Ballina Arti Dëshmia e rrallë e ish-të dërguarit të Partisë Komuniste Jugosllave në Shqipëri:...

Dëshmia e rrallë e ish-të dërguarit të Partisë Komuniste Jugosllave në Shqipëri: Çfarë na tha Tito, kur Miladin Popoviç në ’43-in propozoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon kujtimet e panjohura të Njaz Dizdareviç, ish kryetari i Rinisë Komuniste të Jugosllavisë për Bosnjë-Hercegovinën në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, i cili në vitin 1944 u dërgua nga Josif Broz Tito si emisar i tij në Shqipëri pranë Enver Hoxhës, si instruktor i ngarkuar me punët e rinisë dhe ushtrisë. Dëshmitë e rralla të misionarit të Titos të botuara në vitin 1988 në Jugosllavinë e asaj kohe, lidhur me ngjarjet kryesore të periudhës së ‘Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare’ në Shqipëri ku ai ishte vetë dëshmitar, duke përgënjeshtruar Enver Hoxhën për ato që ai kishte shkruar në librin e tij, “Titistët: të botuar në vitin 1982 në Tiranë, siç ishte: pushkatimi i Ramize Gjebresë, Plenumi i Beratit, rolin e Enverit gjatë gjithë periudhës së Luftës, raportet e tij me misionarët jugosllavë dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, si Nako Spiro, Koci Xoxe, Sejfulla Malëshova etj.

Nga Dashnor Kaloçi

“Para së gjithash desha të them për Enver Hoxhën se është karakteristike për të që ato që shkruan në librin “Titistët”, nuk i përgjigjen së vërtetës dhe realitetit të kohës për të cilën bëhet fjalë. Kështu libri i tij mbështetet në fakte të përgjithshme, madje shumica nuk meritojnë t’u jepet një vëmendje dhe hapësirë e madhe. Ai shkruan gjatë për Pleniumin e Beratit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili është mbajtur në nëntor të vitit 1944. Enver Hoxha jo rastësisht ngatërron disa fakte, disa prej të cilëve të vërtetë dhe disa gjysëm të vërtetë. Kjo gjë është bërë për efekte propagandistike që i kanë shrëbyer atij për periudhën kur po shkruante librin. Ky Plenium i Dytë i K.Q. të PKSH-së në Berat, në librin e tij “Titistët” jepet si dëshmi kryesore e ndërhyrjes së jugosllavëve dhe Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Me anë të kësaj nëpërmjet vlersimeve të njëanëshme dhe fallsifikimeve janë ndërtuar akuza fallso në drejtimin tonë”.

Kështu shkruante ndërmjet të tjerash në kujtimet e tij, Njaz Dizdareviç, ish kryetari i Rinisë Komuniste të Jugosllavisë për Bosnjë-Hercegovinën në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas antar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave dhe pas Luftës (deri sa doli në pension) me detyra të tjera të larta partiake, i cili në vitin 1944 u dërgua nga Titua si emisar i tij në Shqipëri (instruktor për punët e rinisë dhe ushtrisë), pranë Enver Hoxhës, me anë të kujtimeve të tija hedh dritë mbi disa nga anët e errta të Luftës Nacionalçlirimtare dhe mardhëniet e të dërguarve të Titos me udhëheqjen e lartë të PKSH-së dhe personalisht, Komandantin e Përgjithshëm, gjeneral-kolonel Enver Hoxhën, të cilin e akuzon për mashtrime dhe fallsifikime që ai i ka bërë atyre ngjarjeve që Hoxha i shkroi në gjallje të tij. Kush ishte Enver Hoxha, cili ishte roli i tij dhe i krerëve të lartë të partisë Komuniste Shqiptare e atyre të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane gjatë viteve të Luftës në Shqipëri. Rreth këtyre pyetjeve hedh dritë në kujtimet e tija ish funksionari i lartë jugosllav dhe misionari i Titos Njaz Dizdareviç (vëllai i tij, Rauf Dizdareviç, ka qenë ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë para shpërbërjes së saj), kanë qenë i atashuar pranë udhëheqjes së lartë komuniste të partizanëve të Hoxhës.

Vijon nga numëri i kaluar

Ne e bindëm Nako Spiron dhe antarët e tjerë të K.Q. të PKSH-së që shkarkimi i tij do të ishte gabim, sidomos nëse do të kihej parasysh çlirimi i afërt i Shqipërisë dhe situata ndërkombëtare. Enver Hoxha nuk kujtonte p.sh., faktin që ai ju lut Stojniçit, ta ndihmonte për hartimin e referatit të Plenumit. Përderisa unë përktheva e di që për disa netë u ulëm me Enver Hoxhën dhe ndonjëherë, ai na u lut që disa pjesë të referatit t`i shkruanin ne. Bëhej fjalë për më tepër për atë pjesë të referatit në të cilën flitej për strategjinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe fazën përfundimtare, për Frontin Antifashist, organizatat e masave, rolin e tyre dhe veçanërisht për organizimin e shtetit dhe të ushtrisë. Këto sigurisht nuk ishin idetë tona personale, por frut i eksperiencës së Luftës tonë Nacionalçlirimtare. (Ne nga Visi kishim sjellë materiale për organizimin e njësive të mëdha ushtarake, komitetin kombëtar, frontin, organizatën e gruas. Të gjitha këto i parashtronte udhëheqëja shqiptare.)

Nëse kujtesa nuk më tradhëton, nga ditari duket qartë se ne më shumë insistuam në zgjerimin e lëvizjes kundër sektarizmit i cili ishte shumë i pranishëm në kuadër të ndërtimit të pushtetit revolucionar etj. Për të gjitha këto Enver Hoxha nuk thotë asnjë fjalë, pasi nuk do sepse kështu do të hidhej në erë e gjithë puna e tij, për të argumentuar “ndëryrjen e jugosllavëve”, në punët e brendshme të Shqipërisë, ashtu sikurse dhe akuza se i gjithë sulmi si para dhe pas Plenumit të Beratit, ishte drejtuar kundër PKSH-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm”, kujton Njaz Dizdareviç, lidhur me ngjarjet e Plenumit të Beratit, duke përgënjeshtruar Enver Hoxhën, i cili në veprat e tija dhe sidomos në librin “Titistët” ka akuzuar misionin jugosllav që mori pjesë në atë mbledhje, sikur kishin dashur ta hiqnin Enverin nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së.

“Pse nuk e hoqëm Enverin në Berat”?

Lidhur me ngjarjet e Plenumit të Beratit dhe arsyet se përse antarët e Byrosë Politike donin t’a hiqnin Enver Hoxhën nga kreu i Partisë dhe këmbnguljen e jugosllavëve, për ta mbajtur Enverin në atë post, Njaz Dizdareviç përsëri kujton: “Në rastin konkret me tërheqjen nga Shqipëria të Dushan Mugoshës dhe të Miladin Popoviçit, misioni ynë e braktisi përfundimisht praktikën e identifikimit si “më të mëdhenj”, gjë që solli mosmarrveshje midis nesh dhe disa individëve në udhëheqjen shqiptare. Kjo ra më shumë në sy në Berat, në veprimet për të hequr Enver Hoxhën. Megjithë lutjet e shokëve shqiptarë që ne të insistonim ne heqjen e Enverit, ne, në vend që të përziheshim në punët e tyre, u kërkuam që ata t’i zgjidhnin vetë problemet e tyre në lidhje me udhëheqjen. Për këtë dëshmon dhe ky fakt në ditarin tim: Nako Spiro tani thotë kështu: Ju jugosllavët me Miladinin dhe Dushanin, jeni përzier në punët tona të brendshme atëhere kur nuk duhej, ndërsa tani që duhet ta bëni këtë, “jepni ndihmë nga larg”. Tani duhet të vijë ndonjë që të ketë fuqi të plota për të rregulluar gjithçka’.

Ky pohim i Nakos erdhi në fund të një diskutimi ku na kërkoi me këmbëngulje që ne të vendoseshim në krahun e atyre që donin ta hiqnin Enver Hoxhën. Ndoshta ky mund të ketë qenë dhe një motiv që pas çlirimit, e orientoi Nakon si ministër të bashkëpunimit më shumë me rusët, duke u përpjekur që të pengonte bashkëpunimin ekonomik shqiptaro-jugosllav. Ne nuk mund t`jua plotësonim kërkesën shokëve shqiptarë që të bashkoheshim me ata që kërkonin të hiqnin Enver Hoxhën, sepse nuk ishte detyra e misionit tonë ajo gjë. Misioni ynë e kishte të qartë detyrën që i ishte ngarkuar. Ai duhet të bashkëpunonte me shokët shqiptarë në luftë kundër forcave gjermane që ishin në Shqipëri dhe pastaj bashkëpunimin deri në fitoren përfundimtare mbi fashizmin e çlirimin e Shqipërisë.

Në këtë kuadër ne duhet të jepnim të gjithë eksperiencën tonë në udhëheqjen shqiptare duke pasur parasysh dhe qëndrimet e fuqive të mëdha ndaj Shqipërisë si dhe regaimin e reaksionit shqiptar. Por nga ana tjetër, nuk mund të fsheh se duke patur parasysh ndikimin e mosmarrveshjeve midis dy vendeve dhe popujve tanë në historinë e tyre, gëzohesha pasi mendoja se po hapej një faqe e re në këto marrdhënie, duke i vendosur në themele të shëndosha. Pse jo edhe bashkimin ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, deri sa kjo gjë ishte në dëshirën e popullit shqiptar. Veç të tjerash kjo gjë u bë më e theksuar kur filloi të shfaqej rreziku nga Greqia.

Në një raport që unë u dërgoja asokohe K.Q. të PKJ-së, ju shkruaja: kudo që shkojmë, ata fare hapur na shprehin dëshirën e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë në një federatë. Për këtë ndikon dhe urrejtja ndaj anglezëve dhe amerikanëve që ata e manifestojnë hapur. Tremben se mos Anglia bën me Shqipërinë atë që bëri me Greqinë”, kujton Njaz Dizdareviç, lidhur me këmbënguljen e Nako Spiros në Plenumin e Beratit, i cili I kërkonte misionit jugosllav, të insistonte në heqjen e Enver Hoxhës dhe propagandën e madhe projugosllave që kishte bërë në popull Partia Komuniste Shqiptare, saqë njerëzit ju shprehnin hapur misionarëve të Titos, idenë e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, në një federatë të vetme.

Pse nuk zbarkuan anglezët në Sarandë?

Në kujtimet e tij, Njaz Dizdareviç, është ndalur edhe në problemin e çështjes së raporteve që kishte gjatë periudhës së Luftës, Ushtria Nacionalçlirimtare partizane e Enver Hoxhës, me britanikët. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, Dizdareviç ka shkruar: “Tani dhe një shembull lidhur me fshehjen e fakteve historike. Jo shumë kohë pas arritjes sonë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha erdhi te Velimir Stojniç. Në takimin në fshatin Odriçan, ishte ajo pjesë e Byrosë Politike që punonte aty. Ky ishte takimi ynë i parë me Byronë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Na treguan neve telegramin që u kishin dërguar anglezët.

Sipas këtij telegram, Shtabi i Përgjithshëm lajmërohej nga Komanda e Përgjithshme e Lindjes së Afërt, se kishte planifikuar që të desantonte në Sarandë, me mbështetjen e njësive të motorrizuara të brigadierit Çërçill. Tek anëtarët e Politbyrosë, dominonte një ndjenjë shqetësimi. Kjo lidhej me faktin se para disa ditësh disa avionë britanikë kishin hedhur trakte, ku njoftonin popullsinë se ushtritë aleate do të zbarkonin në Shqipëri, për të çliruar përfundimisht vendin nga gjermanët. Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Politibyrosë kërkuan këshilla nga ne se si duhej të vepronin. Ata shprehën shqetësimin, jo vetëm për desantimin në Sarandë, por edhe për zbarikimet në zonat e tjera si dhe për lidhjet e britanikëve me reaksionin e brendshëm.

Ata ishin të mendimit se, zbarkimi britanik do të krijonte një situatë të rrezikshme, sidomos në Jug, ku Lëvizja Nacionalçlirimtare ishte e fuqishme dhe zbarkimi britanik do të ishte një mbështetje për reaksionin në vend, gjë që e lidhnin edhe me presionin e Zervës nga Greqia, për pakicën greke që jetonte në Shqipërinë e Jugut, gjë që rrezikonte integritetin territorial të Shqipërisë. Dua të them se Stojniçi në atë takim dha vijën të cilën duhet të ndiqnin anëtarët e Shtabit në bisedime. Stojniç, platformën e këtyre bisedimeve, e mbështeti në qëndrimet e Shtabit tonë të Përgjithshëm, lidhur me një zbarkim të mundshëm në Dalmaci.

Dhe shumë nga këto pika ishin baza e marrëveshjeve që u bënë me aleatët për raste të ngjashme në fazën përfundimtare të çlirimit të Shqipërisë. Këmbëngulja e udhëheqjes shqiptare për pavarësi dhe dialog të barabartë me misionet aleate, ku sukseset më të mëdha të Ushtrisë Shqiptare ishin çlirimi i Tiranës dhe lufta në Veri, luajtën një rol të rëndësishëm për zhdukjen e mundësisë që për Shqipërinë të ofrohej një zgjidhje e njëjtë me atë të Greqisë, apo opsione të tjera, si pamundësia e ndryshimeve revolucionare apo shfrytëzimi i Shqipërisë si monedhë shkëmbimi për rregullimet e pasluftës. Kjo ishte metëvërtetë e rëndësishme, pasi Shqipëria sipas burimeve që njoh, nuk ka qenë objekt i diskutimeve të Stalinit dhe Çërçillit, për “sferën e influencës” në gadishullin Ballkanik.

Ajo për aleatët ishte një “zonë gri”, ku lufta do të vazhdonte dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Boterore. Dhe në këtë këndvështrim duhet vlersuar Lufta Nacionalçlirimtare në Jugosllavi si dhe bashkëpunimi i ngushtë i Shqipërisë me Jugosllavinë, në kuadër të luftës së aleatëve. Ky bashkëpunim i vlersuar nga aleatët ndikoi në shmangien e të gjitha lojrave për zhdukjen e e Shqipërisë apo mosneglizhimin e saj. (Edhe pas çlirimit, ka pasur përpjekje për organizimin e rezistencës kundër pushtetit). Këto lojra u luajtën duke shfrytëzuar atë që po ndodhte në Greqi, me përkrahjen e emigrantëve shqiptarë që në atë kohë ishin përqëndruar në Itali dhe sëfundi, me mbeturinat profashiste në Kosovë dhe Shqipërinë e Veriut”.

Tito: Kosova do i mbetet Jugosllavisë

Në kujtimet e tij, Njaz Dizdareviç, është ndalur gjatë edhe në problemin e çështje së Kosovës dhe si është trajtuar ajo që në periudhën e Luftës nga ana e udhëheqjes shqiptare, me në krye Enver Hoxhën dhe palës jugosllave që përfaqësohej nga misionarët e Titos në Shqipëri, që ishin atashuar pranë Partisë Komuniste Shqiptare dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, Dizdareviç ka shkruar: “Për Kosovën kemi folur shumë pak me udhëheqjen shqiptare. Nuk ishte e nevojshme pas, sepse që para ardhjes sonë, çdo gjë ishte sqaruar nga letërkëmbimet e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë me Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe me Miladin Popoviçin, por edhe pas vizitës në Shtabin e Përgjithshëm në Shqipëri, të Zvetozar Vukmanoviç Tempos.

Koloneli Stojniç, shefi i misionit tonë, ishte tek Tito në gusht të vitit 1944, kur ai priti dy anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtarë të Shqipërisë, Bedri Spahiu dhe Ramadan Çitaku. Tito atëhere, sipas rrëfimeve të Stojniçit, tha hapur se “as mund që të mendohet që Jugosllavia e re të humbasë territore, prandaj kosova detyrimisht duhej të mbetej pjesë e Jugosllavisë së re”. Me fjalë të tjera, po ajo që Tito u shkruante në fund të vitit 1943, Vukmanoviç Tempos në Maqedoni dhe Miladin Popoviçit. Tempos ai i shkruante: “Parrulla për bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me Shqipërinë sot, siç propozon Miladini si dhe ideja për shtrirjen e komandës së Shtabit të Përgjithshëm Shqiptar dhe në territorin e Kosovës, do të shfrytëzoheshin nga të gjithë armiqtë e Luftës Nacionalçlirimtare në Jugosllavi dhe gjithë klikat fashiste dhe reaksionare dhe ato që i ndjekin, për të kthyer hap pas hapi, luftën kundër okupatorit në një luftë me karakter nacionalist.

Në këtë kuptim, i shkruanim dhe shokut Miladin në Shqipëri. Duhet përmendur, se gjermanët pasi erdhën në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë, në vjeshtën e vitit 1943, krijuan një qeveri kuislinge, pushteti i së cilës vepronte edhe mbi Kosovë – Metohi, të cilën Italia pas pushtimit i’a aneksoi Shqipërisë në vitin 1941. Në thelb, ajo q ëmë kërkohej të siguroja lidhur me Kosovën, ishte të realizohej opsioni i Shtabit tonë të Përgjithshëm, i dërguar në fillim të shtatorit të vitit 1944, Shtabit të Përgjithshëm Shqiptar, që një pjesë e forcave të kalonte në Veri të Drinit për të bashkëpunuar me forcat e Ushtrisë Jugosllave në operacionet në Kosovë.

Në telegramin që përmbante këtë urdhër, sqarohej që detyra e këtyre njësive, ishte të pranonin luftëtarë nga rradhët e shqiptarëve të Kosovës, duke krijuar njësi të reja për të luftuar kundër okupatorit. Aty vihej në dukje rëndësia që i jepte Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë Kosovës dhe Shqipërisë së veriut, pasi aty ishin konsoliduar bërthamat e reaksionit. Pas një hezitimi të shkurtër nga ana e Enver Hoxhës, Brigada e III-të dhe ajo e V-të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në fund të shtatorit kaluan në zonën e Gjakovës. Në ditar flitet shumë pak për qëndrimin e forcave shqiptare në territorin e Jugosllavisë për të luftuar kundër fashizmit, të cilat kishin hasur në shumë kundërshtime dhe moskuptime.

Ai e shpjegonte këtë me përgatitjen e dobët politike dhe punën e dobët që ishte bërë me luftëtarët shqiptarë për këtë detyrë dhe dhe në përgjithësi me vazhdimin e luftës, deri në mundjen përfundimtare të Gjermanisë naziste. Dua të shtoj dhe këtë, që në tekstet shkollore shqiptare që përdorja për të mësuar shqip, pa përjashtim shkruhej për Kosovën dhe kudo gjendej parrulla “Kosova, djep i shqiptarizmit”. Kjo më bëri të mendoja për efektet e indoktrinimit të thellë përmes shkollës. Në bisedat për këtë problem për udhëheqsat shqiptarë, këta duke më vënë në dijeni për këtë, më premtonin se do të hiqnin nga përdorimi dhe nga këto tekste, në të ardhmen nuk do të shkruheshin libra të tillë. (Lexuesve dua t’u kujtoj, se në ditar që u botua pas 25 vjetësh që nga koha kur është mbajtur, asgjë nuk është ndryshuar. Prandaj lexuesi mund të gjejë pohime naïve, si pasojë e mungesës së eksperiencës. Në këto fakte gjithkush mund të spekullojë, por unë nuk kam asnjë gjë që mund të jetë në kundërshtim me realitetin. Asgjë në të nuk kam ndryshuar, gjë që duket nga përshkrimi i takimeve etj”.

---- ----
----
-----
-----