Ballina Arti Dëshmia e rrallë e 97 vjeçarit, atentator gjatë luftës: Si e mbajta...

Dëshmia e rrallë e 97 vjeçarit, atentator gjatë luftës: Si e mbajta peng ministrin e Ekonomisë në zyrën e tij në ’43-in

28
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Astrit Leka me origjinë nga Borshi i Sarandës dhe me banim në Zvicër, një nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore si pjestar i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, ku ai ishte anëtar i njësiteve guerile të Tiranës, përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika” dhe partizan në Brigadën e Parë Sulmuese të komanduar prej Mehmet Shehut. Dëshmitë e rralla të 97 vjeçarit Leka, që nga periudha kur ai studjonte në kolegjin “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali dhe në vitin 1941 goditi një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës që shau flamurin shqiptar një ditë pas atentatit të Vasil Laçit ndaj Mbretit Viktor Emanueli i III-të, takimi me Qemal Stafën që e bindi të kthehej në atdhe për të luftuar kundër okupatorit, angazhimi me ‘Grupin Komunist të të Rinjëve’, ku ishin edhe Alqi Kondi e Ramiz Alia, aksionet e shumta në Tiranë e Durrës, e deri tek atentatet e dështuara ndaj kryeministrit Mustafa Kruja që mbeti i plagosur, si dhe ndaj Xhaferr Devës, ku Astrit Leka, kishte mundur të hynte brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja. Si u shpall Astriti “armik i popullit” në vitin 1967 dhe u detyrua që të punonte si punëtor krahu deri në vitin 1990, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Zvicër, ku jeton dhe aktualisht.

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Zoti Astrit, përveç aksioneve ndaj kryeministrit Mustafa Kruja dhe ministrit të Brendshëm, Xhafer Deva, a mund të na flisni për ndonjë aksion tjetër të bujshëm, që keni bërë në atë kohë?

Një nga aksionet e tjera të rëndësishme që kemi bërë në atë kohë ka qenë ai i vitit 1943, i marrjes peng të ministrit të Ekonomisë Kombëtare, A. A. Kjo gjë u bë për ta detyruar atë që të na jepte një autorizim të bardhë me firmën e tij, në mënyrë që ne të furnizoheshim me mallra të ndryshme ushqimore në Kosovë, të cilat do të na duheshin për brigadat partizane që luftonin kryesisht në Shqipërinë e Mesme. Në atë kohë pothuaj të gjitha mallrat e artikujt e ndryshëm ushqimorë, vinin në Shqipëri nëpërmjet Kosovës dhe për blerjen e transportin e tyre duheshin një numër i madh autorizimesh e dokumentesh, të cilat qeveria e asaj kohe ia kishte besuar vetëm ministrit të Ekonomisë, A. A., i cili ishte mik i ngushtë i ministrit Xhafer Deva.

Kush ju urdhëroi për atë aksion?

Në parantezë desha të them se për të siguruar sjelljen e ushqimeve nga Kosova, Mustafa Gjinishi i kishte premtuar Enver Hoxhës, se do të interesohesh dhe do të siguronte autorizimin e nevojshëm nëpërmjet të njohurve me pozitë në ministritë e asaj kohe. Për këtë, ai kishte zbritur nga Labinoti në Tiranë, por e vërteta është se ai nuk bëri dot gjë në këtë drejtim (gjë të cilën e konfirmon dhe Enver Hoxha në veprat e tij), nga kontrolli i rreptë që i bënte Xhaferr Deva, lëshimit të autorizimeve të kësaj rëndësie në atë kohë lufte dhe mungesash të mëdha. Unë nuk mund ta them me saktësi se kush e dha urdhrin për kryerjen e aksionit, por di të them se, krerët e lartë të Partisë Komunisite Shqiptare, si: Nako Spiru, Gogo Nushi e Ymer Dishnica, më caktuan mua, si përgjegjës i njërit prej dy njësiteve guerilje që u ngarkuan me këtë mision kaq të rëndësishëm. Pas kësaj, unë bashkë me shokët e njësiteve: Halim Haxhiun, Gani Goxhin dhe Adem Kosovën (Krasniqi), mbasi e diskutuam mirë e mirë problemin e sigurimit të autorizimit, arritëm në përfundimin se me A. A., duhej të merreshin vesh vetëm me grykën e pushkës. Prandaj edhe vendosën të bënin një aksion kundër tij, duke e detyruar atë që të firmoste autorizimin me forcë.

Çfarë bëtë pas marrjes së këtij vendimi?

Pas marrjes së vendimit, bashkë me tre shokët që thashë më lart, shkuam në Ministrinë e Ekonomisë (ku është sot Bashkia) dhe pamë pozicionin e jashtëm të saj. Po kështu disa nga shokët tanë, që ishin te ministria dhe në të gjitha anët e sheshit “Skëndërbej”, hynë brenda në ministri dhe panë e studiuan me hollësi krejt ambientin e brendshëm, shkallët, katet e ndryshme, daljen prej ministrisë, daljen eventuale nëpërmjet ndonjë dritareje, që të nxirrte nga ana e Bar “Sahatit” dhe jo nga ana e Sheshit “Skënderbej”, panë me kujdes derën e ministrit, rojet personale të tij me automatik italian, dhe shumë hollësira të tjera që do të na duheshin në çastin kur do të bënim aksionin. Mbasi u përfundua studimi i terrenit në vend, ne shkuam në një nga bazat tona të luftës dhe vendosëm që ta kryenim aksionin që të nesërmen e asaj dite, pa përzjerë asnjë shokët e tjerë në këtë punë, mbasi aksioni paraqiste rrezikshmëri të madhe.

Pasi studiuat vendin e aksionit, si vepruat më pas?

Që në mëngjes herët u sigurua makina me karburantin dhe me armët e nevojshme, e cila u la mbrapa Bashkisë në rrugicën që të çonte për te Hotel “Tirana”, duke caktuar për shofer atë ditë Ademin, ndërsa unë me Ganiun, u drejtuan për në Ministrinë e Ekonomisë, duke ndenjur aty pranë si persona që kishim ndonjë hall për të kryer. Me të parë afrimin e makinës së ministrit, ne u larguam pak nga hyrja e ministrisë dhe, kur ministri zbriti nga makina dhe i’u drejtua shkallëve për t’u ngjitur në zyrën e tij, unë e ndoqa nga pas për t’u siguruar se ministri po hynte në zyrën e vet. Policëve që ruanin derën e jashtme unë u thashë se vija nga Ministria e Arsimit, për të konsumuar një bisedë gojarisht me ministrin dhe, pa pritur përgjigje prej tyre, u ngjita lart deri te dera e ministrit. Në këtë kohë që unë u ngjita lart, Ganiu, që priste jashtë, i bëri me shenjë Ademit, që qëndronte tek reklamat e kinemasë, i cili mori veturën dhe brenda pak sekondave e solli atë pranë Bar “Sahatit”.

Plani parashikonte që Ademi ta mbante makinën ndezur dhe të vërente me kujdes nga makina në drejtim të ministrisë, duke na pritur ne që do të kryenin aksionin, me qëllim që të na largonte menjëherë mbas përfundimit me sukses të tij. Në rast të kundërt, nëse ne do rrezikoheshin në ministri, ai do ta merrte vesh nga plasja e pushkëve. Detyra e tij ishte që me automatik në dorë të dilte nga makina dhe të zinte cepin e xhamisë ose, po ta shihte të nevojshme, të futej edhe në ministri brenda me automatik në dorë, për të na shpëtuar nga asgjësimi që mund të na bënin rojet personale të ministrit, që ishin të pajisur me automatik. Ganiu kishte për detyrë të qëndronte tek shkallët e ministrisë, duke mbikëqyrur me kujdes të gjitha veprimet e rojeve të ministrit në çastin kur duhesh. Pas kësaj unë hyra brenda në zyrën e ministrit.

Si mundët të hynit në zyrën e tij, nuk j’u penguan policët?

Ata nuk më penguan, pasi u thashë se vija nga Ministria e Arsimit, për një çështje që do ta bisedoja personalisht me ministrin e Ekonomisë dhe, pa pritur aprovimin e tyre, unë serbes u fut brenda, duke i lënë përshtypjen rojeve se kishin të bënin me një njeri të besuar të vetë ministrit, që ata ruanin. Pasi hyra brenda, unë mbylla derën, natyrisht pa çelës, për të mos ngjallur dyshime, dhe nxora revolverin duke i thënë ministrit të mos bënte asnjë lëvizje, as edhe alarm, mbasi nuk kisha si qëllim ta vrisja.

Si reagoi ai pas kësaj?

Ndërsa ai mbeti si i ngrirë, unë i thashë: ‘Kam ardhur këtu jo për të bërë atentat ndaj jush, por për t’ju detyruar juve që të më jepni një autorizim të firmuar rregullisht nga ju, me vulën e ministrisë. Ky autorizim do të përdoret për nevojat e Luftës Nacionalçlirimtare. Sa për dijeni, ju kujtoj se ministria është e rrethuar nga njësitet guerilje të Tiranës dhe çdo tentativë juaja, për të dhënë alarmin, qoftë kjo e dukshme apo e fshehur, nëpërmjet ndonjë mjeti që mund të keni, do të rëndoj mbi personin tuaj, sepse unë që kam ardhur deri këtu, i kam dalë zot kësaj pune dhe e kam marrë parasysh vdekjen, ndërsa për ju, nuk ma merr mendja që ta jepni jetën tuaj për një autorizim.

Ju e kuptoni vetë se çdo alarm juaji do të bëjë që unë të vritem në këtë gjendje që jam, por sigurisht ju e merrni me mend se, përpara se të jap jetën time, unë me këto granada që kam, e që ju po m’i shihni në dorë dhe me revolver më parë do të marr jetën tuaj dhe pastaj mund të mbetem i vrarë. Prandaj zgjidh e merr, o firmën tuaj me një dokument të bardhë, që do ta plotësojmë ne më vonë, ose jetën, se unë mbrapsht nuk kthehem. Asnjë nga shokët e mi që është jashtë nuk ka dijeni se çfarë po bëjmë ne këtu. Ju siguroj se nuk do merret vesh kurrë kjo punë, sepse është në dëmin tonë dhe kështu nuk do cënohet as dinjiteti juaj’.

Si reagoi ministri pas kësaj?

Ministri shtangu. Nuk bëri asnjë lëvizje. Nuk tha asnjë fjalë, por nuk bëri asnjë lëvizje për t’iu nënshtruar kërkesës sime. Po kalonin sekonda. Mbas këtyre fjalëve, ministri kapadai, filloi të lëvizë dhe u shpreh në këtë mënyrë: “Më ke zënë ngushtë, nuk kam ç’të bëj, detyrohem të firmoj, por unë luftën kundër jush do ta vazhdoj deri në fund, sepse jam armiku juaj i betuar”. Mbasi tha këto fjalë, ministri u ngrit dhe i’u drejtua kasafortës ku mbante dokumentet sekrete. Hapi kasafortën, nxori autorizimin, të vulosur dhe mbi të vuri firmën. Pasi mora autorizimin në dorë, unë i thashë: ‘Në qoftë se ju lëvizni nga zyra në këtë çast, dy minuta pas daljes sime, jeni i zhdukur fizikisht, nga një shoku ynë që po pret te dera dhe që do të qëndrojë aty’.

Dëshmia e ish-komisarit të Brigadës III-të Sulmuese: Xhafer Deva erdhi në Kosovë, pas aksionit që bëmë me Astritin

Një nga bashkëluftëtarët e Astrit Lekës, që ka dëshmuar mbi veprimtarinë e tij gjatë periudhës së Luftës, është dhe Gani Goxhi, ish-Komisari i Brigadës II-të Sulmuese, i cili në një deklaratë të tij të lëshuar para viteve ’90, midis të tjerash, ka shkruar: «E kam njohur shokun Astrit Leka në tetor të vitit 1943, kur shoku Gogo Nushi, ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës, na ngarkoi për të siguruar disa ushqime (kryesisht grurë), për furnizimin e disa reparteve partizane të Shqipërisë së Mesme. Detyra ishte caktuar nga shoku Enver (shih veprat. volumi I, faqe 498). Këto ushqime u morën në Kosovë, nga dy njësite guerilje, që i komandonim përkatësisht unë dhe Astriti. Shumica e këtyre ushqimeve u siguruan nëpërmjet aksioneve që bëmë në qytete  të ndryshme të Kosovës, të ndihmuar edhe nga patriotë vendës. Kjo detyrë u krye me vështirësi, me qenë se armiku kishte ardhur në dijeni të misionit tonë, aq sa u shkruan edhe artikuj në gazetat kuislinge.

Problemi arriti deri atje, sa erdhi në Kosovë vetë Xhafer Deva, ministër i Brendshëm i qeverisë kuislinge, i cili bëri thirrje: “Të vriten komunistët që kanë ardhur nga ‘Shqipëria e Vjetër’ për të prishur Shqipërinë e Re”. Në këtë mënyrë, zbatimi i detyrës që na ishte ngarkuar nga Komiteti Qarkor i Tiranës kërkonte guxim, trimëri dhe vendosmëri, karakteristika këto që nuk i mungonin shokut Astrit Leka. Sigurimi i autorizimit për qarkullimin tonë në Kosovë, si edhe i autorizimit për furnizimin e automjeteve me karburant u realizua gjithashtu nëpërmjet aksioneve të guximshme që bëmë unë dhe Astriti kundrejt personave që i kishin në dorë, si Y. F. (që ka qenë komisar i Nozullimeve gjatë okupacionit gjerman) dhe A. A. (ministër i Ekonomisë në qeverinë kuislinge).

Nga të rinjtë e familjes Leka, gjatë luftës kam pasur rastin të njihem vetëm me Astritin dhe Luanin, sepse me këta unë bashkëpunova për një periudhë të luftës, bile Luanin e kam pasur efektiv të njësitit gueril që komandoja unë në Kosovë. Me Astritin u ndamë aty nga fundi i nëntorit të vitit 1943, në fshatin Priskë e Madhe të Tiranës, mbasi i raportuam shokut Gogo Nushi, kryerjen me sukses të detyrës, që i ishte ngarkuar njësiteve që komandonim ne, pa asnjë humbje, sepse edhe katër shokët që na arrestuan në Kosovë, ne mundëm t’i lirojmë me përpjekjet tona, duke i kthyer në bazë. Kam marrë vesh, gjithashtu, se Astriti ka marrë pjesë edhe në aksione të tjera, si në atë të Bankës së Durrësit dhe në atë të marrjes së miellit në Tiranë”.

Dëshmia e Esat Dishnicës: Astriti ka qenë një nga heronjtë e Luftës dhe ai…

Një nga njerëzit që e ka njohur nga afër Astrit Lekën gjatë periudhës së Luftës, ka qenë edhe Esat Dishnica, i cili në një dëshmi të tij të dhënë para viteve ’90-të (kur Astriti ishte goditur nga Partia e ishte shpallur armik), midis të tjerash ka shkruar: “Në lidhje me aktivitetin revolucionar të Astrit Lekës dhe kontributin e dhënë nga ai gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, duhet thënë se ai ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me shokët udhëheqës të PKSH-së. Kur Astriti u muar me njësitet guerilje, ai propozoi dhe drejtoi shumë aksione të rëndësishme që kërkonin guxim, trimëri, e shpirt vetmohimi. Kështu ai ka goditur ministritë, Radio Tiranën, kuesturat, federatat fashiste, bankat, ndërmarrjet kapitaliste në shërbim të komandës së prapavijave të ushtrisë gjermane, siguronte me aksione shtypshkronja e shaptilografe, kontribuonte në atentate, siguronte fonde financiare për Luftën, si edhe furnizime e pajisje ushtarake etj.

Mbaj mend se ai bashkëpunonte në disa raste edhe me ‘Heroin e Popullit’ Lym Keta, me atentatorin e talentuar Adem Krasniqi (Kosova), të cilin e kishte në njësitin që drejtonte vetë, si edhe me shumë shokë të tjerë, që kanë hyrë e kanë dalë në shtëpinë tonë, ku udhëheqësit e Luftës ishin tek ne ilegalë. Unë nuk do të përshkruaj këtu aksionet e rëndësishme që kreu njësiti i Astritit dhe shokëve të tjerë, mbasi këto gjëra janë të njohura tashti dhe janë bërë të ditura nga botimet e ndryshme, por unë do të përmend disa çështje po aq të rëndësishme, të cilat kanë mbetur në kujtimin e shokëve që patën rastin t’i jetojnë nga afër ato ngjarje dhe që karakterizojnë shumë mirë veprimtarinë e shkathët dhe dinamizmin e iniciativën e shokëve të njësitit.

Mbaj mend se kur vullnetari i Luftës së Spanjës, Emrush Myftari nga Kosova, vrau me atentat në Bulevardin e Madh dy çetnikët jugosllavë, bashkëpunëtorë të Drazha Mihailoviçit, tradhtar i popujve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i okupatorit gjerman, Astriti dhe Ademi, që kalonin pranë vendit të atentatit për një shërbim tjetër, kur vunë re se atentatori ishte i vetëm dhe pa asnjë mbështetje dhe kur kuptuan se atentati ishte me karakter politik, menjëherë mbështetën atentatorin dhe bashkë me të erdhën e u strehuan në shtëpinë tonë. Në këtë mënyrë ata patën rast të bashkëpunojnë në Kosovë me të, kur u dërguan me shërbime të Luftës. Astriti me njësitin e tij arritën të organizojnë një atentat kundër ministrit të Brendshëm të Qeverisë Kuislinge, agjentit të Gestapos, Xhaferr Deva, duke hyrë si kamerierë në një familje ku jepesh një banket për nder të një anëtari të Regjencës së atëhershme, Lef Nosit, dhe ku morën pjesë një numër ministrash të qeverisë, si Xhaferr Deva e të tjerë.

Shokët drejtues të PKSH-së, edhe pse në fillim e aprovuan në parim atentatin, në kushtet e krijuara gjatë banketit dhe mbasi e thelluan më mirë çështjen, urdhëruan pezullimin e atentatit, për të mos i dhënë rast armikut që të bënte masakra në familje, në lagje, si edhe në gjithë Tiranën, sepse dihej se Xhafer Deva kishte bërë  masakra në Pejë para se të binte regjimentin e tij në Tiranë. Në këtë periudhë Astriti u burgos dy herë nga armiku, deri sa doli partizan në Brigadën e I-rë Sulmuese. Në burg ai ka mbajtur një qëndrim të mirë, siç i takonte dhe siç dëshmohet nga shokët që kanë qenë me të në burg”.

 

---- ----
-----