Ballina Arti Dëshmia: Oficerët e Sigurimit, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që inskenuan dënimin tim

Dëshmia: Oficerët e Sigurimit, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që inskenuan dënimin tim

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Nazmi Berisha (Dyzi)

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qëndra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundëradmiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Shkrimet që publikohen nga Memorie.al, janë përzgjedhur nga libri i tij, ’20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës’ botuar nga Shtëpia Botuese “UEGEN”, Berat, 1995.

(Vijon nga numri i kaluar)

 “Purgatori” i Diktaturës

 –Gjykimi im i parë në Tiranë-

Në bazë të nenit 65 të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë, akuzohesha si “tradhëtar i popullit”, për veprën penale “të spiunazhit në dobi të Jugosllavisë e në dëm të Shqipërisë”. Një letër format e shtypur në makinë shkrimi. Një kob që, i konkretizuar në këta rreshta, e parashikonte dënimin tim nga 10 vite burg, deri në pushkatim. Në atë akt-akuzë qe shënuar data e gjyqit për mua dhe organi që do të më gjykonte, i cili ishte Kolegji i Gjykatës së Lartë Ushtarake të Shqipërisë në Tiranë. Kjo çudi ra si bombë në dhomën tonë dhe siç është e kuptueshme, u bë shkak për diskutime të shumta.

Llukmani, nuk rreshti së ngushëlluari – “Hajt, bre burrë, mos u tutë, ti je i ri dhe kësaj radhe nuk do të shqiptohet dënimi më i lartë se 15 vite, se…”! Mirpo fytyra e tradhëtonte.

“Vepër e Satanit”! – bërtiti aty buzë mbrëmjes xha Kosta.

Ashtu si pa u ndjerë, dora e Llukmanit ra mbi shpatullat e mia.

“Biro, pa ulu dhe rri pak me mua tani. Mos u brengos se për besën që është një, kurrë po kurrë, ama dënimi yt nuk shkon 20 vjet. Ashtu de, mbaje kokën lart dhe mos më rri në the të shtratit”.

A do të përmbysej bota po të pushkatohesha unë?! Jo. Atëherë duhej ta mblidhja veten dhe të qetësohesha. Asgjë nuk do të m’i gjente të dashurit e zemrës edhe pas perëndimit të yllit tim…!

Ja dhe dita e gjykimit. Tualeti shembullor i mëngjesit si për t’u bërë dhëndër. Madje i piva tabletat. Dukesha edhe më i freskët edhe pse moshën e kisha m’u n’ë pisk të freskisë. Rrugës nuk munguan këshillat e ftohta, që i’u ngjanin ujit të akullt mbi trup. Ja dhe salla. Publiku që unë mendoja se do ta mbushte përplot, përbëhej nga ushtarakë të veshur civilë. Cirkus, Parodi. Më zuri syri edhe dy dëshmitarët e mi, me duar të lidhura. Të zestë, m’u errën sytë. Njerëz edhe ata të pafatë.

Po lexohej akt-akuza ime. Gjykatësi Faik Minarolli, kishte marrë një pamje serioze. Në fytyrën e tij nuk shquhej asnjë fije dyshimi. Farsë, personazh i së cilës, padyshim ishte edhe gjyqtari, trupi gjykues, oficerët e veshur civil në sallë. Prokurori, anash, rrotullonte lapsin në dorë me nervozisëm. Edhe avokatët, ashtu si prokurori, ishin thjesht të pranishëm. Mes nesh qenë policët.

Të parin akuzuan Aliun, i cili paska ardhur në Shqipëri si spiun i Jugosllavisë për t’u lidhur me ‘Grupin e Teme Sejkos’. Po kështu edhe ne të dy. Sipas rradhës, Aliu u ngrit dhe e pranoi veprën e pabërë, duke pohuar se e kishte dërguar Çedo Topalloviçi, i cili pak para se të nisej, i paskej thënë që të takohet edhe me Nazmi Berishën. “U ngrita vrik në këmbë dhe pa më dhënë leje, protestova krejt i shqetësuar.

S’është e vërtetë, po rren or plak i nxirë.

Ndërkaq, Asaf Kondi, zëvëndës Prokuror i Shqipërisë, i cili urdhëroi pretencën tonë, ai bëri me sy sekretares që të mos e shënonte reagimin tim.

Nuk ma bënë të gjatë. Drejt e në hetuesi. Dhe m’u sulën si bisha. Pyetjet kafshonin njëra tjetrën, duke filluar me ato psetë e famshme e të spërkatura me pështymë dhe duke më mbështjellë të gjithin me qefinin e rrezikut. Nuk mjaftonin Shehu e Kraja dhe m’u përplas Shkëlzen Bajraktari s’di nga Tropoja a Kukësi?!

Pas stërmundimit, nuk më çuan në dhomë, por në birucë. Aty po ripërtëriheshin haluçinacionet e mia. Shoku i birucës m’u prezantua: Adem Kalaja nga Korça, ish oficer i Sigurimit, më vonë mësova se ishte dënuar me 15 vite burg për vjedhje, por Sigurimi e përdorte si armë të vetën, birucë më birucë. Gjëja më e parëndësishme në tërë këtë shtet të çuditshëm, ishte njeriu, qoftë ky edhe gjyqtari; i ziu trembej edhe nga sekretarja e vetë. Frika në këtë shtet, përhapej si rrathët që krijohen në ujë nga hedhja e gurit petashuq. Madje edhe Enver Hoxha, trembej nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët i pushkatonte një e nga dy, për çdo vit. Në Shqipëri të gjithë ishin gojë-duar-këmbë lidhur, ndonëse deklaroheshin të lirë.

… Jam i dërguar si spiun nga UDB-ja Jugosllave, me qëllim që ta përmbys pushtetin popullor në Shqipëri dhe ta ndihmoj kundërrevolucionin…! I përmbahem në tërësi deklaratës sime në Krujë, të cilën e kam dhënë pa presion dhe me vullnetin tim të lirë.

U ula në bangën e zezë të turpit dhe ndërgjegja e tërbuar ma kafshonte zemrën si një kafshë e panjohur. Më në fund tragjikomedia, para se të kishte pikën kulmore do të kishte pamjen e purgatorit. Atë rol do të luanin mjeranët avokat. Unë kërkova drejtësi. Gjykatësi – klloun me të tjerët dolën jashtë. Ndërkohë hyri Bilbil Klosi, I cili na vështroi të tre me sy përbuzës. Erdhi pastaj pika kulmore. Ali Zuka dhe Selim Xhakaj – me nga 18 vite burg. Nazmi Berisha – 12 vite. Prokurori kishte kërkuar dënimin e njëjtë për të tre, 25 vite burg të rëndë. Pra, s’qënkej shaka, gjykata në Shqipëri ishte e pavarur! Lojë e ndyrë me kavie – njerëz!

Pas dy muajsh në Spitalin Psiqiatrik, më kthyen në Burgun e vjetër të Tiranës, u takova sërish me Llukmanin me shokë, pas tre ditësh më çuan në dhomën Nr.3. Atje gjeta Petro Gaxhin, ish anëtar të Komitetit Qendror të PPSH-së, i lindur në fshatrat e Gjirokastrës. Ishte dënuar si pjesmarrës në Konferencën e Tiranës më 1956-ën. Kishte qenë në burgun e Sazanit, një ferr i vërtetë. Sa herë që hapej dera, paçka se mund të vinte ushqimi, Peçoja i ngratë dridhej i tëri, aq tmerr e qe kallur. Madje pas mbylljes së derës, ai donte një orë ta merrte veten. Ndjente torturë sidomos nga përdorimi i korentit elektrik. Ishte këtu edhe një djalosh Shkodran, me banim në Kavajë, mësues; quhej Pjetër Arbnori. Ky ishte dënuar si anëtar i ‘Organizatës Social-Demokrate të Shqipërisë’ në ilegalitet. Të atin, Filipin, e kishin pushkatuar në Korçë më 1945-ën si kundërshtar i regjimit komunist.

Në fillim Pjetrin e kishin dënuar me pushkatim, por nëna e Pjetrit kishte shkuar vetë tek Enver Hoxha dhe i pati thënë se: ‘burrin ma vratë, vajzën ma dënuat me 8 vite dhe ja tash po don të ma vrasësh djalin? A nuk ke pikën e dhembjes bre burrë, për një nënë që po e lë me duar në gji’? Pjetri nuk dinte gjë për këtë e, ndonëse i dënuar me pushkatim, ishte tepër i hareshëm dhe nuk e jepte veten. Dënimin, i’a zbritën në 25 vite.

Shënime nga shtëpia e të vdekurve

-Në burgun e Burrelit- hera e parë

“Shënime nga Shtëpia e të vdekurve”, romani i Dostojevskit, për mua ishte ende i panjohur, kurse personazhet shqiptare të burgut të Burrelit ishin po ata, veçse të ç’vendosur në kohë, në truall e në klimë.

Gjithçka nis me lëvizjen e mallkuar të mëngjesit, pas një zgjimi të xhindosur, marramëndjes së hipjes në makina, hutimit në oborr, uturrimës së autoburgut. Afër meje ishte Todi Xoxo e Lutfi Sejko. Më tej edhe 60 të tjerë. Takova Shaban Bashën nga Peja, Sytki Hoxhën nga Gjakova, Halil Vukalin nga Plava dhe Beqir Sadikun nga Starova e Pogradecit. Brenda autoburgut të lidhur me prangat e gjermanit. I pari printe Qamil Mane, drejtor i të gjitha burgjeve të Shqipërisë, hipur në xhips dhe i shoqëruar nga disa oficerë. Burreli sikur nuk të hynte në sy. Sidomos kur e ndieje veten ashtu të lidhur me hekura. Muri rrethues ishte mbi tre metra i lartë, veç gurë e çimento. Mbi taracën e burgut, dy – tre ushtarë. Ne, aktorët, në këtë shtëpi të të vdekurve, duhej të luanim një akt të ri të tragjedisë sonë. Mes rreshtave hyri Asllan Uka, kapter nga fshatrat e Burrelit, një sy çakërr i padurueshëm. Po qarkullonte nën gojë fraza “Burrel, hyn e s’del!”

Një plak dikur qeshi me fjalët plot shkumë të kapterit. E rrahën të gjorin dhe së paku e sollën gjallë. Në orën pesë na zgjonin. Kjo vlente për shkuarjen në ËC, gjithnjë sipas një rënditjeje politike, së pari të huajt (që quheshim ne kosovarët) dhe pastaj revizionistët. Vinte pastaj koha e mëngjesit, të cilin gjithashtu e ndanin sipas kritereve politike. Pas ngrënies së mëngjesit, drekës dhe darkës, po me këtë rregull, apeli ishte një ritual çmendurak, një shpikje djallëzore qe bëhej tre herë në ditë. Netët! O zot! Netët edhe ato qenë një torturë më vete. Monotonia e burgut, e më ngushtë ajo e birucës, bën pjesë natyrshëm në torturat psikologjike.

Dimrin e parë në Burrel, vdiqën prej të ftohtit tre të burgosur. Lagështira e dhomave të burgut në Burrel, depërtonte gjer në palcë. Në këtë burg u njoha me Hulusi Spahiun e Luftës së Spanjës dhe kundërshtarin e ideve të Enver Hoxhës, gruaja e të cilit, qe internuar në Savër të Lushnjes. Nuk e harroj dot atë spanjolle që vinte shpesh në burg. Njoha në Burrel Pandi Kristun, ish “bashkëpuçistin” me Koçi Xoxen, që doli nga burgu në 1964-ën.

E vërteta e tromaksur

–Në burgun e Burrelit–

Ndonëse i ri në moshë, sëmundja, torturat dhe brenga e tmerrshme duket se më kishin nënshtruar. Tjetërkund rrihte e keqja, nuk mund ta duroja dot ashtu Burrelin e tmerreve njerëzore. Takimi i parë do të ishte me Qani Kalon, drejtorin e burgut (ardhur nga burgu i Shkodrës), qefli dhe masakrues i pëllumbave, ata qenë thembra e tij e Akilit. Burrelin, ky njeri e kishte bërë edhe më të zymtë edhe më të ashpër edhe më torturues.

Gjithkush prej nesh aty do të ndeshej me të vërtetën e pamohueshme. Dy ishin ato më të fuqishmet. Revolta e Spaçit dhe Kapllan Resuli! Patën dashur që të vërtetën ta mbërthejnë me pranga, por ajo s’mund të mbahet e lidhur ashtu.

Njohja e re për mua, Fadil Kokomani, ish student i shkëlqyer i Moskës, që i pati dhënë të drejtë Hrushovit për politikën e tij, e natyrisht duke denigruar udhëheqjen shqiptare. Ky së bashku me Vangjel Lezhon, Nuri Sallakun etj., patën tentuar të arratisen, sigurisht i kapën dhe ja ku gjendeshin pranë meje me nga 25 e 20 vite burgim. Fadil Kokomani qe në gjendje të vajtueshme në burg, e madje thoshin që kishte kaluar në çmendi. Por Sigurimit nuk i’a shkoje dot aq lehtë ujët nën rrogoz. Në çmendinën e Elbasanit, ku e dërguan për kurim, ai njihet me një vajzë dhe i’a beson rrëngun që po i luante Sigurimit. Mirpo aq duhej! Përfundon në Spaç, ku gjen Vangjelin. Këtu ai qe i pranishëm në një nga të vërtetat historike të pranguara, gjoja të harruara, ashtu të tromaksur, në Revoltën e Spaçit!

Katër shokë, djem të rinj, të dënuar me shumë vite për tentativë arratisje, nuk e lënë të shkojë në drejtori një shokun e tyre, pse e dinin ç’do ta gjejë. Vinë rojet dhe i sulmojnë këta djem, por këta të lidhur dorë për dore, nuk e japin të gjallë shokun e tyre. Vjen edhe një mori tjetër me policë për t’i detyruar që ta dorëzojnë shokun e tyre. Atëherë dalin dhe të burgosur të tjerë. Fillon një përleshje e vërtetë që as ish parë e as ish dëgjuar deri atëhere nëpër burgjet e Shqipërisë. Alarmohet Tirana, Mehmet Shehu, duke patur me vete Kadri Hazbiun, Llambi Ziçishtin dhe Feçorr Shehun, vjen vetë në burgun e Spaçit. Klithma e Feçor Shehut në oborrin e burgut, i ndihmuar prej megafonit, humbet si zë në shkretëtirë. Vijnë me parashuta njësi policore speciale dhe…, medet o Zot, kërcet pushka e dajaku! Organizatorët e kësaj kryengritjeje, katër djemtë e rinj, Hajri Pasha nga Vlora me banim në Elbasan, Skënder Daja nga Tirana, i rritur në jetimore, Zef Pali nga Durrësi dhe Dervish Bejko nga Starova e Pogradecit, i pushkatojnë mu në oborrin e burgut. I’a nisin rrahjet makabre nëpër biruca, korridore e dhoma, ku i gjetën të burgosurit. Me ditë, me javë, me muaj, njollat e gjakut në burgun e Spaçit nuk u hoqën. E pse thonë që në kampet e fashistëve ka qenë më keq?

Thua se gjithçka mbaroi me kaq?!

Duke hulumtuar situatën në Spaç, u gjend një letër, të cilën i’a kishin dërguar Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos: Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka. Kështu n’a u gjetën organizatorët e vërtetë të kryengritjes së të burgosurve në Spaç! A mund të kishte dënim tjetër përveç pushkatimit për ta? Byroja Politike e analizoi veprën e tyre dhe konkludoi se armiqtë e partisë e të popullit, të shkolluar në Bashkimin Sovjetik me frymën e Hrushovit, bash ata janë organizatorët e asaj që ndodhi në burgun e Spaçit. Dhe Sigurimi nuk e kishte të vështirë të gjente skuadrën e pushkatimit. Sigurisht, Byrosë Politike i’u bë edhe një raport për ç’ka ndodhi, por asnjë fjalë nuk u shkrua për ato që dhanë të dënuarit para tytave të armëve. Po këtë të vërtetë kur do ta mësojmë vallë?

Përshtypjeve të mia rreth të vërtetës së madhe, i shtohet edhe figura e Isuf Çelës nga Lushnja, i dënuar me vdekje dhe i “zbutur” si dënim me 25 vite. Qënkej dënuar sepse paskej marrë pjesë në organizimin e vrasjes së sekretarit politik të Myzeqesë. Dhe Mehmet Shehu për atë sekretar partie, vrau 60 vetë në Myzeqe, ashtu siç vrau 60 vetë në Mirditë për Bardhok Bibën!

Uran Kostreci nga Elbasani, i burgosur për arratisje e i dënuar me 15 vite burg, plus edhe 10 vite për agjitacion e propagandë gjatë dënimit. I ati qe dënuar si nacionalist dhe Urani qe shkolluar tinës. Nuk i duronte dot komunistët dhe sigurisht i konsideronte si tradhëtarë të kombit. Guximtar si Urani nuk kam njohur, kujtdo i dilte në mbrojtje para gjithfarë padrejtësie. Greva e urisë ishte arma e tij që zbrazej gjithmonë dhe ai dilte fitimtar. Shpresonte Urani se shpejt në Shqipëri, do të vendosej demokracia, se do të lejohej organizimi i partive politike dhe se do të gëzonim përkrahjen e Perëndimit. Uran Kostreci kishte shkruar “Epopeja e Karkalecave”, duke përqeshur kësisoj veprën e Shefqet Musarajt “Epopeja e Ballit Kombëtar”.

 Xhahilët

-Në Sanatorium dhe Spitalin e Tiranës-

Do ta provoja edhe një herë mbi trupin tim xhahilësinë e mjekëve pa ndërgjegje njerëzore, të spitaleve-burgje të Shqipërisë. Më dërgoi në duart e tyre ‘adenitis tubercular’ dhe arma e grevës së urisë, që aq shumë i trembte komunistët dhe komandat e burgjeve. Zemërimi i tyre ishte cinik dhe krejt i palavdishëm.

Kësaj radhe shkova në Sanatorium me Uran Kostrecin, por atë nuk e pranuan, kështu që kisha rastin të njihesha me miqtë e rinj të burgjeve. U njoha me Faik Dragushën nga Shkodra, mik i Fadil Hoxhës e bashkënxënës me të, i arrestuar si properëndimor. Ishte një demokrat i kulluar. Gjithashtu njoha një fshatar nga Kukësi, të cilin e patën torturuar duke e mbajtur në frigorifer, e kështu i kishin ‘dhuruar’ TBC, ndonëse ende i padënuar. Ishte në Sanatorium edhe një oficer, i dënuar ordiner, që tregonte se e kishte parë shtratin elektrik të Halim Xhelos (Koçiut) në burg. Quhej Niko e qe nga Gjirokastra. Njoha atje edhe një tridhjetvjeçar nga rrethi i Peshkopisë, i dënuar me 18 vite për gjoja tentativë arratisjeje. Hmm, gjatë hetuesisë, xhahilët antinjerëz ia kishin dëmtuar me korent testikulet dhe qe i sëmurë nga orkitisi.

Meqë ato ditë lexova se Fadil Hoxha dhe Asllan Fazliu në Kosovë kishin mbajtur fjalime në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës (fjalë të “Rilindjes” që i citonte “Zëri i Popullit”) u nxita t’ia shkruaja një letër Enver Hoxhës. A thua qe marramendje? Ndoshta, por ama brenda meje, shpirti i thyer e i pranguar i një patrioti shqiptar, nuk më linte të qetë, ndaj dhe i’a shpjegoja ç’isha e ç’kërkoja.

I mendova gjërat në detaj, do të përdorja edhe një herë grevën e urisë, derisa të bindesha që letra i kishte rënë në dorë kriminelit, gjithnjë duke shpresuar. Sepse shpresa është e fundit që vdes te njeriu! Dhe ja frytet, pas dy-tri ditësh, vjen një nga zëvëndësministrat e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, i veshur civil.

Hë more, ç’kemi? Po bën grevë urie, hë… E ç’kërkon?

I’u përgjigja për çka tanimë njihet.

Ashtu? Po ja, i kemi dërguar nja 30 kosovarë në Universitet! Sepse këtu plehu i Kosovës ka ardhur, kurse të mirët kanë ngelur atje!

Hmm…

E pashë fort në sy. E ç’t’i përgjigjesha atij xhahili?

Të nesërmen drejt e në Spitalin Nr. 2, (pavioni 7) dhoma e Psikiatrisë.

Ushqimi artificial. Greva kështu mori fund. E ndërkohë po vijonte eksperimenti me klinikën e patologjisë. Aty njoha Adem Karapicin, ish-futbollist i njohur i Shqipërisë dhe ish-trajner i Kombëtares pas luftës. Ademi kishte qenë shok klase me Enver Hoxhën në Korçë. Injeksionet e përziera me formulën B/12, i shihte edhe Ademi. Ato më shkaktonin të vjella, dhimbje kraharori.

Sërish në Sanatorium. Eksperimenti u kishte dalë me sukses. Shkruaji edhe njëherë atij dhe e sheh pastaj! Brenda meje klithte me kuje një shpirt i dërrmuar. Përmes përrenjve të lotëve të brendshme, e njoha Martin Cakun nga Mirdita, i dënuar me 10 vite për agjitacion e propogandë. Gjin Markun po nga Mirdita, ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe Komandant i Brigadës VII partizane, ish i fejuar i partizanes së njohur, Margarita Tutulani, e më pas burri i një malazezeje, babai i Svetllanës, ish-student i një akademie ushtarake në Bashkimin Sovjetik, ish i dekoruar nga Stalini, një komunist liberal i bindur, ithtar i komunizmit jugosllav, një mendjemadh i pandreqshëm. Të njihje Gjin Markun përmes përrenjve të dhimbjes tënde, ishte edhe një masakrim tjetër që i bëje vetes…

---- ----
----
-----
-----