Ballina Arti Dëshmia e ish-inxhinierit ushtarak: Dënimi im në Burrel, pas urdhrit të Mehmet...

Dëshmia e ish-inxhinierit ushtarak: Dënimi im në Burrel, pas urdhrit të Mehmet Shehut, më cilësoi ‘armik i poshtër’

30
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Saimir Maloku

Publikohen disa nga historitë e panjohura të Saimir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”.

Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Saimir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emission televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlkidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Saimir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al  

                                                   Vijon nga numri i kaluar

“Saimir Maloku ka dhjetë vjet që takohet me turistët e huaj”

Më datë 13 Maj të vitit 1976, ora 13.00, në sallën më të madhe të konferencave dhe të shfaqjeve kulturore të qytetit të Burrelit, që ndodhet 100 km. larg kryeqytetit të vendit, Tiranës, përfaqësuesi më i lartë i Partisë Komuniste dhe i Ushtrisë të Burrelit I.F. në një mbledhje të Shkurtër dhe të jashtëzakonshme në prani të afro 600 vetave deklaroi: “Vendet e huaja perëndimore me anë të turistëve të huaj, të cilët janë agjentë të tyre dhe që vizitojnë vendin tonë, kanë për qëllim përmbysjen e pushtetit tonë popullor. Prandaj, ndalohet rreptësisht takimi i ushtarakëve dhe i qytetarëve me këta turistë. Midis nesh ka edhe të tillë si Saimir Reshit Maloku, i cili për gati 10 vjet është takuar në shtëpinë e tij në Tiranë me mjaft turistë anglezë, zviceranë dhe suedezë.

Për këto takime të tij me turistët e huaj, ai do të hetohet dhe do të përgjigjet para Partisë edhe popullit për lidhjet e tij agjenturore me ata”. Sapo mbaroi deklaratën e tij, menjëherë dy oficerë të Sigurimit të Shtetit më vunë prangat metalike. Ata, duke më shtyrë edhe më mbërthyer prej krahësh, me shpejtësi më hipën në një makinë të vogël të Policisë. Pastaj më dërguan në godinën e Drejtorisë së Policisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Kjo quhej edhe Dega e Punëve të Brendshme e Burrelit. Atje pasi më bënë kontrollin në trup dhe të sendeve personale, Policia më futi në një qeli të nëndheshme dhe tepër të vogël të kësaj godine. Gjithashtu, Policia më informoi se unë do të qëndroja në këtë qeli të nëndheshme gjatë gjithë kohës së paraburgimit dhe të hetuesisë deri sa të dilja në gjyq dhe pastaj do të më dërgonin në burgjet politike për të kryer dënimin. Pas dy orësh erdhi hetuesi i Sigurimit të Shtetit me inicialet A.B. dhe më njoftoi akuzën e dytë ndaj meje “Për agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor”.

Për të dyja këto akuza tepër të rënda unë mund të dënohesha me varje ose me pushkatim. Arrestimi im publik u bë me urdhër të kryeministrit komunist M. Shehu, më datë 4.05.1976 ku ai shkruan me stilolaps dhe firmos urdhrin e arrestimit, ku shkruan: “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër!” Kjo ndodhet në shkresën sekrete nr. 1742 Prot. DT. 26.4.1976 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit dhe ajo e Ushtrisë.

“Saimir Maloku, agjent i Zbulimeve e Britanike dhe këlysh i Perëndimit”

Në këtë shkresë unë akuzohem për dyshime të mëdha si agjent i mundshëm në shërbim të Zbulimeve Britanike dhe Suedeze edhe për veprimtari të theksuar armiqësore kundër pushtetit dhe Partisë Komuniste. Në dosjen time më cilësoi si: “Këlysh i Perëndimit dhe i Beqir Ballukut, etj”. Gjithashtu, urdhër të njëjtë arrestimi për mua e dha edhe Hysni Kapo – Sekretar i Partisë Komuniste (e Punës) të Shqipërisë, duke më konsideruar: “Njeri me pikëpamje mikroborgjeze perëndimore” etj. Gjithashtu, kjo dosje ishte hetuar dhe firmosur nga hetuesja e lartë e Sigurimit të Shtetit D.V. dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Shtetit S. S. Këto informacione m’i tregoi hetuesi im A.B. duke më lexuar dosjen e arrestimit tim. Njoftim të Shkurtër për arrestimin tim dha në emisionin e lajmeve edhe stacioni i Radio Televizionit Shqiptar. Duhet të theksoj se Beqir Balluku ka qenë ish – ministër i Mbrojtjes dhe ai nuk lejoi që unë të arrestohesha në vitin 1973 për takimet me turistët e huaj. Në muajin nëntor të vitit 1975 ai u pushkatua me akuzën e rëndë dhe të trilluar nga Sigurimi i Shtetit “Si njeri i Perëndimit, i cili me anë të një grushti ushtarak të shtetit gjoja kërkonte të përmbyste Pushtetin Popullor, etj”. Ai dhe babai im, Reshit Maloku, kanë qenë bashkëmoshatarë si dhe shokë të ngushtë të rinisë të asaj kohe si edhe bashkënxënës në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës.

Arrestimi im public bëri bujë të madhe në të gjithë Shqipërinë, sepse familja ime i përkiste familjeve më patriotike, më të vjetra dhe më sportive të Tiranës. Cili ishte Komunizmi shqiptar që bënte arrestime të tilla publike për t’i future frikën popullit tonë dhe të forconte regjimin e tij? Shqipëria ishte vendi me të kaluarën komuniste më të egër në historinë europiane të gjysmës së dytë të shekullit XX. Për afro gjysmëshekulli krimet e regjimit komunist ishin të panumërta. Bazuar në të dhënat e publikuara nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Viktimave të Traumës dhe të Torturës si dhe të Institutit të Integrimit të ish – të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë krimet komuniste ishin si vijojnë: Ai ekzekutoi për motive politike 5.037 burra dhe 450 gra; burgosi 26.788 burra dhe 736 gra; internoi dhe dëboi afro 50.000 familje vetëm sepse ideali i tyre ishte Demokracia e sotme Perëndimore.

Afro 700 mijë veta u persekutuan nga regjimi komunist për 47 vjet me radhë kur popullata e Shqipërisë në vitin 1991 ishte rreth 3.5 milionë banorë. Regjimi komunist për të mbuluar dhe fshehur para popullit dhe opinionit ndërkombëtar krimet e rënda që kishte bërë në katër vitet e para të tij ku ishin me mijëra viktima të pafajshme, për arsye demagogjike dhe propagandistike, në Kongresin e saj të Parë të vitit 1948 ia ndërroi emrin Partisë Komuniste në atë të Partisë së Punës. Por për popullin ajo ishte dhe mbeti përsëri Partia Komuniste, e cila u krijua më 8 Nëntor të vitit 1941 me drejtues të saj E. Hoxhën.

Të njëjtën gjë bënte edhe diktatori komunist në fjalimet e tij, siç thotë populli: “Ujku lëkurën e ndërron, por vesin e tij jo”.

Partia Komuniste e Shqipërisë ishte si struci afrikan apo ai australian, i cili për të fshehur trupin e tij fuste kokën në rërën e shkretëtirës. Kjo sepse pavarësisht ndërrimit të emrit të saj, populli ynë dhe vetë Partia i quajti gjithmonë anëtarët komunistë. Ndërsa qytetarët e devotshëm, që përkrahnin Partinë Komuniste, populli ynë i quajti enverista, militantë apo ekstremistë të komunizmit. Qëllimi i tyre ishte që të diskreditonin dhe të fyenin në mënyrë publike armiqtë e popullit dhe familjet e tyre.

Gjithashtu ato ishin si urat lidhëse të Partisë me popullin dhe kërkonin të punonin nëpër poste apo vende pune të rehatshme dhe me rroga të majme. Lind pyetja pse diktatori Hoxha dhe regjimi komunist kur Partia Komuniste ndërroi emrin në Partia e Punës nuk ndërroi emrin e gjithë anëtarëve të saj që duhet të quheshin punëtorë në vend të emërtimit komunistë? Pra Partia Komuniste kishte në plan të parë shprehjen: “Bëni si them unë dhe mos bëni çfarë bëj unë”. Prandaj unë në rrëfimin tim nuk do t’ia ndërroj emrin kësaj partie famëkeqe, por do ta lë vetëm si Partia Komuniste, e cila sundoi për 47 vite duke vendosur një shtet totalitar dhe diktaturën komuniste më të egër në Evropë. Historianët komunistë si benjaminë të këtij regjimi edhe sot e kësaj dite le ta quajnë këtë parti si të duan vetë.

Diktatori Hoxha në fjalimet e tij para popullit thoshte: “Ta ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Në vitin 1976, kur unë u arrestova, me Kushtetutën e re u shpall Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Kur u përmbys socializmi në Shqipëri, më 20 Shkurt të vitit 1991 komunistët, bazuar në proverbin “Kush rri nën pemën e dardhës, dardha do të hajë”, kaluan në një taktikë të re politike dhe demagogjike për t’i hedhur një grusht pluhur syve popullit shqiptar, duke mos e hequr termin “socialist” dhe emrin e shtypit të saj. Pra, më 13 Qershor të vitit 1991 komunistët shqiptarë ndërruan emrin e Partisë Komuniste (e Punës) dhe mbajtën përsëri gazetën “Zëri i Popullit”, që krijoi Enver Hoxha dhe Partia e tij qysh në vitin 1942.

Gazeta “Zëri i Popullit” ka qenë gazeta zyrtare e Partisë Komuniste, e Partisë së Punës dhe e Partisë Socialiste. Pra, boshti ideologjik i kësaj gazete ka qenë ideologjia komuniste, e përshtatur sipas periudhës historike dhe politike të vendit tonë. Në vitin 1991 Partia e Punës ndërroi emrin e saj në Partia Socialiste. Kjo është arsyeja kryesore që shtresa e të persekutuarve politikë Partinë Komuniste e quan Partia – mëmë; Partinë e Punës si Partia – bijë, ndërsa Partinë Socialiste si Partia – mbesë. Dhe kjo e gjitha është origjina e Partisë Komuniste në Shqipëri dhe si arsyeja kryesore që nuk u dënuan kriminelët komunistë dhe krimet e tyre të tmerrshme.

Pothuajse të gjithë persekutorët tanë ishin komunistë dhe si elita më e nderuar e diktatorit dhe e Partisë Komuniste (e Punës). Koha tregoi se tani, në vitet e Demokracisë, ata dhe fëmijët e tyre ishin dhe janë mbështetja kryesore e Partisë Socialiste. Ndërsa komunistët e djeshëm sot quhen socialistë, ndërsa ekstremistët komunistë si “enverista”. Po mos të reformohen socialistët e sotëm dhe partitë e tjera politike, nuk do ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri. Kjo po shkakton emigrimin masiv, kryesisht të rinisë shqiptare drejt vendeve perëndimore.

Pra, Shqipëria, si dikur, vazhdon të ecë akoma në shumë drejtime me mentalitetin e vjetër komunist edhe sot e kësaj dite. Dhelpra e vjetër nuk e ndryshon zakonin e hershëm të saj, por mbetet gjithmonë një kafshë e egër e pyllit siç thotë populli: “U plake, u plake moj dhelpër dinake, por zakonin e vjetër nuk e hoqe dhe nuk e harrove kurrë”. Ja, kjo është arsyeja kryesore që historianët e djeshëm ish-komunistë vazhdojnë të mbrojnë akoma në mënyrë të kamufluar regjimin e vjetër komunist sipas shprehjes popullore “Qengji i mirë pi në dy nëna”. Pra, këta historianë ish – komunistë janë me vende pune të mira dhe me rroga të majme si dje ashtu edhe sot.

Sa kuptimplote tingëllon edhe sot e këaj dite shprehja e një plaku të vjetër në Rumani, të cilin kur e pyetën disa gazetarë perëndimorë në vitin 1992 se cili ishte dallimi midis regjimit komunist dhe demokracisë së sotme, ai u përgjigj: “Fëmijët e udhëheqësve tanë komunistë u bënë udhëheqësit tanë në kohën e demokracisë dhe janë specialista në politikë si baballarët e tyre”. Për shprehje të kësaj natyre populli thotë: “Kujt t’i djegë kjo shprehje, le t’i kruhet kurrizi”. Është nevojë emergjente e politikanëve shqiptarë që të gjitha partitë politike të vendit tonë të distancohen plotësisht nga e kaluara dhe mentaliteti komunist si dhe të ndërtohet Memoriali në Nderim të Viktimave të Komunizmit, të vendoset Monumenti i Ushtarëve Aleatë dhe të njihet si festë kombëtare dita e 20 Shkurtit të vitit 1991.

Pa simbole të Demokracisë nuk ka demokraci të vërtetë në Shqipëri, por vetëm pseudodemokraci dhe ngadalësim të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke mos u bërë akoma dekomunistizimi i Shqipërisë, atëherë Vendet Perëndimore i hapën dyert e tyre për qindra mijëra emigrantë shqiptarë me pikëpamje demokratike dhe properëndimore. Duhet të theksoj se Partia Komuniste (e Punës) e Shqipërisë në vitin 1991, kur fitoi demokracia në vendin tonë, kishte mbi 100 mijë anëtarë të saj. Nuk është për t’u habitur se gjatë këtyre 28 viteve të Demokracisë pothuajse të gjitha institucionet shtetërore kanë qenë të uzurpuara nga ish-komunistët. Fatkeqësia e popullit shqiptar si gjatë regjimit komunist edhe sot se është tepër i politizuar ashtu si ajo shprehja: “Pa bukë rrimë, por pa politikë jo”.

Kur isha i vogël, babai im, Reshiti, më tregonte se ujkun edhe po ta kapësh të gjallë dhe ta ushqesh, ai nuk zbutet sepse e ka mendjen të shkojë në pyll. Ashtu si vesi i ujkut, edhe diktatori edhe Partia Komuniste deklaronin në popull se si busull orientimi e punës së tyre ishte doktrina marksiste – leniniste. Ja sa e madhe ishte analogjia e ujkut me Partinë Komuniste, sepse koha tregoi se të dyja ishin të dëmshme për shoqërinë njerëzore në vendin tonë dhe në botë. Pra Partia Komuniste ishte e zgjuar si dhelpra dinake me propagandën e saj dhe si ujku për krimet që bënte në popull dhe e kishte kthyer atë si bagëtia.

Diktatura komuniste e izoloi dhe e rrethoi Shqipërinë me tela me gjemba dhe me tension të lartë elektrik, me ushtarë dhe qen kufiri duke dashur të fshehë të vërtetën që ndodhte në vendin tonë. Familjet e persekutuara politike, që banonin pranë kufirit shtetëror ky regjim gjakatar i internoi në fshatrat më të humbura dhe më të varfra të Shqipërisë. Diktatura komuniste për të mbajtur popullin gjithmonë të nënshtruar, përdorte forma të ndryshme sipas modelit sovjetik apo stalinian. Për këtë qëllim ajo ngriti mjaft burgje dhe disa kampe përqendrimi të rrethuara me tela me gjemba si ai i Tepelenës, i Fushë – Krujës etj. Populli këto kampe përqendrimi i quajti kampe vdekjeje. Nga kushtet e këqija higjieno-sanitare, të ushqimit të keq, nga puna e rëndë dhe tepër rraskapitëse, dhuna e Policisë, sëmundjet e shumta etj., aty vdiqën shumë veta.

Akoma më dramatike dhe tepër alarmante ishte vdekja e qindra fëmijëve të vegjël nga kushtet e këqija e nga sëmundjet infektive si dizenteria, fruthi, verdhëza etj., të cilët banonin brenda këtyre kampeve. Regjimi komunist, nga frika e dënimit me sanksione të rënda nga organizatat dhe gjykatat ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, u detyrua t’i mbyllte këto kampe përqendrimi në muajin mars të vitit 1954 në Shqipëri. Populli ynë u alarmua shumë për ekzistencën e këtyre kampeve famëkeqe të vdekjes. Gjithashtu, me mijëra të burgosur politikë u vunë të punonin sikur të ishin skllevër, në tharjen e kënetave si ajo e Maliqit, e Tërbufit apo në hapjen e kanaleve kulluese e vaditëse ku shumica prej tyre vdisnin nga puna e rëndë dhe malaria. Babai im, Reshiti, më tregonte se pas çlirimit të vendit, Qeveria Komuniste përdori metoda djallëzore të zbulimit të kundërshtarëve politikë të regjimit.

Gjatë zgjedhjeve elektorale, në qendrat e votimeve vendoseshin dy kuti të mëdha në një dhomë të fshehtë votimi. Qytetarëve u jepej nga një gogël e vogël prej gome në ngjyrë të zezë. Shumica e qytetarëve, nga frika, e hidhnin goglën e zezë te kutia ku shkruhej “Pro Qeverisë”. Ndërsa kundërshtarët politikë e hidhnin te kutia ku shkruhej “Jo Qeverisë”. Kjo kuti e dytë ishte e zbrazur nga pjesa e fundit dhe goglat binin përtokë duke i zbuluar ato. Po kështu, edhe më vonë letra e votimeve në zgjedhjet elektorale për personat e dyshuar kundërshtarë politikë kishte një numër të fshehtë dhe mbas votimeve zbulohej se për cilin kishin votuar ata.

Gjithë kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre internoheshin apo dëboheshin më vonë. Në votime falsifikohej rezultati përfundimtar ku 98 për qind të Zgjedhjeve Parlamentare, si gjithmonë, i fitoi Partia Komuniste. Kjo gjë të kujtonte historinë gazmore të një atleti, i cili garonte i vetëm dhe në fund të garës thoshte që zura vendin e parë. Kjo situate e rëndë politike në vendin tonë ka shqetësuar Vendet Perëndimore për të dhënë një përgjigje të saktë. Pra e ka fajin pozita apo opozita? Koha do të tregojë se kush ka të drejtë. Suprimimi dhe heqja e Ministrisë së Drejtësisë si dhe i institucionit të Avokatisë bëri që të forcohej diktatura komuniste duke u vendosur një regjim totalitar ku Partia Komuniste kontrollonte e vetme shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Partia Komuniste nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe të Policisë për dyshimin më të vogël arrestonte çdo qytetar të Shqipërisë. Vendet fqinje dhe ato perëndimore regjimi komunist i konsideroi si vende armike, që kërkonin të përmbysnin pushtetin popullor. Ky regjim shkeli haptazi Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në botë. Më datën 6 Tetor të vitit 1966 diktatori Hoxha dhe Partia Komuniste (e Punës) që të kishin nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokuroritë të cilat me Kushtetutë konsideroheshin si institucione të pavarura, deri në vitin 1990 suprimoi dhe hoqi Ministrinë e Drejtësisë si një ndër institucionet kyçe të sipërpërmendura, gjoja si të panevojshme. Këto kompetenca i mori Gjykata e Lartë.

Diktatori komunist Hoxha, deklaroi se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste dhe Kongresi I saj vunë nën kontroll të plotë të gjitha gjykatat si edhe për vendimet që ato merrnin.

Pothuajse të gjithë oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe të Policisë si dhe gjyqtarë dhe prokurorë ishin komunistë. Ata quheshin si leva kryesore të Partisë Komuniste (të Punës) për të kontrolluar dhe për të mbajtur pushtetin në fuqi. Mbas disa muajve diktatori Hoxha i influencuar nga Revolucioni Kulturor i Kinës, urdhëroi në mënyrë të fshehtë Partinë Komuniste për heqjen e fesë në Shqipëri. Në çdo vend të botës ligjet e shtetit merren me krimet e ndryshme që dalin hapur, ndërsa feja merret kryesisht me të fshehtat e botës shpirtërore të popullit dhe të njeriut. Por regjimi komunist ishte një tiraní e maskuar dhe gjakatare. Prandaj ai për të kontrolluar botën shpirtërore të popullit dhe për të vendosur moralin komunist iu kundërvu me një armiqësi të pashembullt fesë dhe kulteve fetare në vendin tonë.

Gjithashtu, ai u hakmor ndaj njerëzve të nderuar të fesë duke i pushkatuar dhe dënuar me burgime të rënda. Një filozof i madh ka thënë: “Një popull pa fe është si kali pa fre”. Edhe diktatori Hoxha i hipi mbrapsht “kalit të komunizmit” dhe me luftën e tij kundër fesë e izoloi Shqipërinë dhe popullin tonë në arenën ndërkombëtare. Prandaj kjo shprehja e mësipërme për fenë e këtij filozofi të madh u përhap shumë në të gjitha familjet e varfra dhe antikomuniste të popullit tonë në atë kohë. Kjo bëri që me dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të luteshin e të faleshin fshehurazi gjatë ditëve të shënuara fetare. Por Partia Komuniste (e Punës) dhe Sigurimi i Shtetit për të zbuluar këta besimtarë të fshehtë, sidomos ata të fesë myslimane, përdori metoda të fshehta dhe dinake. Ajo urdhëroi sekretarët komunistë të institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve dhe të fabrikave apo të kooperativave bujqësore që gjatë ditëve të agjërimit të Muajit të Ramazanit të ftonin në zyrat e tyre këta besimtarë të dyshuar dhe t’i gostitnin duke u dhënë sallam derri, ujë etj. Ndërsa mësuesit nëpër shkolla pyesnin nxënësit e vegjël nëse nuk hanin ushqim gjatë ditës prindërit e tyre apo nëse ata faleshin fshehurazi dhe kishin akoma librat e shenjtë të Kuranit e të Biblës nëpër shtëpitë e tyre.

Heqja e fesë në Shqipëri shkaktoi një plagë të madhe shpirtërore

Heqja e fesë në Shqipëri shkaktoi një plagë të madhe shpirtërore për popullin tonë, e pasuar me vuajtje, krime dhe përkeqësim të ekonomisë. Kjo gjë rriti urrejtjen e madhe të popullit ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Për të forcuar kontrollin mbi Policinë dhe Sigurimin e Shtetit regjimi komunist Drejtoritë e Policisë dhe të Sigurimit të Shtetit të qyteteve i quajti Dega e Punëve të Brendshme për çdo rreth. Aty planifikoheshin dhe bëheshin arrestime të shumta sipas një plani ogurzi të caktuar më parë. Siç e theksova më parë, në vitin 1967 diktatori komunist e shpalli fenë të paligjshme. Për pasojë, u goditën dhe u shkatërruan përfundimisht institucionet fetare dhe Shqipëria u shpall zyrtarisht vendi i vetëm ateist në botë. Për pasojë, regjimi komunist prishi 740 xhamí, 608 kisha ortodokse, 157 kisha katolike dhe 530 tyrbe dhe teqe bektashiane. Kjo bazuar në një raport informativ dhe urdhër sekret i diktatorit Hoxha i shpërndarë në organizatat e Partisë Komuniste në të gjithë vendin.

Për këto veprime tepër barbare të regjimit komunist ndaj fesë, Zoti dha mallkimine tij të madh. Disa muaj më vonë, më datë 30 nëntor të vitit 1967 në zonën Dibër – Librazhd ra një tërmet mjaft i fuqishëm i shkallës 6.6 Rihter. Si pasojë, u prishën me qindra shtëpi në 177 fshatra dhe vdiqën e u plagosën shumë veta. Me këto veprime barbare diktatori Hoxha dhe regjimi komunist i treguan opinionit botëror se ata janë armiqtë më të mëdhenj të fesë në botë. Mediat e huaja perëndimore dhe ndërkombëtare e cilësuan diktatorin Hoxha si Antikrishtin më të madh të botës dhe Partinë Komuniste (e Punës) si Parti e Djallit. Ato shkruanin se si diktatori që kishte mbiemrin fetar Hoxha edhe kryeministrin po me mbiemrin fetar Shehu hoqën dhe injoruan me paturpësinë më të madhe fenë tradicionale të prindërve dhe të gjyshërve të tyre me shekuj të tërë.

Me dhjetëra priftërinj dhe hoxhallarë të nderuar u pushkatuan

Me dhjetëra priftërinj dhe hoxhallarë të nderuar u pushkatuan dhe u burgosën në burgjet e tmerrshme komuniste. Një numër shumë i madh klerikësh të nderuar, së bashku me familjet e tyre u internuan apo u dëbuan në vendet më të humbura të Shqipërisë. Shumë prej tyre vdiqën nëpër burgje dhe në internime. Diktatori komunist në shumë fjalime të tij, me paturpësinë më të madhe deklaroi para popullit: “Feja është opium për popullin, ndërsa tani Zoti i Shqipërisë jemi ne Partia Komuniste duke qenë shteti i vetëm ateist në botë, etj. Partia Komuniste është zemra dhe truri i popullit. Tradhtarët duhen dënuar, ndërsa armiqtë tanë janë borgjezia dhe imperialistët”. Gjatë kësaj kohe mjetet e propagandës dhe fjalimet e diktatorit Hoxha patën një ndikim kaq të madh në popull, që e helmuan dhe e çoroditën trurin e tij që të besonin se Partia Komuniste ishte gjithçka që vendoste në fatin dhe jetën e tyre. Shumica e popullit në jetën e përditshme betoheshin apo luteshin duke thënë: “Për ideal të Partisë”.

Kjo nënkuptonte se ata vendosnin të besonin në jetën e tyre vetëm te Partia Komuniste, duke nënvleftësuar pjesëtarët e tjerë të familjes. Pra, “krimet famëkeqe dhe pikëpamjet ideologjike” të komunizmit kishin hyrë thellë në trurin e popullit tonë të varfër. Partia Komuniste dhe diktatori Hoxha duke çoroditur trurin dhe mendjen e popullit shqiptar, e kishin kthyer atë si bagëtia, që bënin çfarë të donin me atë. Nëpër muret e shkollave, të institucioneve shtetërore, të objekteve ushtarake, në burgje e tjerë ishin vënë parulla të mëdha të diktatorit Hoxha ku thuhej: “Sigurimi i Shtetit duhet të survejojë, të zbulojë dhe të godasë vetëm armiqtë e popullit dhe të partisë”. Enver Hoxha.

Regjimi komunist për arsye propagandistike Policinë Sekrete e quajti Sigurimi i Shtetit. Në këtë institucion shtetëror, më famëkeq dhe më të urryer të regjimit komunist, punonin afro 17 mijë oficerë të Policisë Sekrete dhe bashkëpunëtorëtë tyre, të cilët paguheshin nga shteti. Diktatori Enver Hoxha e quajti Sigurimin e Shtetit si arma dhe institucioni shtetëror më i dashur dhe më i mprehtë i Partisë Komuniste. Ai ishte syri vigjilent i popullit dhe i diktaturës së proletariatit në vendin tonë, sepse “uji fle, ndërsa hasmi nuk fle”. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste (e Punës) dhe diktatori Enver Hoxha i jepnin urdhra dhe direktiva Sigurimit të Shtetit për arrestimin, internimin apo dëbimin e kundërshtarëve politikë dhe të familjeve të tyre me akuza të kota dhe të dyshimta për të frikësuar popullin tonë.

Prandaj Sigurimi i Shtetit me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe informatorëve të Policisë Sekrete si dhe të militantëve ekstremistë komunistë hartonte dhe përpilonte dosje sekrete për këta armiq politikë të rremë dhe imagjinarë të regjimit komunist. Asgjësimi i këtyre grupeve gjoja armiqësorë quhej si një triumf apo fitore e Partisë Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha.

Dosja e Sigurimit për babanë tim, Reshit Maloku, e hapur edhe pas vdekjes së tij!

Kur Partia Komuniste jepte urdhër që të arrestoheshin si kundërshtarë politikë personat që ata dëshironin, në këtë rast Sigurimi i Shtetit përdorte format nga më dinaket dhe më të sofistikuara. Një nga këto forma përndjekje ishte se Sigurimi i Shtetit përdorte shumë njerëz provokatorë dhe me moral të ultë, të cilët të afroheshin dhe të flisnin me fjalë provokuese duke u hequr apo shtireshin sikur ishin të pakënaqur nga regjimi komunist. Si të flisje kundër regjimit apo të mos flisje, ata të denonconin për agjitacion dhe propagandë apo për mosdenoncim të personave të mësipërm. Gjithashtu ata përdornin në raste të veçanta edhe minitransmetues elektronikë me rreze shumë të vogël transmetimi deri në 50 apo 100 metra largësi për përgjimin e personave të rrezikshëm. Këto vendoseshin në shtëpitë apo vendet e tyre të punës. Shpesh në këto biseda Sigurimi i Shtetit vendoste aparatura regjistruese elektronike si magnetofona apo përgjues elektronikë dhe mikrofona për regjistrimin e këtyre bisedave. Pastaj, ata i deshifronin këto biseda të marra nga teknika operative T.O. siç quheshin këto mjete regjistrimi të mësipërme. Shpesh dëgjoja nga disa shokë apo miq të mi, që thoshin në fshehtësi: “Në Shqipëri edhe muret e shtëpisë kanë veshë”. Njerëzit filluan të kishin frikë kur flisnin me njëri-tjetrin brenda shtëpive të tyre apo në qendra pune. Shpesh banorët e kryeqytetit për këtë arsye përdornin një shprehje të rëndomtë: “Na bëri komunizmi me penallti në kokë dhe nuk dimë çfarë të bëjmë kudo ku jemi: në punë, në zyrë, në shkolla apo në shtëpi”. Pra, hija e “gogolit komunist” kishte hyrë në çdo skutë të shoqërisë.

Viktimë e pafajshme e këtyre metodave famëkeqe dhe tinëzare të Sigurimit të Shtetit isha unë dhe me mijëra të burgosur apo të internuar politikë në vendin tonë.

Pothuajse 60 për qind e intelektualëve, që kishin studiuar në vendet perëndimore apo në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës së bashku me fëmijët e tyre, u pushkatuan, u burgosën dhe u internuan. Këtë fat të keq të tmerrshëm e pata edhe unë, Saimir Reshit Maloku. Për arsye të një sëmundjeje të rëndë, babai im Reshit Maloku nuk u arrestua, i akuzuar gjoja si agjent i mundshëm i Zbulimit Anglez dhe ndaj tij ishte hapur dosja formulare 2 A. Është për t’u çuditur se Sigurimi i Shtetit Komunist e mbante të hapur dosjen e babait tim deri në vitin 1989, pra edhe tre vite pas vdekjes së tij./Memorie.al

---- ----
----
-----
-----