Ballina Arti Dëshmia e njeriut besnik të ish-kryeministrit: Incidenti i Mehmet Shehut me ambasadorin...

Dëshmia e njeriut besnik të ish-kryeministrit: Incidenti i Mehmet Shehut me ambasadorin sovjetik

42
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe bashkpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut që nga periudha e fëmijrisë kur ishin shokë të ngushtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, i cili në vitin 1982 u dënua me 10 vjet burg politik, si dhe dëshmitë e ish-oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit T.N. e M.Gj. që kanë shërbyer shumë vjet pranë ish-sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, si: Ministrinë e Punëve të Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Gjykatat, Hetuesinë, Prokurorinë, etj. Dëshmitë e rralla të tyre mbi misteret e vdekjes së Hysni Kapos në Paris, akuzën e Vitos drejtuar Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, si dhe skenarin e mundshëm të Enver Hoxhës për eliminimin e Kapos dhe Shehut që në vitin 1973, kur Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe jeta e tij u vu në pikpyetje, e për atë gjë, ai fillimisht bëri fajtor mjekët e tij që i’a kishte sugjeruar dhe afruar Hysni Kapo!

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga dje)

Mehmeti mbledhje me autoritetet fashiste!

Po çfarë bëri më pas Mehmet Shehu me atë skicë-program politik që kishte hartuar në atë kohë kur sapo ishte kthyer në shqipëri nga kampet e Francës, ku bashkë me disa shokë të tjerë shqiptarë mbaheshin të internuar pasi kishin marrë pjesë në Luftën e Spanjës? Lidhur me këtë Idriz Seiti kujtonte: “Në atë kohë unë dëgjova se një kopje të atij programi, Mehmeti ja dërgoi për ta parë Zenel Shehut në Toç të Tepelenës, i cili ishte komandant i partizanëve të asaj zone si dhe Hysni Kapos, Bilbil Klosit e Kozma Nushit nga një kopje të atij programi për ta parë. Në shtatorin e vitit 1942, Mehmet Shehu i shoqëruar dhe nga Bilbil Klosi, zhvilloi një mbledhje sekrete me autoritetet kryesore të pushtetit vendor të Ballshit, ku morën pjesë Besim Belishova, (drejtor shkolle dhe Federali fashist), Hidajet Lekdushi (nënprefekt) Shefit Llanaj, (Komandanti i rrethit) që konfirmoi dhe miratoi vendimet e mbledhjes, por nuk u ndodh aty fizikisht, si dhe Haki Ballshi (eksponent i Ballit Kombëtar) dhe Namik Kanani.

Për realizimin e këtij takimi dhe qëllimet e tij, ishin marrë mendimet dhe të nacionalistëve demokratë dhe antifashistë të Mallakastrës, si Bektash bej Cakrani, Eqerem Qamili, Qazim Selfo, Tefik Sfiri, Sefedin Yzeir Greshica, Zenel Mane Islami, Rrapo Lelo Çorushi, Xhelil Bilal Velaj, etj. Kjo mbledhje që u zhvillua në konspiracion të thellë dhe masa të forta sigurie me vullnetarë të armatosur nga Mallakastra, Tepelena dhe Komuna e Krahësit, (ku bëja pjesë dhe unë), u zhvillua në shtëpinë e Namik Kamanit brenda në Ballsh. Pjesmarrësit e takimit, kryesoheshin nga nënprefekti i Ballshit, Hidajet Lekdushi. Mbas prezantimit të të pranishmëve nga ana e Bilbil Klosit, e mori fjalën Mehmet Shehu. Ai paraqiti përpara tyre programin e tij politiko-ekonomik dhe ju propozoi atyre që ta miratonin atë”, kujtonte Idriz Seiti, takimin që Mehmet Shehu dhe Bilbil Klosi zhvilluan me autoritetet fashiste të Ballshit.

Debatet në mbledhjen me autoritetet fashiste

Po si vij më tej ajo mbledhje me autoritetet më të larta të pushtetit vendor dhe eksponetëve të njohur nacionalistë të mallakastrës e tepelenës, ku ishte present edhe Mehmet shehu? Lidhur me këtë, IdriZ Seiti, tregonte: “Në atë takim e mori fjalën edhe nënprefekti i Ballshit, Hidajet Hajro Lekdushi, i cili mes të tjerave tha: ‘Ne qeveri na thënçin se nuk jemi qeveri fare, sepse njerzit na vinë të armatosur deri në zyrat tona. Kështu si e ka nisur rinia këtë luftë, ajo do ta fitojë. Por për reformat që do të bëhen pas mbarimit të luftës, do të ketë përsëri luftë, se çdo bej i ka nga 100 opingarë me vete’. Më pas në atë mbledhje u ra dakort për kryerjen e disa aksioneve të cilat u realizuan më vonë, siç ishin atentatet për vrasjen e Sabri Bej Kaltanjit, kryetarit të Komunës së Symizës- Fratar Mato Muratit, nënkolonelit të Kuesturës, kapiten Rrapo Binerit, etj.

Pas këtyre aksioneve, brenda vitit 1942, u kryen dhe aksione të tjera kundër postave të xhandarmërisë, si në Mallakastër dhe në Krahës të Tepelenës. Namik Kamani, personi që lëshoi shtëpinë e tij për atë mbledhje historike, mbeti kampeve të shfarosjes së nazistëve gjermanë, kurse shumë nga nacionalistët që ndihmuan luftën antifashiste në Mallakastër dhe Krahas të Tepelenës, si: Hidajet Hajro Lekdushi, Besim Belishova, Qazim Selfo Hekali, Sefedin Yzeir Greshica, Zenel Toçi, Axhem Resuli, Syrja Bej Vasjari, Muhamet Ramadan Llakaj etj., të cilët çuditërisht u ekzekutuan pas çlirimit. Por takimi i Ballshit, do t`i nxirrte probleme Mehmet Shehut, sepse në Mallakastër, aty nga nëntori i vitit 1942, erdhën Dushan Mugosha dhe Kristo Themelko, të cilët e takuan Mehmetin në shtëpinë e Bilbil Klosit në Klos.

Mugosha dhe Themelko e kritikuan ashpër Mehmetin, pse kishte bërë kompromis me fashistët, në kundërshtim me vijën e partisë. Unë nuk isha i pranishëm në atë takim, por e mësova më vonë, se Mehmeti kishte bërë debat të ashpër me ta. Atë gjë e pashë dhe nga fizionomia e Mehmetit kur doli nga takimi, ku ishte nxirrë sterrë”, kujtonte Idriz Seiti, bashkëpunimin e Mehmet Shehut me autoritetet fashiste të Ballshit dhe kritikat që i’u bënë atij për kompromis me armikun, nga Kristo Themelko, i dërguari i Enver Hoxhës dhe “Sala” Dushan Mugosha.

Incidenti i Mehmetit me ambasadorin sovjetik!

Ndonëse pas Luftës Mehmet Shehun u ngjit në funksione të larta shtetërore, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, ai nuk e harroi kurrë shokun e tij, Idriz Seitin, i cili vazhdoi karrierën si ushtarak i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Nisur nga funksioni i tij, si Kryetar Dege i Punëve të Brendëshme në disa rrethe, si Kukës, Lezhë dhe Peshkopi, Idrizi ka pasur rastin ta shoqëronte shpesh Mehmetin, së bashku me Enver Hoxhën e me funksionarë të tjerë të lartë të shtetit. Lidhur me këtë, Idrizi kujtonte: “Mehmet Shehu vinte shpesh për gjueti në pyllin e Vainit dhe Kunes në Lezhë. Aty nga viti 1961, kur isha kryetar i Degës së Brendëshme të atij rrethi, më kujtohet një rast që Mehmeti erdhi për gjueti së bashku me Kadri Hazbiun dhe ambasadorin sovjetik Ivanov.

Gjatë drekës në Klubin e Gjuetisë, Mehmeti i tha Ivanovit të ngrinin një dolli për djalin e tij Feliksin, i cili ishte diplomur shkëlqyeshëm në Bashkimin Sovjetik, ndonëse kishte qenë jashtë kontrollit të prindërve që ishin në Shqipëri. Ivanovi ju përgjigj: ‘Faleminderit shoku Mehmet, por unë më tepër jam i kënaqur, se djalin e kanë caktuar në një Republikë të Bashkimit Sovjetik, siç është Shqipëria dhe ai aty do të ketë mundësi që të punojë dhe të zbavitet’. Pas fjalëve të Ivanovit, Mehmeti i nevrikosur ju drejtua: Shoku Ivanov, bën mirë që para se të flasësh duhet të mendohesh, se Shqipëria as ka qenë dhe as do të jetë ndonjëherë Republikë e Bashkimit Sovjetik’. Dhe pas kësaj, ai u ngrit dhe iku, duke na lënë në tavolinë pa drekë, Kadri Hazbiun, Ivanovin dhe mua. Më kujtohet një rast tjetër në vilën qeveritare të Kunes, ku Enveri me Mehmetin, pasi hëngrën darkë, shkuan të flinin në dhomat e tyre, e para se të ndaheshin, Enveri e pyeti: Mehmet, çfarë do të lexojmë sot?

Mehmeti ju përgjigj: Unë për vete kam marrë “Lahutën e Malsisë”. Pas asaj përgjigjie, Enveri nuk foli asnjë fjalë dhe të dy u ndanë për të fjetur. Ndonëse Mehmeti kishte studjuar në Moskë, nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të fliste për Bashkimin Sovjetik. Më kujtohet në vitin 1942, kur ai u lirua nga kampi i përqëndrimit të Francës dhe erdhi në shtëpi, unë e pyesja shpesh për Spanjën ku ai kishte luftuar. Mehmeti më shpjegonte dhe më fliste me neveri për luftën e klasave. Ai më thoshte: Ju nuk e kuptoni se sa e tmershëme është lufta e klasave”, kujtonte Idriz Seiti, atakimin e Mehmet Shehut me ambasadorin Sovjetik dhe përgjigjia që ai i dha Enverit se kishte marrë për të lexuar librin e Gjergj Fishtës, si dhe përbuzjen që ai kishte për luftën e klasave, që e cilësonte si diçka të tmerrëshme.

Seiti: Si ja ktheva Mehmetit ‘skicë – programin politik”!

Pas mbarimit të Luftës në vitin 1946, sipas një urdhëri të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të gjithë ish partizanëve, ju bëhej thirrje që t`ë dorzonin të gjithë dokumëntat e luftës që kishin vlera. Pas kësaj dhe Idriz Seiti, mori dokumentin që i kishte dhënë dikur Mehmet Shehu, së bashku me një letër të Dushan Mugoshës e një tjetër të Tuk Jakovës, dhe kopjet e tyre i dorzoi në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Lidhur me këtë, Idrizi kujton: “Sipas urdhërit që na u dha, unë i dorzova nga një kopje të letrave të Tukut e Dushan Mugoshës, si dhe një kopje të skicë-programit politik, që më kishte dhënë dikur Mehmeti, pa e ditur se ajo letër vite më vonë do të bëhej “varri im” dhe i gjithë familjes sime, si dhe i vetë Mehmetit me familjen e tij. Aty nga viti 1973, kur punoja në Ministrinë e Punëve të Brendëshme në nga sektorët me delikatë, vendosa që t`ja jepja Mehmetit origjinalin e skicë-programit politik, të cilit ndonëse nuk ja dija plotësisht rëndësinë, e kisha ruajtur si një kujtim të shtrenjtë, nga komandanti im i Luftës që ishte në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Para se t`ja dorzoja atë, e fotofilmova në Laboratorin e Ministrisë Brendëshme dhe mbajta një kopje për vete, që ta kisha përsëri si kujtim. Pasi i kërkova takim, Mehmeti më priti në zyrën e tij dhe unë i thashë se kisha shkuar për t`i dorzuar atë dokument që më kishte dhënë që në gushtin e vitit 1942. Ai pasi e lexoi letrën më tha: ‘Idriz pse e ke ruajtur’ dhe mbi të bëri një shënim, duke shkruar…?!

---- ----
----
-----
-----