Ballina Arti Dëshmia e rrallë e vajzës së ish-kolonelit të Zogut: Edhe pse isha...

Dëshmia e rrallë e vajzës së ish-kolonelit të Zogut: Edhe pse isha nën moshë, më arrestuan në ’46-ën dhe më mbajtën tetë muaj në hetuesi, ku më torturonin…

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Dema me origjinë nga fshati Homesh i Zerqanit të rrethit të Dibrës, ku një ndër burrat më në zë të saj, Dine Dema, që në periudhën e sundimit osman ishte shpallur armik nga Porta e Lartë e Stambollit dhe më pas së bashku me disa nga burrat e tjerë të asaj familje, morri pjesë në rezistencën ndaj forcave serbo-malazeze që mësynin herë pas here kufirin shqiptar deri në afërsi të rrethit të Dibrës. Dëshmia e Vera Demës, e bija e Hysni Demës, një nga djemtë e Dine Demës, i cili pasi studjoi në Vienë në një shkollë ushtarake dy-vjeçare, u kthye në Shqipëri dhe pas diplomimit në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, shërbeu me devotshmëri ndaj Mbretit Zog, duke qenë një nga oficerët më besnikë të tij me gradën e kolonelit.  Internimi i Hysni Demës në Itali pasi kundërshtoj agresionin ushtarak fashist italian ndaj Shqipërisë në prillin e vitit 1939 dhe më pas angazhimi i tij në rradhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme me detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare, që i’u ofrua nga ana e regjencës në periudhën e pushtimit gjerman të vendit. Arratisja e Hysniut në Greqi ku dhe ai vdiq në vitin 1951 në Kampin e Llavros-it ku qëndroi si azilant politik dhe persekutimi i egër i familjes së tij nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1991, kur ata u liruan nga internimi.

Nga Dashnor Kaloçi

“Sapo komunistët erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ata filluan hakmarrjen ndaj familjes sonë, duke na djegur sarajet dy katëshe me gati 20 dhoma të gjyshit tone, Dine Demës, që ndodheshin në fshatin Homesh të Zerqanit. Pasi shtëpia u shkatërrua e tëra, u arrestua dhe i pari i familjes sonë, Dine Dema, së bashku me Iljaz Demën, Demir Demën, Mynyr Demën, Sul Demën dhe Abdulla Demën. Pas kësaj forcat komuniste pushkatuan Dinen dhe Qemalin, ndërsa Iljazin, pasi e vranë, e hodhën në pus. Po kështu në fillimin e nëntorit të vitit 1944, forcat partizane të kryesuara nga Zija Kambo, erdhën në shtëpinë tonë që e kishim në Rrugën e Saraçëve në Tiranë dhe na nxorën jashtë vetëm me rrobat e trupit. Komandanti i partizanëve tha: ‘Mjaft e keni mbajtur ju të Hysni Demës këtë shtëpi. Që sot e tutje kjo do të jetë e jona, ndërsa ju shkoni ku të doni”. Kështu e kujtonte Vera Dema (Kuca), e bija e ish – komandantit të Xhandarmërisë së Tiranës, kolonel Hysni Demës, fillimin e persekutimit të familjes së saj nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, e cila rrëfen të gjithë kalvarin e vuajtjeve të familjes dhe fisit të saj, kalvar që zgjati nga viti 1945, deri në 1990-ën, me shëmbjen e atij regjimi.

Kush ishte Hysni Dema?

Një nga burrat më në zë të të familjes e Dema, ose siç njihej ndryshe dhe si një nga familjet më me emër të Dibrës, ishte Hysni Dema, i cili u lind në 17 maj të vitit 1898, në fshatin Homesh të Zerqanit, ku prej vitesh ndodheshin dhe sarajet e asaj familjeje të madhe. Hysniu ishte djali i dytë i Dine Demës, i cili ishte shpallur armik nga Porta e Lartë e Stambollit dhe në sajë të miqësisë që Hajredin Dema kishte dhe në pjesën e Dibrës së Madhe, ai e dërgoi djalin e tij Hysniun, për të mësuar në shkollat turke, ku ai mundi të shkollohej në vitet 1905-1912. Pas vitit 1912, Hysniu erdhi në Tiranë, ku mësoi dhe gjuhën shqipe e më pas u rikthye në Homesh, ku babai i tij Hajredini, po merrte pjesë në rezistencën ndaj forcave serbo-malazeze. Nisur nga ajo situatë në të cilën u ndodh familja e tyre, në moshën 15 vjeçare, Hysniu u detyrua që të bashkohej në luftë me të atin për të mbrojtur kufijtë nga sulmet serbe dhe bullgare. Në vitin 1916, Hysni Dema, u dërgua për të kryer studimet ushtarake në Vienë të Austrisë. Pas mbarimit të kësaj shkolle që zgjati afro dy vite, Hysni Dema do të vazhdonte dhe disa specializime të tjera të profileve të ndryshme ushtarake, të cilat do t’i përfundonte me rezultate të larta në vitin 1918. Pas përfundimit të këtyre shkollave, ai u rikthye në Tiranë për të përfunduar Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, e cila drejtohej nga italiani Rudolfi dhe pas mbarimit të kësaj shkolle, në nëntorin e vitit 1919, me vendim qeverie, Hysniut, i’u dha grada e togerit dhe u caktua të shërbente në Ushtrinë Shqiptare.

Në mbështetje të Zogut

Karriera ushtarake e Hysni Demës erdhi në rritje dhe ai si oficer spikati shumë pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku Hysniu u bë një nga mbështetësit kryesorë të ministrit të Punëve të Brëndshme, Ahmet Zogut, i cili në krye të forcave të tij u angazhua në mbrojtje të atij kongresi. Lidhur me këtë, e bija e tij, Vera Dema (Kuca) dëshmonte: “Një ndikim të madh në karrierën ushtarake të babait tonë, patën dhe ngjarjet e marsit të vitit 1920, ku Ministri i Brëndshëm, Ahmet Zogu, ndërmorri një inkursion ushtarak në mbrojtje të kufijve verilindorë nga provokacionet jugosllave. Në këto inkursione mori pjesë dhe babai ynë, Hysniu, të cilit i’u bashkuan dhe qindra vullnetarë dibranë të armatosur. Në atë periudhë forcat e komanduara nga Hysni Dema, zhvilluan luftime të ashpra në zonën e Gollobordës në Dibër dhe në Kolesjan të Kukësit. Vetë Hysniu luftoi për tre muaj me rradhë kundër forcave serbe që mësyen deri afër Drinit të Zi”, kujtonte e bija, Vera Dema, lidhur me fillimet e karrierës ushtarake të të atit, Hysni Demës dhe pjesmarrjen e tij në luftrat kundër forcave serbo-malazeze. Pas angazhimit në luftimet kundër forcave serbe në prefekturën e Dibrës dhe aftësive drejtuese të tij si oficer, emri i Hysniut u bë i famshëm në të gjitha qarqet ushtarake të vendit. Nisur nga kjo në vitin 1921, ai u caktua sërisht në krye të disa njësive ushtarake që shkuan për të shtypur rebelimin e të ashtuquajturës “Krahina Autonome e Mirditës” e kryesuar nga Gjon Marka Gjoni. Në këtë fushatë, Hysni Dema, bashkëpunoi me Ali Riza Kolonjën dhe për suksesin e arritur në ato operacione ushtarake, ai u gradua si ‘kapiten e dytë’ dhe pati privilegje të tjera në jetën ushtarake, ndërsa ministri i Brëndshëm, Ahmet Zogu, e emëroi atë në funksionin e Qark-Komandantit të Dibrës. Në këtë periudhë emri i Hysni Demës, në qarkun e Dibrës u bë i njohur edhe për një fakt tjetër, pasi ai u morr me shuarjen e gjaqeve dhe hasmërive të shumta në këtë krahinë. Detyrën e Qark-Komandantit të Dibrës, Dema do ta mbante deri në vitin 1924, kur forcat opozitare të udhëhequra nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, etj., u angazhuan në Lëvizjen e Qershorit, duke përmbysur qeverinë e kryesuar prej Shefqet Vërlacit. Në këtë kohë kur shumë nga miqtë e tij ikën në mërgim pas Zogut, Hysni Dema, nuk u arratis nga vendi, por qëndroi në arrati në male, duke u fshehur në zona të ndryshme të Dibrës. Nisur nga kjo situatë ku ndodhej, herë pas here ai pati përplasje të armatosura me forcat fanolistë të sapoardhura në pushtet, të cilat e kishin shpallur në kërkim Hysniun, së bashku me pjestarë të tjerë, të fisit të tij. Në dhjetor të vitit 1924, kur Zogu u rikthye në Shqipëri, familja Dema e kryesuar nga i pari i tyre, Hajredini, do të përkrahte ardhjen e tij, duke i siguruar rrugën për në Tiranë. Në shenjë mirënjohjeje, Zogu i dha Dine Demës gradën e majorit në rezerve, ndërsa Hysniun e emëroi në funksionin e zv / komandantit për Jugun e Shqipërisë. Duke qenë në këtë post, ai bashkëpunoi dhe me një pjesë të parisë së Çamërisë, duke i furnizuar ata me armë, para dhe veshëmbathje, për t’i ndihmuar nga dhuna e persekutimi i qarqeve shoviniste greke. Duke parë gjëndjen e mjeruar që po kalonte popullsia çame, sidomos në kufirin me Konispolin, ai nuk e çarmatosi popullsinë rurale të asaj zone, duke u’a lënë atyre armatimet për vetëmbrojtje. Për këtë fakt, ai gëzoi mirënjohjen dhe respektin e madh të asaj zone dhe në vitin 1928, Mbreti Zog, i dha dekoratën “Oficer i Urdhërit të Skëndërbeut”, duke e graduar si ‘kapiten të parë’. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, Hysni Dema së bashku me ushtarakët e tjerë, si Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, dhe Preng Previzi, i shërbeu me devotshmëri dhe besnikëri Mbretit Zog.

Internimi i Hysni Demës në Itali

Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja Dema njihej si një nga mbështetëset besnik të Mbretit Zog dhe në të gjitha ceremonitë e ndryshme që organizoheshin në Tiranë, familja Dema, ishte e ftuara e veçantë nga Oborri Mbretëror dhe ajo përfaqsohej kryesisht me Dine Demën, babain e Hysniut. Në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Dine Dema së bashku me Cen Elezin, organizuan forcat vullnetare të krahinës së tyre, dhe më 8 prill ata u nisën për të luftuar në Durrës. Po kështu edhe nënkolonel Hysni Dema mbajti një qëndrim të ashpër kundër pushtimit italian dhe për këtë shkak, ai u internua në Coliforito të Peruxhias në Itali, së bashku me shumë nacionalistë të tjerë që kundërshtuan dhe dolën hapur kundër agresionit ushtarak Italian ndaj Shqipërisë. Përpara se të internohej për në Itali, me dekret të veçantë të Francesko Jakomonit, (Mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli i Tretë) Hysni Dema u përjashtua nga Ushtria Kombëtare Shqiptare. Në këtë dekret të Jakomonit, midis të tjerash shkruhej: “Në virtyt të autoritetit që na është delegue, mbasi u pa Vendimi i Këshillit Disiplinor për Oficerët e Ushtrisë Shqiptare, me datën 8 gusht 1939, me të cilin nënkolonel Hysni Dema nuk ka ba betimin e besnikërisë së Sovranit August, e prandaj gjinden në internim, është kenë gjithnjë i deklaruem me mbajtë gradën e oficerit. Tue pa se prej akteve rezulton në mënyrë të pa dyshimtë e të provueme se Nën-Kolonel Hysni Dema, ka ba mungesa të rënda disiplinore e kundra nderit, për të cilat asht ba i padejshëm me majtë gradën si Oficer i Ushtrisë. Për këtë kemi dekretue humbjen e gradës së Nën-Kolonelit të Ushtrisë Mbretnore”. Tiranë, më 29 Gusht 1939. Francesko Jakomoni.

Në luftë kundër italianëve

Pasi u lirua nga internimi dhe u kthye në Shqipëri, Hysni Dema shkoi në fshatin e tij në Homesh dhe në fillimin e vitit 1943, mori kontakte me Cen Elezin, Muharrem Bajraktarin e Halil Alinë, dhe së bashku vendosën të mobilizonin vullnetarët dibranë në rezistencën kundra forcave pushtuese italiane. Në këtë kuadër, Hysniu vetë krijoi një çetë nacionaliste e cila zhvilloi disa luftime kundra forcave italiane, në zonën e Dibrës, Lumës, e deri në Lurë. Nisur nga autoriteti që gëzonte Hysni Dema në krerët e parisë së Dibrës, më 6 shtator të vitit 1943, ai mori pjesë në takimin e zhvilluar me krerët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë për Maqedoninë dhe ato të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, të përfaqsuar nga Sotir Vullkani dhe Esat Ndreu. Në këtë takim të zhvilluar në malet e Dibrës, bashkë me Hysni Demën morën pjesë dhe krerë të tjerë të parisë së Dibrës, si: Cen Elezi, Ali Maliqi, Xhevdet Kumbarçe, Ferik Maliqi, Sheh Aliu, Selim Troci, Muharrem Përvizi dhe Haziz e Sul Kaloshi. Aty u nënshkrua një marrveshje e përbashkët me forcat partizane komuniste, ku për një vit do të ndaloheshin të gjitha konfliktet dhe hasmëritë e ndryshme në të gjithë Prefekturën e Dibrës. Nga ai takim u zgjodh një shtab i përbashkët për kordinimin e veprimeve, ku Hysni Dema ishte ndër drejtuesit e tij. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Hysniu bashkëpunoi ngushtë dhe me nacionalistë të tjerë në viset shqiptare të Maqedonisë, si: Xhem Gostivari, Mefail Zajzi, Kadri Saliu, Aqif Reçani etj. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtatorin e vitit 1943, ashtu si shumë oficerë madhorë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, edhe Hysni Dema u thirr në Tiranë nga Regjenca e Lartë dhe pranoi detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare me gradën e kolonelit. Këtë funksion ai e mbajti deri në fundin e gushtit të vitit 1944, kur dha dorëheqjen së bashku me kryeministrin, Fiqëri Dine, (mikun e tij të ngushtë) pas djegjes së mëhallës së Kukajve në Tiranë. Pas dhënies së dorëheqjes, Hysni Dema, doli në male dhe qëndroi në arrati me disa nga nacionalistë të tjerë dhe në nëntorin e vitit 1944, së bashku me Muharrem Bajraktarin e Fiqëri Dinen, nga Shkodra ikën në malet e Dibrës dhe më pas prej aty u arratisën për në Greqi.

Masakra ndaj familjes Dema në Homesh

Pasi u arratis nga Shqipëria për në Greqi, Hysni Dema, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë u sistemuan në kampin e Llavros-it që ishte hapur në atë kohë me anglo-amerikanët për azilantët politikë që vinin në Greqi nga Shipëria dhe shtetet e tjera komuniste të Ballkanit dhe Evropës Lindore, si Bullgaria, Rumania, Polonia, etj. Ndërkohë që Hysniu qëndronte në kampet e Greqisë, ai kishte lënë familjen në Tiranë e cila banonte në rrugën e Saraçëve. Kjo familje përbëhej nga e shoqja dhe 5 fëmijët, Aliu, Vera, Sazani, Tefta dhe Rudina, e cila sapo kishte lindur. Përveç familjes së tij, ai kishte lënë në Homesh të Dibrës, edhe vëllezërit dhe motrat e tij. Lidhur me qëndrimin që mbajtën komunistët ndaj familjes Dema, e bija, Vera, kujtonte: “Sapo komunistët erdhën në pushtet në dhjetor të 1944, ata filluan hakmarrjen ndaj familjes sonë, duke na djegur sarajet dykatëshe me 20 dhoma të gjyshit tone, Dine Dema. Pas djegies së shtëpisë e cila u rrafshua nga komunistët, u arrestuan menjëherë të gjithë meshkujt e familjes, si: Dineja, Iljazi, Mynyri, Demiri, Sula dhe Abdullai. Ata i mbyllën në burgun e Peshkopisë nën masa të rrepta sigurie. Qerim dhe Ismail Dema u ekzekutuan menjëherë, ndërsa Iljazin, pasi e vranë, e hodhën në pus. Të burgosurit me në krye Dine Demën, u nxorën në gjyq dhe u dënuan të gjithë me vdekje. Një natë para ekzekutimit, Dineja, duke dashur të shpëtojë nga vdekja pjesën tjetër të burrave të fisit, vrau rrojen dhe shpërtheu burgun. Por gjatë arratisjes, ai nuk mundi që të ikte për shkak të moshës dhe u tha burrave të tjerë: ‘Ikni ju se unë e kam ngrënë kullotën time’. Por forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, i ndoqën dhe i vranë Dinen së bashku me dhëndrin e tij Rizvan Murrhjen dhe Halit Priftin, besnikun e tyre”, kujtonte Vera Dema, ngjarjen e largët të vitit 1945, kur regjimi komunist arrestoi, burgosi dhe pushkatoi disa nga burrat e familjes së Hysni Demës që asokohe ndodhej në kampin e Llavro-sit në Greqi.

Persekutimi i familjes Dema

Përpara se të ndodhte masakra ndaj familjes së Dine Demës në Homesh të Dibrës, pjesa tjetër e familjes që ndodhej në Tiranë, do të përballej me një trajtim ç’njerëzor nga ana e regjimit komunist që sapo kishte ardhur në pushtet. Lidhur me këtë, aspekt, Vera Dema, kujtonte: “Që në fillim të nëntorit kur Tirana nuk ishte çliruar ende, forcat partizane të komanduara nga Zija Kambo, erdhën në shtëpinë tonë në Rrugën e Saraçëve dhe na nxorën të gjithëve përjashta, vetëm me rrobat e trupit. Komandanti i tyre na tha që: ‘mjaft e keni mbajtur këtë shtëpi ju familja e Hysni Demës. Tani kjo na përket neve ndërsa ju shkoni ku të doni’. Unë së bashku me Aliun, Sazanin, dhe Rudinën, shkuam tek shtëpia e Shaqir Muçës, burrit të motrës sonë, Teftës. Aty qëndruam afro 6 muaj dhe më pas na internuan të gjithëve në Berat. Më 27 dhjetor të vitit 1946, mua më arrestuan, duke më fallsifikuar moshën, pasi isha e vogël dhe në bazë të ligjeve në fuqi, nuk lejohej të arrestohesha. Pasi më mbajtën tetë muaj në hetuesi, ku më torturonin duke më lidhur me litarë dhe duke më përplasur shkallëve, më dënuan me dy vjet burg. Ato tortura m’i bënin sepse donin t’u tregoja se ku ishte fshehur babai dhe kërkonin korespondencën e tij me klerikët katolikë të Shkodrës. Unë as që e dija se kujt i thonin klerikë. Pasi u lirova nga Berati, na sollën në Kamëz, tek kampi i internimit dhe pas kësaj na çuan në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku qëndruam deri në vitin 1954. Ndërkohë deri në vitin 1948, nënën së bashku me dy fëmijët e vegjël, i mbajtën të izoluar në kullën e kalasë së Krujës. Pas mbylljes së kampit të Tepelenës, neve na bashkuan si familje dhe na dërguan të internuan në fshatrat Plug, Gradishtë, Gjazë, Savër, etj., ku do të qëndronim deri sa u shemb regjimi komunist në vitin 1991”.e  përfundon rrëfimin e saj Vera Dema, e bija e kolonel Hysni Demës, (i cili vdiq në vitin 1951 në kampin e Llavrios në Greqi), lidhur me persekutimin e egër që i’u bë atyre për afro gjysëm shekulli nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

---- ----
-----