më çuan në burgun e vjetër dhe më groposën në birucën e vogël me nr. 48, – çimento poshtë, lart dhe anash. Kur u ambientova, më dukej se një dritëz e pakët hynte nga lart si nëpërmjet një oxhaku tymi. Dyshemeja prej çimentoje dhe betoni ishte e akullt dhe me lagështirë. Korridori i birucave, në formë “L”-je, ishte shumë i gjatë. Filloi hetuesia intensive. Nevzat Haznedari, i famshëmi Xhavit Struga dhe i përherëshmi Ferhat Matohiti, nuk më ndaheshin. Përdorën akuzat më qesharake. Një nga këto ishte me frymë agjitacioni e propaganda dhe, konkretisht: “Ti i ke thënë Bajram Gjonit se gazetat gënjejnë kur e quajnë Maliqin qytet”?! Kurse unë protestoja për absurditete të tilla, shto këtu edhe akuzën që më bënin se: “në x kohë ke shfaqur mendimin për t’u arratisur nga Shqipëria”, u thoja me bindje se në atë kohë për të cilën ju më akuzoni për tentativë arratisje, unë kam qenë jashtë Shqipërisë me detyra nga Informbyroja!

Kur hetuesia ngecte përballë fakteve të pakundërshtueshme, që u shtroja, ata si gomë shpëtimi përdornin akuzën: “E ke vrarë oficerin madhor, komunistin internacionalist Peter Bozhoviçin?”

“Jo”- u përgjigja unë, – në jetën time nuk kam vrarë as dhe një njeri, megjithse kam pasur dhe kam shumë haqe për të marrë. Dhe që më tepër nuk më ka shkuar kurrë ndër mënd, të vrasë kolegun e punës, Petër Bozhoviçin. Shfletoni mirë dëfterët se do të mësoni se Petër, është gjallë: gjithashtu mësoni dhe vëndëlindjen e tij.

Biruca nr. 48 ishte afër zyrave të Hetuesisë. Vetëm një biruc, ajo me numër 49 dhe dera më ndanin nga ato zyra. Në birucën 49, mësova se ishte një plak kosovar me mbiemrin Kabashi, për të cilin thoshin se kishte qenë xhandar në kohën e Zogut. Zyrat që ishin si “Uzinat” e Hetuesisë, punonin natë e ditë pa pushim. Nuk më mjaftonte biruca ime e vogël, “frigoriger”, i vetmuar plotësisht ku u dergja 10 muaj nën kërcënimin e urisë, duke mbajtur shpirtin me lëng bollguri që më jepte burgu, por torturë për mua ishin klthimat e shqiptarëve në “Uzinat” e Hetuesisë, mbi trupin e të cilëve eksperimentoheshin metodat e torturave të KGB-së ruse.

Arrestimi im mbahej sekret. Për këtë nuk dinte as njeriu im dhe as shokët. Specialistëve të këtyre bëmave, dukej sikur nuk i vinte për mbarë që të merrej vesh arrestimi i birit të familjes Gjeloshaj.

Nga fillimi i dimirit të vitit 1953, hetuesi e kreu punën e vet. Duket se krerët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, kishin arritur në përfundimin: “Zhdukjen time misterioze”, dhe për të justifikuar këtë, e kishin të gatëshme alibinë: “U vra në krye të detyrës”, madje mund të më shpallnin “Hero”.

Momenti arriti: Më dhanë helmin e vdekjes…!

Një natë me shi dhe me furtunë, kapterr Rexhepi, që ishte më i miri i nënoficerëve të burgut, më solli bollgurin. Kishte një shije të veçantë, por unë e hëngra pa bërë naze, prej urisë që është armiku më i tmerrshëm i të dënuarit. Pas një ore, më filluan rrahjet e zëmrës. Ndjeva dhimbje koke dhe pata marrje mëndsh, po më binte të fikët. E morra me mënd se më kishin helmuar dhe se donin të më zhduknin në mënyrë misterioze.

Para se të jepja shpirt, ashtu siç isha në vetmi, më shkoi ndërmënd që të jepja alarmin e vdekjes. I rashë fort derës dhe nisa që të thërrisja: “Dua të shkoj në banjë, jam me të vjella dhe me diare”?! Derën ma hapi i gjori Rexhep. Kur arrita në mesin e korridorit, i dhashë forcë vetës dhe bërtita duke dhënë alarmin dhe amanetin e fundit: “O njerëz të izoluar! Kush nga ju të dalë i gjallë nga këto qeli, ta mësojë se unë jam Zef Gjeloshaj. Amanet në emër të zotit, më lajmëroni nënën time, në Nikmarash të Trieshit, se unë djali i saj, po vdes në birucat e burgut të Tiranës, i helmuar nga shteti”.

Kapterrët më mbërthyen e më kthyen në birucë. Pa kaluar shumë minuta, ushtuan korridoret nga një turmë e panumërt oficerësh dhe gjeneralësh të Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Në këto momente, dalloheshin zërat e Xhavit Strugës dhe Nevzat Haznedarit, që bërtisnin me zë të lartë: “Nuk ka gjë, ka çështje nervore”.

Rreth dy orë më vonë, më vonë, më dërguan në spitalin qëndror të burgut, atje ku dha frymën e fundit, dijetari Mirash Ivanaj, Tuk Jakova, të cilin në dhomën e izolimit në burgut të Tiranës, “e vizitonte” shpesh, nipi i Mehmet Shehut, oficeri i Sigurimit të Shtetit, H. SH. Brenda pak kohësh, u ngritën nga gjumi, dhe u ndodhën te koka ime, të gjithë specialistët të Spitalit të Përgjithshëm, në mes të cilëve kujtoj, H. Papariston, Dr. Dibrën, dhe Dr. Petro Canin. Ashtu gjysëm i vdekur, filluan të më bënin lavazh me serum, etj. Mihallaq Ziçishti, gjeneral dhe zv / ministër i Punëve të Brendëshme, shoqëruar nga shkodrani Gani Kapisyzi, i përshpëriste doktorëve: “Duhet shpëtuar me çdo kusht, se ndryshe na ngeli dopiogjashta në dorë”!

Nuk i harroj, shërbimin dhe këshillat e oficerit madhor të Carit, ing. Aleksandër Badolski, që ishte i dënuar dhe i shtruar në këtë spital. Sapo fillova të kthjellohesha, më dërguan në një dhomë izolimi brenda në spital, e përshtatur si dhomë burgu.

Atje i vetmuar nuk mund të harroj kujdesin që tregoi për mua. Dr. Petro Cani. Morra vesh se në këtë periudhë, në birucat e Burgut të Ri, vranë në mënyrë misterioze, të shquarin Kol Maçi, të Hotit, në shtëpinë e të cilit, kishte ngrënë bukë disa herë Mehmet Shehu me suitën e tij.

Në dritaren e dhomës së izolimit, roja i karakollit të Burgut të Ri, vrau kosovarin Llukman Lutfiun, i cili i dërguar nga jashtë, ishte hedhur me parashutë në Shqipëri.

Në verën e vitit 1953, nga dhoma e izolimit më dërguan në një dhomë më të madhe. Sa morrën vesh se kush isha unë, banorët e birucave që kishin dëgjuar amanetin tim, m’u hodhën në qafë dhe më uruan për jetën time të dytë. Midis të tjerëve, më kujtohet Dr. i Teologjisë, Peshkopi Irene Banushi, dhe Allaman Hysa. Ireneu më dha ndërresat, pasi rrobat si shumë pjesë të trupit, më ishin kalbur në çimenton e ngrirë të birucës nr 48.

Mjaft të burgosurve, u vinte shumë keq për mua se isha njeri pa njeri dhe ishin në “garë” se kush të më ndihmonte me ndonjë ushqim, si Ireneu, Ymer Ndroqi, Beso Nishani, etj. Me Beson kishim një hetues të përbashkët, të specializuar, Ferhat Matohiti. Nuk ishte shaka të hetoje Beso Nishanin, se ai kishte qenë kolonel policie me akademi të kryer në Stamboll, (ishte vëllai i Presidentit, Omer Nishani)./Memorie.al

---- ----
----
----- ----
-----