Ballina Arti Dëshmia e të birit të Ndue Marashit: Si na shpëtoi Nexhmije Hoxha...

Dëshmia e të birit të Ndue Marashit: Si na shpëtoi Nexhmije Hoxha nga internimi, Enveri e ka dash babën

37
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas 45 vitesh?!

Dëshmia e rrallë e të birit të tij, 62 vjeçarit Xhovalin Marashi që banonon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon për herë të parë publikisht, të gjithë historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjian e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karierra e Ndues fillimisht në Kamzë e më pas në koopertativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autobulanca që ata njoftuam me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!

Rrëfimi i Xhovalinit edhe për miqësitë që kishte babai i tyre me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione më të ulta si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.

Si u realizua skema e ekzekutimit të Ndue Marashit, kush ishin njerzit që e sulmonin atë në Byronë Politike dhe ata që Sigurimi i Shtetit i angazhoi për eliminimin fizik të tij dhe përse i biri i tij, Xhovalini, e përjashton që ajo gjë është bërë me dijeninë e Enver Hoxhës, për të cilin shprehet se është një nga njerzit që e ka dashur shumë Nduen dhe ai së bashku me Nexhmijen dhe të birin e tyre, Ilirin, kanë bërë shumë për familjen Marashi, duke filluar nga…

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Zoti Xhovalin, pa dashur që të vëmë në dyshim dëshmitë tuaja, por si e shpjegoni ndihmën apo tolerimin po themi, që u bëri Nexhmije Hoxha familjes suaj, (pra atë që u dërgoi në Tapizë dhe jo në fshatrat e Lushnjes ku u kishin caktuar), kur dihen shumë raste me fakte konkrete, që Nexhmija i ka “fundosur” më keq ata që i kanë kërkuar ndihmë?!

As unë nuk dua që të vë në dyshim lidhur me sa thoni ju si gazetar për Nexhmije Hoxhën, por kjo që u thashë, pra që ajo priti në takim mamanë tonë, Franceska me xhajën Zefin dhe na shpëtoi nga internimi, duke na dërguar në Tapizë dhe aty jo si  të internuar, por si dëbim, është një fakt i ditur tashmë. Këtë mund ta vërtetojë si xhaja jonë, Zefi, që jeton ende në Tiranë, po ashtu dhe familja e Nexhmije Hoxhës, Iliri me Teutën, të cilët gjithashtu e mbajnë mënd miqësinë që ata kishin me familjen tonë, si dhe se sa shumë e ka dashur Enver Hoxha, babën tonë, Ndue Marashi, të cilin nuk e thërriste me emër, por i thoshte: “Ku je besniku i Partisë”. Madje jo vetëm kaq, por nga sa morrëm vesh më vonë, eliminimin fizik të babait tonë, pra vrasjen e tij, fillimisht ishte menduar që ta publikonin si “vrasje aksidentale”!

Si vrasje aksidentale…?!

Do e paraqisnin, duke thënë se: “i shkrepi arma, duke e pastruar”, siç e kanë  bërë edhe me të tjerë persona, që ai regjim i eliminonte fizikisht. (Ju personalisht si gazetar e dini mirë, por kjo gjë dihet nga të gjithë tashmë se është bërë publike, se si shkroi Mehmet Shehu te letra që la pas vdekjes të cilën i’a dërgonte Enver Hoxhës, duke thënë: “Manipuloni, e thoni që i plasi arma në duar…”), Por ato plane, pra që “Ndue Marashit i shkrepi arma aksidentalisht…”, ua “dogji” mamaja jonë, Franceska, e cila sapo morri vesh vrasjen e babait, i akuzoi për vrasës dhe kjo ishte edhe një arsye më shumë, që atë dhe mua nuk na lanë që të futeshim brenda në shtëpi ku ndodhej trupi i pajetë i babait, në një kohë që lanë vëllanë tim, Vlashin, tre vjet më i vogël! Veç këtyre sa ju thashë, pra që mund t’i dëshmojnë fare mirë xhaja Zef Marashi dhe familja Hoxha, për këtë gjë mund të dëshmonte fare mirë dhe Besnik Nallbani, ish-sekretari i Këshillit Popullor të Lagjes sonë, (të cilët ne si familje e kishim shumë mik), por që fatkeqësisht ai ka ndërruar jetë në Tiranë para dy ditëve, nga Covid 19, dhe nëse më lejoni, gjej rastin nëpërmjet kësaj interviste që t’i shpreh ngushëllimet e mija familjes Nallbani, të cilët na janë gjendur ne në kohët më të vështira.

Para se të merrej vendimi që ju si familje të shkonit në Tapizë, ato ditë, ç’ndodhte në shtëpinë, tuaj, a vinte njeri për t’ju ngushëlluar, nga të afërmit, apo miqtë dhe shokët që kishte pasur babai juaj?

Në varrimin e babait, mundën të vinin edhe disa të afërm tanët dhe miq të tjerë, malsorë nga Dukagjini (Malësia e Shkodrës), por disa të tjerë nuk arritën dot varrimin për shkak të largësisë dhe mbërritën vetëm në darkë, ku ne si familje u shtruam darkën sipas zakonit, për t’i nderuar ata burra që kishin marrë atë rrugë të largët dhe kishin ardhur aty për të na nderuar ne, duke mos marrë parasysh edhe problemet që mund të kishin më pas. Në atë darkë ishim afro 40 veta, por pasi u larguan një pjesë e të ardhurve, aty mbetën rreth 25 burra, malsorë nga zona e Dukagjinit, ku pjesa më e madhe e tyre ishin pothuaj të panjohur për ne dhe të gjithë ishin shumë të irrituar për atë që kishte ndodhur me babën tonë. Madje, disa prej tyre kishin edhe armë me vete, (të fshehura në rrobat e trupit) dhe ne të gjithë në bisedat që bënim, kush e kush të fliste më parë, duke kujtuar babanë, Nduen dhe se si ai i kishte ndihmuar e përkrahur ata në periudha të ndryshme kohe. Aty në shtëpinë tonë u krijua një situatë e tillë, saqë e them pa e ekzagjeruar aspak, se ata prisnin që dikush nga të familjes, apo kushdo tjetër, të thoshte një fjalë, e ata do dilnin për të marrë hak, e për të dhënë jetën për Ndue Marashin. Pati prej tyre që e shprehën hapur atë gjë para mamasë sonë, por Franceska u tregua shumë e matur dhe duke i falenderuar fillimisht ata që kishin ardhur nga larg, me shumë takt e urtësi u tha: “Ju lutem shkoni në shtëpitë tuaja, pasi ne nuk do bëjmë luftë me qeverinë dhe kemi besim se kjo gjë do të sqarohet, e do të zgjidhet gjithçka”.

Si reaguan ata pas kësaj?

Ato fjalë të mamasë, duket se i bindën ata dhe kështu u eleminua një ngjarje që do kishte pasoja tejet të rënda, jo vetëm për ata njerëz fisnik dhe trima, por edhe për familjen tonë. Por që të jemi i saktë deri në fund, dua t’u sqaroj se, mamaja jonë, Franceska, nuk është se i bënte nga trimëria apo nga tronditja shpirtërore ato veprime, pra kur akuzonte ata të Ministrisë së Punëve të Brendëshme si “vrasës” të babait, apo kur u thoshte miqve tanë malsorë nga Dukagjini, se “do zgjidhet kjo punë”, etj., por ajo besonte se ne, pra babai, Ndue Marashi dhe gjithë familja jonë, ishim besnik të Partisë dhe ajo që na kishte ndodhur, pra vrasja e babait, ishte vepër e armiqve të Partisë. Madje siç u thashë nga fillimi i kësaj interviste, mamaja e ka pasur këtë mendim deri sa mbylli sytë. Jo vetëm mamaja, por edhe ne si familje, jemi përsëri të këtij mendimi, pasi s’kish asnjë arsye Enver Hoxha të eliminonte apo të miratonte vrasjen e babait tonë, kur ne ata na kishin ndihmuar dhe na kishin ofruar miqësi familjare. Babanë tonë, e eliminoi fizikisht klani i Manush Myftiut, Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, (me anë të “mashës” së tyre, Nustret Dautajt) dhe ata i’a kanë paraqitur Enverit, sikur: “Ndue Marashi ishte armik i popullit”, etj., gjë të cilat erdhën pas përplasjes që babai pati me ta në Plenum që u bë disa kohë para asaj ngjarje, ku babai s’pranoi të ndryshonte shifrat se sa kv. grurë dhe sa kv. misër për hektar merrnin kooperativat buqësore të rrethit të Tiranës, ku ata për qëllimet e tyre (nga frika etj.), gënjenin Plenumn dhe Enver Hoxhën.

Po njerëz me funksione partiake e shtetërore, a ju erdhën për ngushëllim në ditët pas varrimit?

Apsolutisht asnjeri nuk na erdhi  për ngushëllim, pasi u pa qartë se si ishte situata, kur nuk na erdhën as në varrim njerëzit e partisë dhe të pushtetit të asaj kohe me të cilët babai, kishte punuar prej vitesh.

Pas sa ditësh ju larguan nga shtëpia për t’ju dërguar në Tapizë?

Para se t’ju them për largimin tonë nga shtëpia për në Tapizë, e cila ndodhi punë ditësh, pra më pak se dhjetë ditë, vështirësitë e jetës dhe diskriminimi ynë, si: “fëmijët e armikut të popullit”, filloi që ato ditë, kur mua m’u kërkua që të shkoja në shkollë vetëm pas dy ditësh, (pra me datën 19 dhjetor 1975), duke ma bërë të qartë se në rast të kundërt, do të më përjashtonin nga shkolla. Kështu bashkë me vëllanë, Lulin, shkuam në shkollë, duke e lënë mamanë vetëm në shtëpi. Nuk e harroj se të jem gjallë, se ndërsa isha ulur te vëndi im, (por tashmë vetëm), vinte mësuesja dhe me ton urdhërues, më thoshte të mos rrija pranë dritares, por të gjeja vënd tjetër nga fillimi i bankave, gjoja se kishin frikë se unë do hidhesha nga dritarja e katit të tretë ku kishim klasën, që më pas ata të thonin se: “Ja… këta si familje, e kanë në gen që bëjnë vetëvrasje”!

Drejtuesit e shkollës si u sollën me ju?

Ditën e tretë, ndërsa pas pushimit të madh e gjithë shkolla ishte rreshtuar në oborr gati për t’u futur në klasa, erdhi drejtoresha e shkollës, (Melo Dodbiba, gruaja e ministrit të Bujqësisë, Pirro Dodbiba), e cila në prani të gjithë nxënësve dhe mësuesve që ishin aty, më tha: “Ti…, largohu nga shkolla, se ju do të internoheni, jeni armiq të popullit”.

A reaguat ju?

Unë nuk fola asnjë fjalë dhe ato që tha ajo më ranë si bombë, pasi nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Por fati im, që në atë kohë erdhi një mësues tjetër, Bashkim Shijaku, (mik i familjes sonë), i cili m’u afrua e më tha: “Lini, mos u mërzit” dhe pasi e shikoj gjithë inat drejtoreshën e shkollës, më përqafoi mua me shumë përmallim. Ajo gjë shkaktoi habi tek të gjithë nxënësit e shkollës që ishin të rreshtuar aty, të cilët më shikonin me shumë keqardhje dhe ishin gati të më përqafonin të gjithë, ashtu si mësues Bashkimi. Pas kësaj, një shoku im i fëmijrisë, Engjëllë Lamçe, (i biri i ish-drejtorit të Agjensisë Telegrafike Shqiptare në atë kohë), erdhi dhe më përcolli deri tek dera e shtëpisë. S’ja harroj kurrë atij njeriu që fatkeqësisht s’jeton më, por po ashtu, nuk mund t’ja harroj dot as drejtoreshës Melo Dodbiba, e cila vetëm pas tre-katër muajsh, në prillin e vitit 1975, pësoi të nëjtin fat si dhe ne! Madje më keq, pasi ata i internuan në fshatin Llakatund të Vlorës, ku burri i saj, Pirro Dodbiba, që deri në atë moment kishte qenë Ministër i Bujqësisë, Deputet i Kuvendit Popullor, kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, etj., punoi si llogaritar i thjeshtë i koopertivës bujqësore të atij fshati, ku kishte shumë të internuar të tjerë.

Të kthehemi tek vajtja juaj në Tapizë, si e kujtoni?

Kujtoj se në datën 26 dhjetor, ne kemi qenë me banim në Tapizë, ku na përgatitën një apartament shpejt e shpejt dhe ngjitur me ne, sollën dhe xhajën tonë, Zef Marashi me gjithë familje, pasi më parë e kishin përjashtuar nga Partia dhe hequr nga puna. Tre ditë pasi kemi shkuar aty, pra më datën 29 dhjetor, unë me xhaxhanë, Zefin, kam filluar punë në bujqësi, duke hapur kanale. Nuk më detyroi njeri që të dilja në punë, pasi mund të vazhdoja edhe shkollën, por nevoja e ngutshme familjare, pasi ne kemi shkuar në Tapizë duke mos pasur asnjë lek për të blerë edhe bukë thatë. Lekët e fundit që kishim ne, ishin ato që mamaja shiti dy palët e këpucëve për të paguar shpenzimet e varrimit të babait dhe asnjë lek tjetër. Pra, kjo ishte e gjithë pasuria jonë si familje e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputetit të Kuvendit Popullor, një besniku të verbër të Partisë dhe Enver Hoxhës, i cili që në moshën 15 vjeçare kishte marrë teserën e PPSH-së, (si askush tjetër në historinë e asaj Partie), që gjithë jetën punoi me ndershmëri.

A mund të na e përshkruani se si e përballuat fillimisht atë gjëndje të vështirë, jo vetëm nga ana ekonomike, pasi siç thatë, ishit pa asnjë të ardhur, por edhe shpirtërisht. Pasi nga komoditetet që u jepte statusi i babait, si njeriu që qeveriste Tiranës, deputet, e funksione e detyra të tjera (me vilë, makinë në dispozicion, njerëz që u shërbenin, etj.), tashmë një familje në një fshat në periferi të rrethit të Tiranës, pa asnjë të ardhur, duke punuar në punë bujqësie, për të nxjerrë bukën e gojës…?!

Për hir të së vërtetës, po u them se ka qenë një tmerr që nuk gjej fjalë të përshkruaj. Ditët e para kur ne nuk kishim asnjë lek në shtëpi, erdhi tezja jonë, Tereza, që na solli ca lekë për të shtyrë disa ditë. Një diskriminim në të gjithë kuptimin e kësaj fjale, në mënyrën se si u trajtuam. Më të rëndë nga ne e kishte mamaja, Franceska, vetëm 34 vjeçe, ndërsa unë 17, e vëllai Luli, pa mbushur 15 vjeç. Diskriminim i papërshkruar, pasi na jepnin vetëm gjysmën e rrogës, sepse pjesën tjetër na e mbanin për të paguar shumën perj 42.000 lekë (të vjetra) shpenzimet për rregullimin e vilës që kishte bërë Katina Starja, faturën e të cilës, siç u thashë, na e sollën ne, pasi ajo ishte ankuar, duke thënë se Ndue Marashi, kishte ndërruar ngjyrat origjinale që kishte pasur vila. Nisur nga të gjithë këto, pra nga terrori psikollogjik i paparë, si dhe nga gjëndja e vështirë shpirtërore që rëndohej edhe nga situate ekonomike, mamaja jonë, Franceska, kaloi në një gjëndje depresive dhe tentoi vetëvrasjen, duke pirë një grusht me ilaçe përnjëherë. Por fati e shpëtoi dhe ajo u përmënd pas tre ditësh qëndrimi në koma, pa ndihmën e ndonjë mjeku, sepse nuk e thërrisnim dot, pasi e dinim që s’na afrohej njeri.

Nisur nga ajo situatë ku ndodheshit, a u ankua mamaja me letra siç ndodhte në atë kohë, pra nuk i shkroi ndonjërit nga udhëheqja e lartë?

Nëna nuk i shkroi asnjeriu, pasi vetëm pas disa muajsh, aty në Tapizë erdhi Manush Myftiu dhe me disa nga ata që e shoqëronin, shkoi direkt aty ku po punonte mamaja jonë, Franceska dhe i’u drejtua, duke i thënë: “Hë moj… reaksionare, mirë je aty”? Dhe pasi mamaja nuk i ktheu fare përgjigjie, por vetëm e pa me inat e përçmim, ai vazhdoi: “Aty do ngordhësh, ti me këlysht e tu…”! Mamaja sigurisht që përsëri nuk reagoi, por na tregoi në shtëpi në darkë, se ishte bërë gati ta qëllonte me lopatë, por edhe fuqi nuk kishte, edhe kishte pasur hallin tonë, ku do na linte ne dy djemtë, pasi ta burgosnin atë?! Pas asaj situate ku ndodheshim, mamaja u sëmur rëndë dhe nuk e operonin, pasi asnjë mjek nuk guxonte ta merrte përsipër. Pas kësaj aty te shtëpia e tezes sonë, Martës, ku po qëndronte mamaja e sëmurë, na erdhi miku i shtëpisë sonë, Doktor Ali Kastrati, i cili i tha dajës tonë: “Franceska duhet të operohet urgjent, se ka tumor”. Pastaj me ndërhyrjen e hallës sonë, Dilës te Doktor Ilir Gjylbegu, (me të cilin kishte punuar vite me rardhë te sanatoriumi si kryeibfermiere), mamanë e operuan dhe ajo doli nga spitali vetëm pas një muaji. Tashmë ishte dobësuar dhe peshonte pak më shumë se 30 kg.

 

---- ----
----
-----
-----