Ballina Arti Dëshmia e ish-inxhinierit ushtarak: Denoncimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit që vinin në...

Dëshmia e ish-inxhinierit ushtarak: Denoncimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit që vinin në shtëpinë tonë, ‘për të parë emisione televizive’..

35
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon disa nga historitë e panjohura të Sajmir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”.

(Vijon nga numrat e kaluar)

----

Nga Sajmir Maloku

Në ato vite nga frika e Sigurimit të Shtetit edhe ato familje të pakta të kryeqytetit që kishin aparate të televizorit, i mbanin të mbyllura dyert e shtëpive të tyre, që të mos u vinin njerëz të paftuar brenda. Por në shtëpinë time vinin edhe informatorë dhe bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit të Shtetit, gjoja për të parë nga afër emisione televizive të huaja, duke u hequr sikur ishin miqtë tanë. Nga ana tjetër ata kishin bërë mjaft denoncime e dhënë shumë informacione Sigurimit të Shtetit, se çfarë ndodhte brenda mureve të shtëpisë tone, e çfarë bisedohej me njerëzit e shumtë të pranishëm të cilët edhe ata ndiqnin nga afër emisionet televizive.

Pothuajse ky ambient ishte shndërruar në qendër të madhe, sigurisht edhe fshehurazi për ndjekjen nga afër të kulturës perëndimore në mes të kryeqytetit. Gjithashtu babai dhe familja ime u thoshin njerëzve që vinin, se turistët anglezë na sillnin medikamente të shtrenjta, të cilat i’a kishin zgjatur jo pak jetën babait tim të paralizuar. Përveç kësaj, të huajt ishin treguar njerëz të mrekullueshëm e tepër humane, si gjatë viteve të Luftës për popullin shqiptar edhe tani, duke i ardhur në ndihmë një njeriu, me problemet që kishte im atë. Kjo bëri që familja ime të gëzonte famë dhe popullaritet te banorët e shumtë.

Në vitin 1973, Sigurimi i Shtetit e dërgoi dosjen time në Burrel

Ishte kjo arsyeja që unë dhe babai im flisnim fjalët më të mira për turistët anglezë, popullin Britanik, Mbretëreshën Elizabet II, Familjen Mbretërore të Saj, etj., kur hapej kjo bisedë në shtëpinë tonë me vizitorët e shumtë që vinin të shikonin programe të huaja televizive. Ardhja e shumë turistëve britanikë me banim në Angli, në Zvicër dhe në Suedi, për vizitë në shtëpinë time dhe korrespondenca zyrtare me to gjatë viteve 1965-1972, shqetësoi shumë Sigurimin e Shtetit. Për mua, Saimir Malokun, Sigurimi i Shtetit kishte hapur dosje formulare në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës. Në vitin 1973, kjo drejtori i’a dërgoi materialet e saj për mua Sigurimit të Shtetit të Repartit 3711 të Burrelit, ku hapet dosja e re formulare me shënimin “Sekret” Model 4, Kategoria 2 A, me nr. 1001 dhe pseudonimin armiqësorë “Patoku”.

Babait tim, Reshit Maloku, Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës i kishte hapur dosje formulare edhe atij qysh në vitin 1970. Më datë 31.07.1971, Reshit Maloku merret në përpunim aktiv 2 A dosja nr. 4383 Model 4, si agjent i mundshëm i Zbulimit Anglez me urdhër të N.D. – drejtor i Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës. Pra, unë Saimir Maloku dhe Reshit Maloku, babai im, me urdhër direkt të kryeministrit Mehmet Shehu dhe të Drejtorisë të Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë, ishim marrë në përpunim aktiv 2 A, si agjentë të mundshëm të Zbulimit Anglez dhe të dënoheshim si grup agjenturor tepër i rrezikshëm dhe me pushkatim.

Krijimi i dosjeve familjare apo personale sekrete të kategorisë 2 A, do të thotë se ai person mund të arrestohej në çdo kohë, edhe pa urdhër të prokurorit dhe të hetuesit të Shtetit. Dosja e familjes time ishte plot me informacione të mbledhura ndër vite nga bashkëpunëtorët dhe informatorët e Sigurimit të Shtetit në Tiranë. Koha tregoi se ishin me dhjetëra informatorë të Sigurimit të Shtetit e qytetarë të shumtë, që banonin në Tiranë e Burrel, që kishin dhënë informacione dhe deklarata, duke na akuzuar mua dhe familjen time “për veprimtari agjenturore dhe armiqësore kundër pushtetit popullor”.

Mjaft nga këto deklarata dhe informacione ishin të rreme dhe me plot shpifje të pabesueshme, që rënduan shumë në dënimin dhe torturat që ushtroheshin ndaj meje, si dhe në persekutimin e familjes time. Duhet të deklaroj se të gjithë këta turistë që erdhën në shtëpinë time, ishin njerëz të mrekullueshëm dhe mjaft humanitarë. Ata gjithmonë na thoshin: “Ju jeni një popull i vogël dhe i mrekullueshëm dhe banoni në një vend tepër piktoresk ku dalloheni për pasuri të mëdha natyrore”. Atyre nuk u pëlqente aspak të bisedohej për politikë, apo të merrnin informacione shtetërore. Ata ishin njerëz të dashur dhe të interesuar të mësonin gjuhën shqipe dhe zakonet shqiptare në veshjet popullore apo në gatimin e gjellëve tradicionale shqiptare.

Ndërkohë, informatorët dhe Sigurimi i Shtetit shpifnin për familjen time dhe për këta turistë të huaj. Siç e kam përmendur edhe më përpara, më 12 korrik të vitit 2018, Autoriteti për Informim të Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit në përvjetorin e ditëlindjes time dhe në prani të shumë ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, mediave dhe shumë ish të burgosur politikë, hapën në mënyrë publike dosjen time me shënimin: “Tepër sekret” Model 4, Kategoria 2 A, nr. 1001 për Saimir Malokun.

Ndërsa mua më kishin vënë pseudonimin armiqësor “Patoku”, si objekt i përpunimit paraprak që të mos zbulohej që unë ndiqesha e survejohesha në mënyrën më të fshehtë dhe më të sofistikuar nga Sigurimi i Shtetit për lidhje tepër të dyshimta me Agjenturën Britanike dhe atë të shumë vendeve të tjera Perëndimore. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit dyshonte se shtëpia ime ishte baza më e madhe e Agjenturës Britanike dhe Perëndimore në Shqipëri. Këtë e tregojnë mjaft dokumente tepër sekrete të Sigurimit të Shtetit të atyre viteve, që unë në mënyrë tepër të përmbledhur, po ju informoj për disa prej tyre në mënyrë të saktë, sa më origjinale dhe të plotë dhe që janë tepër tendencioze e të mbushura me trillime e shpifje të ndyra ndaj meje dhe familjes time:

“Patoku”, pseudonimi që më ngjiti Sigurimi dhe turisti britanik në shtëpinë tonë

(Patoku – pseudonimi armiqësor i S. Malokut) 124 1) Informacion i plotë i dhënë nga A.D. në prani të dy oficerëve të Drejtorisë së Parë të Kundërzbulimit, me emrat J.S. dhe R.B. në datën 15 korrik të vitit 1972 në Tiranë, është si vijon: Unë i quajturi A.D. informoj se më datë 4 korrik të vitit 1972, paradite, në shtëpinë e Reshit Malokut, rruga “Shyqyri Bërxolli”, nr. 17, Tiranë, e ndodhur mbrapa ambasadës turke, ka shkuar një turist suedez me gruan e tij. Reshiti në atë kohë ka qenë i shtruar në Spitalin e Tiranës. Në shtëpi, nga sa di unë, ka qenë gruaja e Reshitit dhe djali i dytë, i quajtur Saimir Maloku, i cili aktualisht është student në Universitetin e Tiranës për inxhinieri dhe zotëron gjuhën angleze.

Turisti i sipërpërmendur e ka gjetur adresën me anë të një skice, të cilën i’a ka dhënë me vete para se të vinte në Shqipëri një turist anglez, i cili ka qenë në Shqipëri para dy-tre vjetësh dhe ka marrë kontakt me personat e kësaj familjeje në atë kohë duke qenë i shoqëruar me një shqiptar. Me anglezin në fjalë ka mbajtur dhe mban korrespondencë edhe djali i tretë i Reshitit, i quajtur Fatos Maloku, i cili aktualisht është ushtar në Berat. Nga sa kam mundur të mësoj, mbasi është larguar turisti suedez, i cili ka qenë më datë 4 korrik të vitit 1972 në shtëpinë e Reshitit, sa kishte parë fotografinë e Fatosit, pa e njohur atë personalisht, por sipas të dhënave të turistit anglez, menjëherë kishte thënë se “ky është Fatosi”.

Denoncimi i A.D.: Saimiri është takuar me turistin anglez te liqeni”

Një fotografi të Fatosit ai e mori me vete. Fatosi erdhi në shtëpi mbas disa ditësh. (A.D. gënjeu për Fatosin sepse fotografia ishte e imja, mbasi turisti kishte njohjeje me mua). Rreth familjes së mësipërme të Reshit Malokut, siç kam dëgjuar para disa vitesh, djali i dytë, Saimiri, duke qenë te Parku i madh te Liqeni Artificial, e duke gjuajtur peshk, është takuar me një anglez, i cili shpjegohet si shkak i njohjes së kësaj familjeje me anglezin si para dy vitesh dhe me suedezin e datës 4 korrik të vitit 1972.

Reshiti ka mbaruar Shkollën Teknike Amerikane të Fultzit. (A.D. gënjen, se unë asnjëherë nuk kam gjuajtur peshk dhe me turistin anglez jam takuar në vitin 1965 në Parkun e madh të Tiranës i quajtur Parku ose Lulishte “Rinia”). Nga sa di unë, turisti suedez ka prurë syze, letra bixhozi dhe shumë medikamente. Bëhet fjalë edhe për një radio dore, por kjo nuk është e saktë. (Këtu A.D. lë dyshime për radiotransmetuese). Gjithashtu, me sa di unë, ditën që turisti suedez ka shkuar në familjen e Reshitit, Saimiri, me kërkesën e suedezit, ka shkuar dhe ka blerë dy libra. Nuk di se i ka blerë dhe në çfarë gjuhe ishin. Të dhënat e mësipërme i kam mësuar nga familja ime dhe kryesisht nga gruaja ime H.D.

(A.D. gënjen sepse këta dy turistë nuk ishin suedezë, por qytetarë britanikë, që punonin dhe jetonin në Zvicër. Ai quhej K.B., i cili punonte pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ka ardhur disa herë në Shqipëri edhe më pas, në muajin maj të vitit 1986 si dhe në vitin 1994, i ftuar nga qeveria shqiptare). Më poshtë është vlerësimi i dhënë nga dy oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët shkruajnë: Informacioni i dhënë paraqet interes operativ për faktin se turisti “suedez”, në bazë të të dhënave si gjetjen e shtëpisë përmes një skice, njohjes së menjëhershme të Fatosit dhe marrjen e fotografisë së tij (kjo është për mua, Saimirin), dërgimin e Saimirit në blerjen e librave, ky turist duhet të jetë agjent i zbulimit anglez dhe duhet të ketë ardhur në vendin tonë me detyrë të caktuar.

Nga ana tjetër, familja e Reshitit ku ka shkuar “turisti” (veçanërisht djemtë), duket se paraqesin interes për zbulimin anglez për vendet e punës, që ata janë: Saimiri oficer dhe tani studion në universitet, ndërsa Fatosi është ushtar. Ky informacion u shtyp në tre kopje, e që do t’i dërgohet Drejtorisë të Sigurimit të Shtetit, Drejtorisë të Sigurimit të Ushtrisë dhe Drejtorisë së Parë të Kundërzbulimit në Tiranë.

“Turistët e huaj me anë të një skice, gjetën shtëpinë e familjes Maloku”

2) Shënim operativ i datës 13 .09.1972, i takimit që dy oficerët e Drejtorisë së Kundërzbulimit, përkatësisht R.B. dhe N.Ç. kanë patur me A.D. për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me denoncimin që ai ka bërë për të quajturin Reshit Maloku dhe për dy djemtë e tij. Aty A.D. shpjegon se denoncimin e tij më datën 15 korrik të vitit 1972, e kishte bërë sipas të dhënave nga gruaja e tij H.D. dhe nuk ka lidhje gjinie me familjen e Reshit Malokut, por janë komshinj të vjetër. Ajo që më tërhoqi vëmendjen, tha A.D., ishte fakti se si këta dy vizitorë të huaj, burrë e grua, pa qenë asnjëherë në Shqipëri, me anë të një skice erdhën pikërisht në shtëpinë e Saimirit.

Si e njihnin këtë familje sipas rekomandimit që u kishte bërë turisti anglez dhe që kishte qenë më parë në Shqipëri? Ku e dinin ata se Reshiti ishte i sëmurë dhe i prunë medikamente për sëmundjen konkrete që ai kishte? “Ata i dhanë dhurata si dhe një radio dore, siç më tha gruaja ime H.D”. Nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit, i’u tha A.D., që ai me takt të bisedonte me gruan e tij për të mësuar hollësira lidhur me dhuratat që kanë sjellë turistët për familjen Maloku. Për këtë gjë gruaja e tij H.D. duhet të ketë takt të bisedojë me gruan e Reshitit duke i thënë se nëse i bënë përmirësim shëndeti nga ilaçet e tyre dhe, po të jenë të mira, të kërkojë përsëri.

Gjithashtu, A.D. i thashë që të interesohet të mësojë se kush hyn e kush del në shtëpinë e Reshitit; cilët janë komshinjtë e tjerë dhe çfarë marrëdhëniesh ka ai me ato; nëse ka patur raste të tjera që vizitorë të ardhur nga Anglia ose Amerika kanë ardhur në shtëpinë e Reshit Malokut; cilët janë ata dhe kur kanë ardhur. Gjithashtu, në këtë shënim operativ, u bë verifikimi i listës emërore të grupit turistik, e cila ka edhe fotografitë e secilit turist që kishte ardhur gjatë muajit korrik të vitit 1972 në Tiranë dhe i’u tregua A.D. Gjithashtu këtu është edhe lista emërore e shumë turistëve dhe qytetarëve të huaj me banim në Angli, Izrael, Itali, Zvicër, SHBA etj., të cilët nga viti 1964 e në vazhdim, kanë patur korrespondencë postare me familjen tonë.

Denoncime të kësaj natyre për takimet e familjes time me turistët britanikë janë të shumta të bëra nga informatorë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit, si….

 

----- ----