Ballina Arti Dëshmia e rrallë e ‘Kolonelit Bunker’: Kur ndërtoja tunelin anti-atomik poshtë vilës...

Dëshmia e rrallë e ‘Kolonelit Bunker’: Kur ndërtoja tunelin anti-atomik poshtë vilës së Enverit në ‘Bllok’, ai vinte shpesh për të parë punimet dhe më thoshte…

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonelit Josif Zegali me origjinë nga Myzeqeja, i cili fitoi një bursë nga qeveria e Mbretit Zog dhe shkoi në Itali, ku ndoqi studimet e larta në Institutin e Agrikulturës, pranë Universitetit “Antonio Zanneli” të Rexhio-Emilias. Kthimi i tij në atdhe për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ku bashkë me dy vëllezërit e tij dhe xhaxhanë, klerikun e njohur ortodoks, Papa Josif Zegali, dolën partizanë në rradhët e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut dhe në Brigadën 16 Sulmuese që u formua në Therepel të Skraparit, ku ata morën pjesë në të gjitha luftimet, deri në betejën për çlirimin e Tiranës, ku Josifi u takua për herë të parë me dy vëllezërit e tij partizanë, që familja dhe fshati i dinin të vrarë. Diplomimi i Josifit në Akademinë Ushtarake të Xhenjos “Kujbishev” në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960 ku ai doli me Medalje Ari dhe kthimi në atdhe, ku i’u dha grada e kolonelit kur ishte në moshën 33 vjeçare, duke u emëruar me detyrën e Shefit të Shtabit të Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Dëshmitë e Zegalit se si u ngarkua ai për ndërtimin e disa prej objekteve ushtarake më të rëndësishme të Shqipërisë komuniste, siç ishin Aeroporti i Gjadrit, Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit e Porto-Palermos, Uzinat e Armëve në Poliçan dhe Gramsh, etj., si dhe tre vend strehimet anti-atomike poshtë vilave të Mehmetit dhe Enverit në “Bllok”-un e udhëheqjes në Tiranë, ku pas mbarimit të tyre, ai u arrestua dhe u dënua si “bashkëpunëtor” me “Grupin puçist të Beqir Ballukut”, duke vuajtur vite me radhë në Burgun e Burrelit etj. Historia e rrëfyer prej Zegalit, “Kolonel Bunker”, që regjisori i njohur, Kujtim Çashku, e kthehu në filmin me të njëjtin emër…

Nga Dashnor Kaloçi

“Fortifikimi i Bllokut kishte filluar që nga vitet 1967 – ’68, kur Shqipëria po përgatitej të dilte dhe ‘de jure’ nga Traktati i Varshavës. Në fakt fortifikimi i tij kishte filluar që më përpara, aty nga 1959-ta, por në ato vite ai filloj të përfeksionohej sipas projekteve që u bënë nga njerëz tepër të besuar e në fshehtësinë më të madhe. Kështu u vendos që në “Bllok”-un e udhëheqjes të ndërtoheshin tre fortifikime kryesore antiatomike, që të përballonin çfardolloj goditje: Një për Enver Hoxhën, një për Mehmet Shehun dhe i treti i përbashkët për të gjithë antarët e Byrosë Politike e të Komitetit Qendror të PPSH-së që banonin brenda “Bllok”-ut. Strehimet fortifikuese të Enverit e Mehmetit, u ndërtuan poshtë vilave të tyre dhe Enveri shpesh herë zbriste shkallët e shtëpisë e vinte aty poshtë për të parë ecurinë e punimeve. “Kështu e kujtonte mes të tjerash koloneli në pension, Josif Zegali, ose i njohur ndryshe si “Kolonel Bunker” (për faktin se ka qenë një nga ushtarakët e lartë të armës së Xhenjos dhe drejtuesit kryesorë të fortifikimeve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore), fillimet e fortifikimit në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës dhe punën për strehimet anti-atomike për dy udhëheqësit kryesorë shtetit shqiptar të asaj kohe. Me një kujtesë, shëndet dhe energji që ndoshta nuk i “kuadronin” aspak me vitet që kishte mbi supe, pasi ishte intervistuar nga disa gazeta tepër të njohura dhe prestigjoze të Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve, pranoi të rrëfejë dhe për ne, duke treguar gjithë historinë e dramat e jetës së tij, që për shqiptarët, pak a shumë janë të njohura edhe nga puna e regjisorit të njohur, Kujtim Çashku, në filmin me të njëjtin titull, “Kolonel Bunker”.

Komunist me Gjin Markun në Berat që në 1942-in

Josif Zegali u lind në vitin 1926 në fshatin Mazhaj të Myzeqesë, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila në disa breza, ishte e njohur si një familje klerikësh ortodoksë. Pasi i vdes babai që kur ishte fare i vogël, ai rritet nën kujdesin e xhaxhait të tij, Papa Ilia Zegali, një nga klerikët e njohur ortodoksë të Myzeqesë. “Ne në shtëpinë tonë asokohe mbanim portretin e Mbretit Zog dhe flamurin Kombëtar, jo vetëm se ishim familje me tradita patriotike, por sepse respektonim në radhë të parë simbolet e shtetit. Ndonëse ne ishim familje e besimit ortodoks, kishim në shtëpi shumë nga librat e Naim Frashërit e Gjergj Fishtës, të cilat unë i merrja me vete e i lexoja kur isha i vogël e shkoja me bagëti. Shumë nga këto, si “Bagëti e Bujqësi” e “Lahuta e Malsisë”, i lexoja me kënaqësi të madhe, sa edhe sot pjesën më të madhe të tyre mund ta them përmendësh”, kujtonte Zegali fëmirinë e tij dhe kohën e qeverisjes së Mbretit Zog, për të cilën thoshte se i është hedhur baltë padrejtësisht! Mbasi mbaroi mësimet e para në fshatin e tij të lindjes, Josifi shkoi në Berat në ‘Shkollën e Punës’ për degën Agrikulturë, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1942. Nisur nga rezultatet e larta, Lugotenenca italiane, i akordoi një bursë shtetërore, për në Institutin e Agrikulturës “Antonio Zanneli” në Rexhio-Emilija të Italisë.

“Ndonëse unë isha një nga pesë të parët që formuam celulën e parë komuniste të Beratit (më 12 shkurt 1942), së bashku me Kristo Isakun (“Hero i Popullit”) e Gjin Markun, përfitova atë bursë e u nisa drejt Italisë, në Institutin e Rexhio-Emiljas, ku nuk qëndrova më shumë se tre muaj”, kujton Zegali atë kohë, kur si shumë nga studentët e tjerë shqiptarë, idealistë e atdhetarë, braktisi studimet dhe u kthye në Shqipëri për të luftuar okupatorin fashist. Në janarin e 1943-it, Josifi ishte anëtar i njësiteve guerile të Myzeqesë dhe më pas në qershor të atij viti, ai inkuadrohet me detyra të ndryshme në çetën e Pezës, ku komandonin Myslim Peza dhe Mustafa Gjinishi, si komisar. Më pas, ai caktohet në Brigadën e 16 Sulmuese (partizane) që u formua në fshatin Therepel të Skraparit, e më pas në tetorin e 1944-ës dërgohet si oficer pranë misioneve të huaja aleate anglo-sovjeto – amerikane që ishin pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan të Enver Hoxhës, e qeverisë tij provizore në Berat.

Në Akademinë e Xhenjos “Kujbishev” të Bashkimit Sovjetik

Mbarimi i Luftës ose 28 nëntori i 1944-ës, e gjeti Zegalin oficer me gradën e togerit, duke udhëtuar për në Tiranë me makinat e misioneve aleate (anglo-sovjeto-amerikane) për të marrë pjesë në paradën madhështore që u bë atë ditë në kryeqytet përpara hotel “Dajti”-t. “Aty në ditën e çlirimit të Shqipërisë, takova dhe dy vëllezërit e mij partizanë (kuadro drejtues kompanie e batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të komanduar prej Mehmet Shehut e Tuk Jakovës), Kozmanë e Thimin, që kishim kohë pa u pare, dhe në familje e fshat, i dinin të vrarë”, kujtonte Zegali, duke shtuar se bashkë me ata të tre, kishte dalë partizan dhe kushurira e tyre e pare, e xhaxhai i tyre (që e kishin si baba) Papa Ilia Zegali, i cili u vra në luftë dhe më pas u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Pasi punoi pak kohë në BRASH, me rininë (organizata e Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë), me ndërhyrjen e Nako Spiros, Josifi caktohet në Divizionin Ushtarak të Korçës, ku u punoi si shef i personelit, deri në janarin e 1946-ës, kur u nis për studime në Bashkimin Sovjetik, pranë shkollës Inxhinierike Ushtarake.

Këtë shkollë të mesme, ai e mbaroi me rezultate të larta në qershorin e 1948-ës nga ku kthehet në Tiranë, si një nga kuadrot kryesorë të armës së Xhenjos, pranë Ministrisë Mbrojtjes. Pasi punoi për gati gjashtë vjet në degën e Xhenjos në Ministri, në vitin 1954, Josifi niset përsëri për studime në Bashkimin Sovjetik, pranë Akademisë Ushtarake “Vladimir Kujbishev” në Moskë, në degën e Inxhinierisë Ushtarake, të cilën ai e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, duke marrë dhe Medaljen e Artë në vitin 1960. Pas studimeve të Moskës, Zegali kthehet në Tiranë dhe merr gradën e Kolonelit, kur nuk ishte më shumë se 33 vjeç, duke u caktuar Shef i Shtabit të Xhenjos për gjithë Ushtrinë Shqiptare.

Ndërton Uzinat e armatimit të Poliçanit e Gramshit dhe Aeroportin e Gjadrit

Pas emërimit në atë funksion, kolonel Zegali caktohet me detyrën e ndërtimit të uzinave ushtarake në Poliçan e Gramsh, si dhe në disa objekte të tjera sekrete të rëndësisë të veçantë, që ishin në vartësinë e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Lidhur me këtë, Zegali kujtonte: “Në atë kohë që mora atë detyrë, shkova dhe pashë vendin ku do të fillonim ndërtimet. Aty në Poliçan, më erdhi kryeministri Mehmet Shehu i shoqëruar nga Shefi I Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumja, dhe prej aty pasi morëm pjesë në festën e çlirimit të Skraparit, ku Mehmeti denoncoi për herë të parë Hrushovin, shkuam fshatrave e maleve për në Gramsh, ku do të ndërtohej uzina ushtarake. Gjatë atyre vizitave, Mehmet Shehu më pyeti se për sa kohë do e ndërtoja unë Uzinën e Armëve të Poliçanit. Pasi i thashë afatin që ishte rreth katër vjet e gjysmë, ai mbeti i kënaqur. Në fakt ashtu ishte, ai objekt u ndërtua për aq kohë sa e parashikuam. Pas ndërtimit të këtyre uzinave, kam marrë pjesë si drejtuesi kryesor i punimeve në Bazën Ushtarake Ajrore të Gjadrit dhe atë Detare të Shëngjinit, të cilat i ndërtuam me ndihmën e madhe të inxhinierëve e specialistëve kinezë”, kujtonte Zegali ato vite kur punonte në dy nga veprat ushtarake më të mëdha e moderne të asaj kohe.

Lidhur me Aeroportin Ushtarak të Gjadrit ku ai ka pasur “nën hyqëm” mbi 55 inxhinierë e specialistë kinezë, pranon se ajo vepër ka kushtuar më shumë se Hidrocentrali i Fierzës. “Për ndërtimin e këtyre objekteve, kanë punuar me dhjetra specialistë, inxhinierë e ushtarakë shumë të talentuar dhe e them pa mburrje, se kemi bërë një punë të lavdërueshme, që vlen për t’u përgëzuar dhe sot. Atëhere ishte Lufta e Ftohtë dhe si të gjithë shtetet e tjera dhe ne ndërtuam fortifikatat tona mbrojtëse. Për harxhimet e koston e atyre objekteve, atëhere nuk shikohej shumë për të kursyer, sepse ato ishin objekte ushtarake dhe mbrojtja e atdheut konsiderohej si: “detyrë mbi të gjitha detyrat”. Kështu në një nga vizitat e mija asokohe në Kinë, bëmë një kontratë me palën kineze, ku unë kam firmosur një shifër maramëndëse hekuri të cilësisë së lartë, të cilën ata na e akorduan për ndërtimin e objekteve tona fortifikuese. Atëhere ne kemi bërë një punë kolosale dhe ato baza ushtarake ishin nga më modernet dhe fjala e fundit e shkencës se ushtrive që nuk u linin asgjë mangët bazave që kishin lindorët.

Realizimi i tyre, bëri që Shqipëria të ishte një nga vendet më të fortifikuara të botës”, thoshte koloneli në pension, dhe me modesti e gjysmë zëri, shtonte se asokohe për atë punë të mire, u propozua dhe për “Hero i Punës Socialiste” dhe Profesor në Shkencat Ushtarake, por që nuk arriti të marrë kurrë, sepse në vend të atyre titujve, ju dha titulli “armik i popullit” dhe përfundoi qelive të ftohta të burgjeve të Burrelit, e në galeritë e minierave. Po si ndodhi kjo gjë, ç`far kishte bërë inxhinieri e drejtuesi i talentuar i uzinave e veprave më të mëdha ushtarake të Shqipërisë që u shpall armik?

Fortifikon “Bllok”-un e udhëheqjes në Tiranë

Pas mbarimit të uzinave dhe veprave ushtarake, Zegali kthehet në Tiranë dhe caktohet si një nga drejtuesit kryesorë për fortifikimin e “Bllok”-ut të udhëheqjes. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Në fakt, fortifikimi i “Bllok”-ut kishte filluar që shumë vjet më përpara, por aty nga vitet 1966-‘67 ai filloj të perfeksionohet. Ndryshe nga bazat ushtarake të Gjadrit, Porto-Palermos e Shëngjinit, që u ndërtuan me ndihmën e kinezëve, fortifikimet e “Bllok”-ut në Tiranë, u ndërtuan pa ndihmën e dijeninë e tyre. Ajo gjë u projektua nga një numër tepër i kufizuar dhe i besuar njerëzish nga Instituti i Studimeve Ushtarake, e u ndërtua nga Xhenjo e Ushtrisë, ku unë isha njeriu i dytë që drejtoja aty, pas Mendu Backës që ishte zv/ministër i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-major, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, i goditur më pas si “puçist”.

Aty u vendos dhe filluan punimet në tre fortifikata kryesore: Njëra ishte e Enver Hoxhës, tjetra e Mehmet Shehut dhe e treta ishte për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe atyre të Komitetit Qendror të PPSH-së që jetonin brenda “Bllok”-ut. Strehimet fortifikuese të Enverit dhe Mehmetit, u ndërtuan poshtë vilave të tyre. Si ne drejtuesit e punimeve, ashtu dhe i gjithë personeli civil i punëtorëve, ishin të kontrolluar e miratuar i gjithi nga Sigurimi i Shtetit. Aty në ato strehime fortifikuese lokale, kryesisht punohej në ato periudha që Enveri e Mehmeti shkonin me pushime jashtë Tiranës, si në Dajt, Pogradec e Vlorë. Kjo gjë bëhej që ata të mos shqetësoheshin edhe nga zhurmat sado të vogla që ishin. Por, kishte dhe shumë raste, kur punimet vazhdonin edhe gjatë kohës që Enveri dhe Mehmeti ishin aty në vilat e tyre.

Kështu, shpesh herë Enveri zbriste shkallët e vilës tijë dhe vinte poshtë tek strehimi fortifikues, për të parë ecurinë e punimeve. Unë shpesh herë kam qenë prezent në ato vizita të tija dhe e kam shoqëruar e bashkëbiseduar me të brenda në ato vendstrehime fortifikuese. Ai të jepte përshtypjen e një udhëheqësi të madh dhe shumë babaxhan. Ai na pyeste për probleme të ndryshme dhe kurrë nuk na bënte vërejtje. Shpesh herë na thoshte: “Thumamëni se, ç`farë kërkesash keni, për ç`farë keni nevojë, sepse Partia do të j`u ndihmojë dhe do t`jua plotësojë të gjitha”. (Nga ato takime, ruaj këtë foto me ngjyra, që Enveri ma dërgoi më pas me Sulo Gradecin, ku ai është ulur në tavolinë dhe unë në këmbë, i veshur ushtarak me gradën e kolonelit, duke i shpjeguar për projektin e vend-strehimit poshtë vilës së tij).

Ato strehime që u ndërtuan në “Bllok” ishin shumë moderne për kohën, sa që nuk ju linin asgjë mangët dhe atyre të Evropës Lindore, e ndoshta ishin më cilësore se ato. Ato ishin me valvula antiatomike, që sapo të dëgjohej goditja, mbylleshin në mënyrë automatike. Për ndërtimin e atyre fortifikatave kryesore në “Bllok”, kishin dijeni vetëm një numër i kufizuar njerëzish. Aty nuk mund të guxonte të shkelte asnjeri nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, duke përjashtuar Mehmetin, Beqirin, Kadriun e Petrit Dumen. Përveç përvojës lindore të Kinës, Koresë së Veriut dhe Vietnamit, në ndërtimin e fortifikatave e vendstrehimeve që ndërtuam asokohe në “Bllok” e në periferinë e Tiranës, ne kishim dhe përvojën Perëndimore.

Kështu, unë shpesh herë kam shkuar në disa shtete Perëndimore, i dërguar direkt nga Mehmet Shehu ose Beqir Balluku, i maskuar gjoja me misione të ndryshme, por në të vërtetë, misioni im ishte për të vëzhguar e mbledhur përvojë dhe për të parë gjithçka nga teknika e realizimit të objekteve e strehimeve ushtarake që kishin këto vende”, kujtonte Zegali ato kohë dhe heshte pak. Po në ç´farë shtetesh perëndimore kishte shkuar, si ishte kamufluar, cilat ishin detyrat e dhëna nga Shehu e Balluku, si i realizonte ato udhëtime dhe ç`farë mundi që të mblidhte nga ato misione tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë?

Insistimit tonë për të ditur rreth këtyre misioneve edhe pse kanë kaluar shumë vite dhe është mbyllur kapitulli i Luftës së Ftohtë, koloneli në pension Josif Zegali, nuk pranonte “të jepte” më shumë?! “Ato ishin misione që kishin të bënin me sekrete ushtarake shtetërore dhe pavarësisht se ka kaluar një kohë e gjatë e kanë ndërruar sistemet politike, ato përsëri duhet të mbesin të tilla”, na thoshte Zegali dhe me takt ndërronte drejtimin e bisedës e dëshmive të tija, duke lënë të kuptohej, se ishte e kotë që ta “pickonim” përsëri në atë vend!

---- ----
----
----- ----
-----