Ballina Arti Dëshmia e rrallë e 97- vjeçarit: Si e plagosëm kryeministrin Mustafa Kruja...

Dëshmia e rrallë e 97- vjeçarit: Si e plagosëm kryeministrin Mustafa Kruja dhe pse e anulluam vrasjen e Xhaferr Devës, që do e kryeja unë…

27
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Astrit Leka me origjinë nga Borshi i Sarandës dhe me banim në Zvicër, një nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore si pjestar i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, ku ai ishte anëtar i njësiteve guerile të Tiranës, përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika” dhe partizan në Brigadën e Parë Sulmuese të komanduar prej Mehmet Shehut. Dëshmitë e rralla të 97 vjeçarit Leka, që nga periudha kur ai studionte në kolegjin “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali dhe në vitin 1941 goditi një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës që shau flamurin shqiptar një ditë pas atentatit të Vasil Laçit ndaj Mbretit Viktor Emanueli i III-të, takimi me Qemal Stafën që e bindi të kthehej në atdhe për të luftuar kundër okupatorit, angazhimi me ‘Grupin Komunist të të Rinjëve’, ku ishin edhe Alqi Kondi e Ramiz Alia, aksionet e shumta në Tiranë e Durrës, e deri tek atentatet e dështuara ndaj kryeministrit Mustafa Kruja që mbeti i plagosur, si dhe ndaj Xhaferr Devës, ku Astrit Leka, kishte mundur të hynte brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja. Si u shpall Astriti “armik i popullit” në vitin 1967 dhe u detyrua që të punonte si punëtor krahu deri në vitin 1990, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Zvicër, ku jeton dhe aktualisht.

Nga Dashnor Kaloçi

“Ndërsa unë qëndroja brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja dhe informoja rregullisht Nako Spiron, Gogo Nushin e Ymer Dishnicën, për çfarë flitej aty, më erdhi urdhëri që të mos kryhej atentati ndaj Xhaferr Devës, pasi aksioni ishte anolluar! Pas kësaj dhe prita që ishte bërë jashtë shtëpisë u hoq dhe Adem Kosova me shokët e tjerë u larguan “. Kështu e kujton 96 vjeçari Astrit Leka, njërin prej 44 aksioneve që ai ka kryer gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, kur ai drejtonte njësitet guerile të udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare e kryesuar prej Enver Hoxhës. I zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve për Konfliktet Ushtarake, me qendër në Paris, zoti Leka vjen herë pas here nga Zvicra (ku është rezident prej vitesh me familjen e tij) në Tiranë, për të marrë pjesë në festimet e 28 dhe 29 nëntorit, apo edhe në ceremoni të tjera përkujtimore ku ai është i ftuar. Edhe pse mbante mbi vete autorësinë e një barrë aksionesh, dhe ishte diplomuar në tre fakultete, në vitin 1967, atij i’u mohuan të gjitha, u shpall “armik i popullit” dhe u detyrua të punonte si punëtor në kazëm për vite me rradhë, deri sa u largua nga Shqipëria në maj të 1990-ës. Por për të gjitha ato peripeci ai nuk ka dëshirë të flasë, duke i quajtur të kaluara, dhe pranon të dëshmojë për Memorie.al vetëm për aksionet e Luftës dhe shokët e tij, me qëllimin e vetëm që “ato ngjarje të mos harrohen, të dalë e vërteta historike dhe ai të mos i marrë me vete në varr”!

Përveçse i zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve për Konfliktet Ushtarake, me qendër në Paris, Anëtarë i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Shqipërisë, (OBVL-Tiranë), Themelues dhe Kryetar i ‘SOLIDEST’ (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Vendeve Lindore me seli në Gjenevë), ish-Këshilltar i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Veteranëve (me 37 milionë anëtarë), FMAC-Paris, Zv/President i Konfederatës Evropiane të Veteranëve dhe Ushtarakëve të Luftës, CEAC-Paris dhe Kryetar Nderi i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë ‘UIAS’ – Bernë, Zvicër, zoti Astrit Leka, pas viteve ’90-të ka dhënë edhe një kontribut shumë të çmuar për përhapjen e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në botë, si dhe për vendosjen e busteve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në disa kryeqytete të Botës, për të cilat, në vitin 2019, u vlersua me një medalje nga ana e ambasadës shqiptare në Bernë të Zvicrës.

Zoti Leka, në fillim të kësaj interviste të gjatë me ju, a mund të na thoni se çfarë detyrash dhe përgjegjësish keni pasur gjatë Luftës Antifashiste?

Unë jam angazhuar me Lëvizjen Antifashiste në maj të vitit 1941, kur Qemal Stafa, atëhere student në Firence, erdhi në kolegjin tim “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali. Ai më mësoi se si të mbrohesha për të mos u përjashtuar nga shkolla, pasi të nesërmen e atentatit të Vasil Laçit kundër Viktor Emanuelit të III-të, unë kisha goditur rëndë një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës, i cili shau flamurin shqiptar.

Çfarë biseduat me Qemal Stafën?

Me Qemalin biseduam shumë gjëra për atdheun tonë të robëruar dhe pas thirrjes që më bëri ai, unë u ktheva në Shqipëri për të luftuar dhe u lidha me Grupin Komunist të Shkodrës. Me formimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, më qëlloi rasti të bëja pjesë në ‘Grupin e të Rinjëve’ të gjimnazit ku militonin dhe Ramiz Alia, Manush Alimani, Prokop Murra, Muhamer Spahiu, etj.

Çfarë detyrash u ngarkuan te ai grup dhe në përgjithësi gjatë Luftës Antifashiste?

Në fundin e vitit 1942, mua m’u ngarkua përgjegjësia e anëtarit të komisionit të parë kordinues të luftës midis Rinisë Komuniste Antifashiste dhe Rinisë të Ballit Kombëtar. Në pranverën e vitit 1943, unë u ngarkova me detyrën e anëtarit të Qarkorit të Rinisë Komuniste Shqiptare të degës së Elbasanit, ku ishte sekretar Alqi Kondi dhe më pas përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika”. Në 8 shtator 1943 në Labinot, u ngarkova nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste që të punoja me rininë në qytet dhe komandant njësiti e njësitesh guerile, duke vepruar nga Myzeqeja në Mitrovicë dhe nga Shkupi deri në Durrës. Në shatorin e ’44-ës, unë u inkuadrova në Brigadën e I-rë Sulmuese, të komanduar prej Mehmet Shehut.

A keni pasur pseudonim gjatë Luftës dhe në sa aksione keni marrë pjesë dhe cilat janë ato më të rëndësishme që keni bërë ju personalisht gjatë asaj kohe?

Pseudonimi im që nga periudha e ilegalitetit ka qenë ‘Alariku’ dhe gjithë periudhës së Luftës, unë kam marrë pjesë në më shumë se 44 aksione dhe të gjitha ato kanë pasur rëndësinë e tyre sipas kohës, rrethanave e kushteve kur janë kryer. Por unë po ju veçoj aksionet e atentateve ndaj kryeministrit Mustafa Merlika, Ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva, sekuestrimin e Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Ago Agaj në Tiranë, aksionin e depove të Bankës së Durrësit, dhe marrjen me forcë të miellit në furrin elektrik të Pazarit të Ri në Tiranë që furnizonte gjermanët, policinë, xhandarët etj.

Gjithë këto aksione, sigurisht që nuk i kini bërë vetëm…?!

Atë desha të theksoj, se jo vetëm këto aksione, por në të gjitha ato që kam kryer, unë i kam bërë bashkë me shokët e mi.

A mund të na thoni më konkretisht se kush vendosi për kryerjen e atentatit ndaj kryeministrit Kruja dhe si u realizua ai aksion. Pra, nga i merrnit urdhrat ju personalisht?

Vendimi për kryerjen e atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Kruja (Merlika) u morr nga Nako Spiro, Gogo Nushi dhe Ymer Dishnica, të cilët bënin pjesë në udhëheqjen e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, etj., që unë nuk i dija të gjithë se kush ishin ata, pasi atëhere kishte konspiracion të madh dhe çdo njeri nga ne duhej të dinte vetëm detyrat e tij.

Kur ka ndodhur ky aksion dhe si e kryet atë?

Kjo gjë ka ndodhur në tetor të vitit 1943, kur Muhamer Spahiu, njëri nga anëtarët e Qarkorit të Rinisë Komuniste të Tiranës, siguroi një informatë të saktë, mbi lëvizjen e Mustafa Krujës, i cili do të shkonte për të kuruar dhëmbët tek klinika e Dr. Xhevdet Asllanit, në kryqëzimin e Rrugës së “Dibrës” me atë të “Barrikadave”.

Çfarë bëtë pas këtij informacioni që morët nga Muhamer Spahiu?

Pas kësaj të dhëne, Nako me Gogon e Ymer Dëshnicën, të cilët ishin mbledhur të tre në shtëpinë e Esat Dëshnicës, bazë e rnëdësishme e Luftës që ndodhej fare pranë Fabrikës së Cigareve “Flora”, vendosën që të bëhej atentati ndaj Mustafa Krujës dhe caktuan të gjithë personat që do të merrnin pjesë në atë aksion, ku një prej tyre isha dhe unë.

Cila ishte detyra konkrete që do kryenit ju në përbërje të atij grupi në atë aksion?

Ata, pra krerët kryesorë të udhëheqjes, Nako, Gogo dhe Ymer Dishnica, më kërkuan që t’ju gjeja dy makina (autovetura) me të cilat do të kryhej aksioni dhe më thanë se: pasi t’i gjeja makinat, ato do të vinte për t’i marrë, Shahin Ruka, i cili në atë kohë ishte komandant i njësiteve guerile të Tiranës. Por desha të sqaroj, se unë nuk varesha nga Shahini, por direkt nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, si Enver Hoxha Nako Spiro, Gogo Nushi, Ymer Dëshnica etj., prej të cilëve merrja edhe udhëzimet.

 A i gjetët makinat?

Unë i gjeta makinat duke i rrëmbyer ato me anë të një aksioni që bëra në një ndërrmarje ekonomike italiane në Tiranë, e cila ishte në shërbim të plotë të organizatës “TODT”, të Komandës së Përgjithshme gjermane që merrej me kundër-zbulimin, prapavijat dhe ndërtimin e fortifikimeve, kundër zbarkimit të aleatëve. Pasi i sigurova dy makinat, sipas kërkesës së Gogos, ato erdhi dhe i mori në dorëzim tek unë, Shahin Ruka, i cili ishte dhe personi që bashkë me njësitin e tij, drejtoi aksionin e atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Merlika Kruja.

Si përfundoi aksioni i atentatit dhe kush ishte njeriu që ishte caktuar për të qëlluar mbi kryeministrin?

Njeriu që u caktua për kryerjen e atentatit, ishte Shyqëri …, i cili qëlloi dhe e plagosi kryeministrin Merlika.

Po ju, a morët pjesë në aksion, apo detyra juaj mbaronte me gjetjen e dy autoveturave?

Me porosi të Gogo Nushit, unë mora pjesë në atë aksion, duke mbështetur njësitin, i vendosur në Mapon që ndodhej në fillim të “Rrugës së Dibrës” dhe jam larguar i fundit nga ajo zonë, pasi ishin larguar me dy autoveturat të gjithë pjestarët e njësitit.

Ç’ndodhi më pas me Shyqëriun, cili ishte fati i tij?

Shyqëriu i cili ishte trim i madh, u vra në janarin 1944 gjatë një beteje në Luftën e Tujanit. Pas vitit 1944, ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe emrin e tij e mban një rrugë këtu në Tiranë, e cila ndodhet diku përballë Lidhjes së Shkrimtarëve.

Po për atentatin ndaj ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva, ç’mund të na thoni?

Pak kohë pas atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Merlika, ne siguruam një të dhënë tjetër, se në një shtëpi këtu në Tiranë, do të bëhej një mbledhje me shumë rëndësi. Sipas asaj informate, aty do të merrnin pjesë shumë patriotë të ardhur apostafat nga të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike, të cilat kishin pasur poste të larta, si prefektë, deputetë, ministra e kryeministra, që nga qeveria e Ismail Qemalit, ajo e Monarkisë së Zogut, e deri tek ato nën okupacionin fashist italian. Po kështu aty do të merrnin pjesë edhe disa persona të tjerë, siç ishte dhe Xhaferr Deva, që kishte bashkëpunuar me gjermanët në Mitrovicë e Vuçiternë, ndaj të cilit u mendua që t’i bëhej atentat pasi ai të dilte nga ajo shtëpi.

Përveç Xhaferr Devës, cilët ishin personat e tjerë që do merrnin pjesë në atë mbledhje dhe çfarë do të vendosej aty?

Përveç Xhaferr Devës, i cili në atë kohë ende nuk e kishte marrë postin e Ministrit të Brendshëm, ndër personat që do të merrnin pjesë në atë mbledhje ishin: Lef Nosi, (ish-ministër në qeverinë e Ismail Qemalit e anëtar i Regjencës nën pushtimin gjerman) Rexhep Mitrovica, (kryeministër nën pushtimin gjerman) Qemal bej Karaosmani, (firmëtar i Pavarësisë dhe më pas Kryetar i Bashkisë së Elbasanit) Profesor Ahmet Gashi, Ago Agai etj. Të gjithë ata patriotë që ishin mbledhur aty, do të diskutonin mbi fatin e Shqipërisë nën pushtimin gjerman.

Kush e vendosi që të bëhej atentati ndaj Xhaferr Devës dhe kush do e kryente atë?

Ato ditë, Ibrahim Biçaku i kishte dërguar fjalë Myslym Pezës, duke i thënë se Xhaferr Deva po bashkëpunonte hapur me gjermanët dhe ishte kthyer në një agjent i tyre. Pas kësaj, Nako, Gogo, dhe Ymer Dishnica, morën vendimin për kryerjen e atentatit ndaj Devës. Ata të tre më thërritën mua në shtëpinë e Esat Dishnicës, e cila ndodhej jo shumë larg shtëpisë sonë (familjes Leka) që gjithashtu ishte bazë e rëndësishme e Luftës, dhe ma ngarkuan aksionin për kryerjen e atentatit ndaj Devës.

Vetëm do e kryenit ju atë aksion për atentatin ndaj Xhaferr Devës?

Përveç meje që do kryeja rolin e atentatorit, duke u futur brenda në shtëpinë ku do bëhej mbledhja, në atë aksion do të merrte pjesë dhe Adem Kosova, i cili me disa shokë të njësitit, do të më mbështeste mua nga jashtë shtëpisë.

Si vepruat ju pasi i’u ngarkuan atentatin ndaj Devës?

Duke shfrytëzuar njohjet e miqësitë që unë kisha me familjen ku do të bëhej mbledhja, munda që të hyja brenda në atë shtëpi dhe të isha prezent gjatë gjithë zhvillimit të saj, duke dëgjuar nga afër të gjitha diskutimet. Duke qenë se shtëpia ku zhvillohej mbledhja nuk ishte më shumë se 100 m. larg asaj ku ndodheshin Nako me shokët e tjerë të udhëheqjes, unë kisha mundësi që me anë të njerëzve tanë që hynin aty brenda, t’i mbaja në korent ata për gjithçka që flitej aty.

Mund të na thoni shkurtimisht se çfarë u diskutua aty?

Midis të tjerash, aty u tha se : do t’u kërkohej gjermanëve që ushtrinë e tyre në Shqipëri, ta mbanin duke paguar me flori në dorë, dhe jo siç kishin bërë në shtetet e tjera të Europës, ku kishin prerë kartmonedha e kishin shkaktuar inflacion të paparë. Dhe po të shohim se si u zhvilluan ngjarjet më vonë, ajo gjë u vertetua plotësisht, pasi vetëm në një ditë, gjermanët sollën në Tiranë 750 mijë napolona flori, duke i shkëmbyer ato me kartmonedhat vëndase që ishin në qarkullim asokohe. Dhe pas kësaj kursi i floririt nuk lëvizi asnjë pikë, deri në mbarimin e Luftës, kur gjermanët u larguan nga Shqipëria.

Të kthehemi tek ato që u thanë në atë mbledhje, çfarë tha aty Xhaferr Deva?

Po, në diskutimin e tij, Xhaferr Deva, kërkoi që t’i jepeshin veshmbathje dhe armatimet e nevojshme, për të rekrutuar një regjiment me kosovarë, të cilët do t’i përdorte për të zhdukur rrënjët e komunizmit sllav në Shqipëri.

U aprovua kërkesa e tij?

Kërkesën e Xhaferr Devës e kundërshtuan të gjithë, që nga Lef Nosi që u ngrit i pari, i zoti i shtëpisë që ishte i biri dhe dhëndër i dy nënshkruesve të Pavarsisë, e deri tek Rexhep Mitrovica e Prof. Ahmet Gashi etj.

Si e argumentonin ata kundërshtimin e tyre ndaj kërkesës së Xhaferr Devës për të zhdukur nga rrënjët komunizmin sllav?

Mes të tjerash ata thanë: “Ata që luftojnë në male, janë djemtë tanë, pavarsisht se kanë iluzione, se sllavët janë vëllezër dhe se komunizmi do t’i sigurojë Shqipërisë zgjidhjen e çështjes nacionale dhe problemet e saj sociale. Në këtë situatë, detyra që po marrim përsipër do të na kompromentojë si bashkëpunëtorë të gjermanëve, por ne po sakrifikojmë veten që të mbajmë një administratë shqiptare për t’i lehtësuar popullit peshën e okupacionit”. Këto ishin pak a shumë fjalët e tyre që kundërshtonin kërkesën e Xhafer Devës.

Ndërkohë, si vepruat për realizimin e aksionit?

Ndërsa unë qëndroja brenda shtëpisë dhe shkoja e informoja rregullisht shokët e udhëheqjes për çfarë flitej aty, më erdhi urdhëri që të mos e kryeja atentatin ndaj Devës, pasi aksioni ishte anulluar. Pas kësaj dhe prita që ishte bërë jashtë shtëpisë u hoq dhe Adem Kosova me shokët u larguan.

Pse u anullua atentati ndaj Xhafer Devës?

Si duket, shokët e udhëheqjes e kishin pleqëruar mirë pasojat që do të kishte atentati im ndaj Xhaferr Devës dhe ata vendosën ta anullonin atë, për të mos i dhënë shkas gjermanëve që të bënin masakra ashtu siç bënë më pas më 4 shkurt ‘44. Por ajo më kryesorja që mendoj unë se solli anullimin e atentatit, ishte qëndrimi i patriotëve shqiptarë në atë mbledhje, të cilët vendosën që të ishin neutrale, pasi gjermanët do të ishin vetëm kalimtarë në Shqipëri. Pra duhej menduar mirë ajo punë… ! (vijon nesër)

Dëshmia e veteranit, Rexhep Begeja:  Si e rrëmbeu Astriti miellin e gjermanëve në Tiranë… 

Një nga ata veteranë të Luftës Antifashiste që e ka njohur nga afër Astrit Lekën gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, është dhe Rexhep Begeja, i cili në atë kohë ka qenë anëtar i njësiteve guerrile të Tiranës. Në një nga dëshmitë e tij në lidhje me aksionet e Astritit gjatë Luftës, midis të tjerash, Begeja është shprehur: “Aksioni për rrëmbimin e miellit të gjermanëve, e ka marrë nisjen që në fshatin Priskë e Madhe në shtëpinë e Daj Cen Hysës, mbas kërkesës që i’u bë Astrit Lekës, ish komandant i njësitit gueril, që drejtohej nga direkt nga shoku Gogo Nushi. Kur shoku Gogo dhe Nako Spiru, në datën 28 nëntor 1943, kërkuan nga Astriti që ai të siguronte miell me aksion, Astriti zbriti në Tirane dhe mori kontakt me shokët e njësitit të tij dhe me shokë të tjerë që kishte pasur në aksionin kundër Bankës së Durrësit, ku u muar nga depot e saj, çfarë i duhej Lëvizjes (shih veprat e Enver Hoxhës, faqe 76 etj.).

Në shtëpinë time u strehuan shokët e njësiteve guerrile dhe u bë plani i aksionit, duke u caktuar detyrat e bazat ku do të depozitohej mielli. Kjo punë përgatitore zgjati dy tri ditë, kështu që në 4 dhjetor 1943 (ditë falje, para Bajramit), u nisën shokët për aksion, duke pasur të qartë secili prej tyre detyrën që i’u kishte ngarkuar Astriti. Në këtë aksion ka pasur shokë nga Tirana, Elbasani dhe Durrësi, të cilët Astritit i kishte njohur mirë, pasi kishte bashkëpunuar me ta. Para se të fillonim aksionin, te ish-rruga e vjetër e Postës, ne ndeshëm rastësisht shokun tonë të Luftës, ‘Heroin e Popullit’ Myslym Keta, dhe Sul Cenomerin ‘Dëshmor i Atdheut’. Ata shfaqën dëshirën për të marrë pjesë në aksion dhe u ngarkuan me detyra të caktuara nga Astriti. Edhe bazat ku do të depozitohej mielli ishin tepër konspirative, ato i dija vetëm unë dhe Astriti, e ndonjë shok tjetër i ngushtë i Astritit, e asnjë tjetër. Aksioni nuk u krye i plotë se ndërhynë gjermanët dhe xhandarët, të cilët nuk arritën të na dëmtojnë edhe pse na rrezikuan. Se pse ndodhi kjo, e dinë të gjithë shokët dhe e mori vesh edhe Gogo Nushi.

Nuk është e vërtetë se janë nisur dy makina me miell për në Pezë dhe një për në Priskë, (ashtu siç ka shkruar shoku A.D. para disa muajsh në një gazetë veteranësh), por mielli u depozitua në shtëpinë time dhe në shtëpinë e fqinjit tim, Masar Sojlit. Kjo gjë vërtetohet edhe nga letra që shoku Gogo Nushi i dërgon Enver Hoxhës me 3 janar 1944, me titull ‘Reaksionit do t’i bëjmë ballë’ (botuar në serinë e veprave të tij, vëllimi i I-rë në faqen 108), ku midis të tjerash ai shkruan: “Kërkonin sheqerin tonë, gjetën dhe morën 156 kv. miell që kishim marrë disa ditë më parë në fushën e Nozullimit me aksion”. Gjithashtu nuk është e vërtetë që makinat të jenë marrë në parkun e Shit Merlikës në Tiranë nga Lymi, siç thotë A.D., se Shiti nuk kishte garazh në Tiranë, por as edhe makinë. Këtë gjë nuk e ka thënë kurrë Lym Keta, kur ishte gjallë.

Lymi i gjeti të gjitha punët e kryera, kur kërkoi të merrte pjesë në aksion, këtë gjë ai e thoshte gjithmonë. Ideja për aksionin e miellit i lindi Astritit, i cili na e shprehu neve ato ditë, pasi ai e njihte mirë atë zonë. Në atë aksion u përdor e njëjta mënyrë me atë që u përdor në Bankën e Durrësit, duke sekuestruar çdo njeri që hynte brenda, sepse në çastin që ngarkonim ne, kishte dhe gjermanë e xhandarë që ngarkonin bukë, pra duhej kujdes. “Kjo dëshmi e Begesë, konfirmohet edhe nga ato të Enver Maçit, Gani Goxhit, (ish-komisar i Brigadës së II-së Sulmuese) Halim Haxhiut etj.”

---- ----
----
-----
-----