Ballina Arti Dëshmia e ish-prokurorit: Si e lirova nga burgu Ramiz Alinë dhe ministrin...

Dëshmia e ish-prokurorit: Si e lirova nga burgu Ramiz Alinë dhe ministrin e Brendshëm të PD-së dhe pse nuk firmosa arrestimin e Alfred Serreqit në ’87-ën

22
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ish-prokurorit Sokol Parruca me origjinë nga qyteti i Shkodrës, i cili pas diplomimit me rezultate të larta në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1975, u emërua prokuror, duke shërbyer në organin e akuzës për vite me rradhë në disa rrethe të vendit si: Lezhë, Tiranë, Skrapar, Shkodër, Krujë, etj., e deri në Gjykatën e Lartë në periudhën 1991-1993. Dëshmia e rrallë e ish-prokurorit Parruca, për disa nga proceset gjyqësore të tij gjatë periudhës së komunizmit, ku ai ishte detyruar që të dënonte disa shtetas me porosi nga ‘lart’, siç ishte rasti i Agron Belishovës në qytetin e Lezhës, apo se si refuzoi që të arrestonte një person që rastisi të ishte shoku i tij i fëmirisë, e deri tek refuzimi për të firmosur arrestimin e mjekut pediatër, Alfred Serreqi në vitin 1987, kur ishte prokuror në rrethin Krujës. Proceset e bujshme të pas viteve ’90-të, ku prokurori Parruca nxorri nga burgu Ramiz Alinë, si dhe ish-Ministrin e Punëve të Brendshme të Partisë Demokratike, në vitin 1997, Ali Kazazi, duke firmosur lirimin e tij nga salla e gjyqit etj.

Nga Dashnor Kaloçi

Ndonëse që prej vitit 1999 pati hapur një zyrë avokatie diku pranë banesë së tij tek “Shallvaret” dhe e ushtron atë profesion pa shumë zhurmë e bujë siç bëjnë rëndom disa nga kolegët e vet, emri i tij është mjaft i njohur, sidomos pas majit të vitit 1995, kur shërbente në Prokurorinë e Apelit në Tiranë dhe shtypi opozitar i asaj kohe filloi ta lakonte gjithnjë e më shpesh, duke e akuzuar se nga prokuror i asaj gjykate, ishte bërë avokat i ish-Presidentit Ramiz Alia, duke urdhëruar lirimin e tij nga salla e gjyqit.

Por ish-prokurori Sokol Parruca, me një karrierë të gjatë në profesion, nuk i pranon ato akuza. Ai shprehet se ka zbatuar vetëm ligjin, ashtu siç ka bërë edhe dy vjet më vonë me ish-ministrin e Brendshëm, Ali Kazazi, të ndaluar për ngjarjen e Milotit, të cilin gjithashtu e ka liruar nga salla e gjyqit. Për të gjitha këto qëndrime të mbajtura në funksion të mbrojtësit të akuzës, ai thotë se nuk ka asnjë brerje ndërgjegje dhe është krejt i qetë. Po të ishte ndryshe, ai nuk do të nguronte të kërkonte ndjesë, madje edhe publike ashtu siç ka bërë me disa ish-të dënuar politik të para viteve ’90-të, për të cilët thotë se janë dënuar padrejtësisht, me porosi nga ‘lart’. Se si i ka përjetuar ai këto ngjarje të karierës së tij si prokuror e avokat, na njeh me intervistën ekskluzive për Memorie.al që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

Zoti Parruca çfarë u bë shtysë që ju zgjodhët për të studiuar në Fakultetin Juridik?

Faktikisht pas mbarimit të maturës, preferencat e mija për shkollën e lartë ishin në degën e Gazetarisë dhe të Filozofisë, ndërsa Juridikun, e kisha vënë të tretën në kërkesën që bëra për të drejtën e studimit. Por ajo degë që e kisha vënë të tretën në kërkesën time, mu aprovua dhe unë e vazhdova me kënaqësi Fakultetin Juridik në Tiranë.

Si e kujton fillimin e punës tuaj në organet e Drejtësisë?

Ka qenë shumë e vështirë, pasi nga auditorët e fakultetit, pa bërë asnjë lloj stazhi, ne dilnim direkt në profesion, në sallën e gjyqit.

Cila ishte dosja e parë që i’u ngarkua ju si prokuror?

Më kujtohen si tani ditët e para të punës sime si prokuror në Prokurorinë e rrethit të Lezhës në vitin 1975, por dosjen e parë që mu ngarkua, sinqerisht që se mbaj mënd, pasi nuk do të ketë qenë ndonjë gjë me rëndësi, se ndryshe nuk do më ishte fshirë nga kujtesa.

 Po ndonjë dosje tjetër që ju kujtohet, nga ato të dënimeve politike, si “agjitacion e propagandë”, “tentativë arratisje”, etj?

Më kujtohet një dosje tjetër për agjitacion e propagandë me të cilën ishte caktuar një kolegu im. Ajo dosje ishte në ngarkim të një djali të ri nga qyteti i Lezhës, i cili ishte arrestuar dhe ishte marrë si i pandehur, pasi akuzohej se kishte kënduar një këngë italiane tepër të njohur në atë kohë. Unë i thashë kolegut tim se i pandehuri nuk duhej dënuar, pasi ai nuk e dinte tekstin e këngës për të cilën akuzohej dhe i’a këndova këngën nga fillimi në fund. Pas kësaj, insistova dhe ndikova shumë tek kolegu im, që ai djalë të dënohej sa më pak dhe nga 10 vjet që ishte neni i agjitacion-propagandës, ai u dënua vetëm 3 vjet burg.

Kur e keni ndjerë veten më ngushtë në punën tuaj para viteve ’90?

Ka pasur disa raste, pasi puna jonë si prokuror, nuk ishte për të shpërndarë fletë-lavdërime dhe dekorata, por vite burgu. Më kujtohet një rast në vitin 1984, kur më ngarkuan të arrestoja një person dhe kur shkuam aty për të ekzekutuar vendimin, pashë se ai ishte shoku im i ngushtë i fëmirisë. U tmerrova dhe më ranë djersë të ftohta, aq sa hetuesi dhe polici, nuk po kuptonin se kush ishte prokurori dhe ai që po merrej i pandehur. Menjëherë shkova në Prokurori dhe kërkova që ajo çështje t’i jepej dikujt tjetër. Dhe ashtu u bë.

Ka pasur raste që jepeshin porosi nga lart për të dënuar ndonjë person?

Ka pasur plot, por për mua personalisht rasti i parë dhe i fundit, ka qenë ai në Lezhë kur dënuam një person se kishte rrahur sekretarin e Partisë. Pas atij rasti mua nuk më jepnin më porosi, pasi më konsideronin liberal dhe jo besnik të tyre.

Gjatë karrierës suaj si prokuror para viteve ’90-të, a keni pasur ndonjë rast që familja juaj, apo të afërm, t’ju kenë ndërhyrë në ndonjë proces gjyqësor për të zbutur ndonjë dënim?

Nuk ka ndodhur kurrë që të më ndërhynte njeri nga familja apo të afërmit e mi, në lidhje me proceset gjyqësore, madje as nuk bëhej fjalë që problemet e punës t’i bënim biseda familjare. Por kujtoj një rast të vetëm kur kam refuzuar të firmos arrestimin e një personi me të cilin kishim njohje familjare. Kjo ka ndodhur diku nga viti 1987, kur shërbeja si prokuror në Prokurorinë e rrethit të Krujës, mu kërkuar që të studioja një dosje që na e kishin sjellë “organet kompetente” të Krujës, për arrestimin e një mjeku pediatër që punonte në spitalin e qytetit të Laçit. Kur e pashë dosjen, u habita, se bëhej fjalë për Alfred Serreqin, (Ministër i Punëve të Jashtëme në vitet 1992-1997) me familjen e të cilit, ne kishim një miqësi të vjetër si shkodranë. Nisur nga kjo, refuzova të firmosja arrestimin e tij, duke u’a argumentuar shefave, se provat për arrestimin e tij nuk ishin bindëse. Madje ato ishin të sajuara, me preteksin për një mjekim të pakujdesshëm të një fëmije të sëmurë, por kjo ishte politike. Kuptohet se unë nuk mund ta thosha atë gjë. Faktikisht, arrestimi i tij kërkohej për arsye të biografisë familjare, pasi ai kishte një vëlla të arratisur dhe një xhaxha të pushkatuar, etj., probleme të kësaj natyre, të cilat ishin në dosje.

Po pas viteve ’90, cilat kanë qenë disa nga proceset e rëndësishme që keni pasur ju si prokuror dhe çfarë qëndrimi keni mbajtur ndaj tyre?

Ndër proceset më të rëndësishme që kam pasur pas viteve ’90-të, ka qenë ai i ish-presidentit Ramiz Alia, në vitin 1995, kur isha në Prokurorinë e Apelit në Tiranë. Pasi më ra shorti për të gjykuar Ramiz Alinë, unë pashë dosjen e tij dhe konstatova se ai duhej liruar, sepse gjykata e shkallës së pare, kishte bërë një gabim ligjor, duke e lënë ende në burg. Gabimi i asaj gjykata ishte proçedurial dhe ai kishte ardhur pas përllogaritjes së gabuar të vuajtjes së dënimit të tij. Nisur nga kjo gjë, unë kërkova para Gjykatës së Apelit, lirimin e tij nga burgu dhe ajo gjykatë duke më mbështetur mua, vendosi lirimin e tij.

A patët konsekuenca pas lirimit të Alisë?

Asnjë lloj konsekuence nuk pata me përjashtim të shtypit pro-qeveritar të asaj kohe, i cili më sulmoi ashpër duke më akuzuar se: ‘nga prokuror, u ktheva në avokat të Ramiz Alisë’. Kjo çështje bëri bujë dhe u analizua nga autoriteti më i lartë i gjyqësorit shqiptar, i cili konstatoi se qëndrimi im ishte konform ligjeve në fuqi. Këtë gjë, i’a bënë të qartë edhe Presidentit të Republikës, Sali Berishës, dhe pas kësaj, unë nuk pata asnjë konsekuencë qoftë prej tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe as prej organeve të tjera eprore të Drejtësisë.

Nuk keni pasur asnjë ndërhyrje nga politika, pra nga partia në pushtet e asaj kohe, për dënimin e Alisë?

Apsolutisht nuk kam pasur asnjë ndërhyrje. Nuk kam pasur ndërhyrje jo vetëm nga politika, por as nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Alush Dragoshi, të cilin e kisha mik të ngushtë që nga koha kur punonim bashkë në Shkodër. Dragoshi nuk më ka ndërhyrë kurrë, as për Ramiz Alinë dhe as për ndonjë tjetër, gjë që normalisht si shokë që ishim edhe mund ta bënte.

Po proçes tjetër të bujshëm, keni pasur?

Në vitin 1998 kam pasur rastin e Ali Kazazit, ish-ministër i Brendshëm për pak ditë në ’97-ën, i cili ishte arrestuar nga gjykata e shkallës së pare, për ngjarjen e Milotit, ku kishte qenë dhe i ndjeri Azem Hajdari. Edhe ai proçes mua më ra me short dhe pasi studiova dosjen, pashë që nuk kishte asnjë provë për dënimin e tij. Jo vetëm që nuk kishte prova, por përkundrazi, ato ishin në favor të tij. Pas kësaj unë urdhërova lirimin e menjëhershëm të tij nga salla e gjyqit dhe gjykata e Apelit u detyrua ta lironte jashtë dëshirës së saj

 A patët konsekuenca pas lirimit të Kazazit?

U bë zhurmë dhe bujë e madhe nga shtypi i majtë, madje duke më quajtur mua njeri të Berishës. Kjo gjë ndoshta erdhi pasi një politikan i lartë i Partisë Demokratike, përshëndeti vendimin tim nga Radio ‘Kontakt’. Kjo gjë u bë sebep, që me ndarjen e Gjykatës së Apelit në vitin 1999, mua të më transferonin në Shkodër. Por nisur nga fakti se me atë qytet unë kisha shumë lidhje shoqërore, farefisnore, miqësore dhe shpirtërore, dhe do e kisha vështirë të punoja, nuk vajta. U detyrova të jap dorëheqjen, gjë e cila i pëlqeu shumë Prokurorit të Përgjithshëm dhe që nga ajo kohë, vazhdova të punoj si avokat.

Dëshmia e ish-prokurorit, Parruca: Për vite më brente ndërgjegja për dënimin e Agron Belishovës dhe kur përballeshim në rrugë…

Si rrallë ndonjë tjetër nga prokurorët, gjykatësit, hetuesit apo kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit që janë marrë me çështje të karakterit politik para viteve ’90-të, ish-prokurori Sokol Parruca, ka kërkuar ndjesë publike edhe në shtyp për pjesmarrjen e tij në ato proçese. Duke pasur brerje ndërgjegje për padrejtësinë që u bëhej të pandehurve, kryesisht atyre të akuzuar për faje politike, sido që “në emër të ligjit” dhe me porosi nga ‘lart’, ai nuk ka nguruar që t’i takojë disa prej tyre për t’u kërkuar ndjesë. Madje këtë gjë ai e ka bërë që para viteve ’90-të, kur shumkush prej kolegëve të tij, as që e çonte nëpërmend që t’i kërkonte falje viktimës së tij. Po të merrej vesh ajo gjë, më e pakta që mund të thoshin kolegët e tij për të, ishte: ‘Paska luajtur mëndsh’. Lidhur me këto, ish-prokurori Sokol Parruca, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al, duke u shprehur: “Më kujtohet një rast në Lezhë, kur një i pandehur nga fshati Balldren po gjykohej me akuzën: ‘Goditje për shkak të detyrës’. Ai kishte rrahur sekretarin e partisë, pasi e kishte kapur atë në flagrancë me të shoqen. E gjithë gjykata e Lezhës donte ta dënonte rëndë, pasi ai kishte ngritur dorë mbi përfaqësuesin e partisë. Gjyqin kundër tij e drejtonte vetë Kryetari i Gjykatës, ndërsa si prokuror i çështjes, isha ngarkuar unë. Duke qenë i ri, si në moshë ashtu dhe në profesion, edhe unë u bashkova me frymën e gjykatës, duke kujtuar se po i shërbenim Partisë.

Dhe sipas porosisë së ardhur nga lart, ai person u dënua me 3 vjet burg. Pas disa vjetësh, aty nga viti 1987, kur punoja ende në Prokurorinë e Shkodrës, rasti e solli që ta shihja atë person diku në rrugën nacionale, teksa ndalonte makinat në një postbllok, që bëhej për efekt të punimeve me eksploziv. I thashë shoferit tim që ta ndalonte makinën dhe dola e i kërkova falje. Ai më ndjeu dhe duke më përqafuar më tha: “Ti nuk kishte se ç’bëje, unë të kam kuptuar që atëhere në sallën e gjyqit”. Ka pasur edhe raste të tjera të kësaj natyre, por ajo që e ka munduar dhe gërryer më shumë ish-prokurorin Parruca, ka qenë rasti i një ish-të dënuari politik, vëllai i Liri Belishovës, ish-mjek i dëgjuar që ka vuajtur gjatë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Lidhur me këtë rast, Parruca shprehet: “Kam qenë prokuror në gjyqin kundër Agron Belishovës në Lezhë, të cilin me porosi nga ‘lart’, e dënuam me 10 vjet burg. Atëhere isha i ri dhe nuk e kuptoja, kujtonim se po bënim mirë dhe po i shërbenim Partisë. E ndjeva se kisha gabuar kur bëmë gjyqin e divorcit me bashkëshorten e tij, aty u ndjeva shumë ngushtë. Gjithmonë më ka brerë ndërgjegjia për atë njeri, të cilin e kishim dënuar kot, ndonëse me porosi nga lart. Pas viteve ’90-të jam shkëmbyer shpesh me të në rrugë dhe e kam parë drejtë e në sy si për t’i kërkuar falje për atë veprim të padrejtë qe kemi qenë të detyruar të bënim dikur”.

 

---- ----
----
----- ----
-----