Ballina Arti Dëshmia e ish-emigrantit: Pasi më mbajtën një vit në vilat sekrete të...

Dëshmia e ish-emigrantit: Pasi më mbajtën një vit në vilat sekrete të Sigurimit, më arrestuan, duke më akuzuar se gjatë misionit në Jugosllavi me kolonelin e UDB-së e kisha zhdukur atë

36
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al/publikon historinë e panjohur të familjes Gjeloshi nga Trieshi i Malit të Zi, nëpërmjet dëshmive të rralla të Zef Dod Gjeloshajt, njërit prej pinjollëve të saj, i cili në janarin e vitit 1950, pas konflikteve që familja e tij pati me regjimin titist, ku mbetën të vrarë disa djem të tyre si dhe ngjarjes kur familja Gjeloshi luftoi për disa orë kundra forcave ushtarake serbo-malazeze, pasi nuk pranoi ta dorzonte një oficer serb (nipi i Gjoko Mirashoviç, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ka dy buste në Mal të Zi), që u kishte kërkuar besë, ai u detyrua dhe u arratis nga Mali i Zi, duke ardhur në Shqipëri, si emigrant politik.

“Stabilizmi” i Zefit në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante të izoluar rreth 800 shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare, të cilët për shkak të politikës diskriminuese të regjimit titist ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe krimeve të Rankoviçit ndaj tyre, ishin arratisur dhe kishin ardhur në Shqipëri.

Emërimi i Zefit si mësues në rrethin e Lushnjes ku në vitin 1951, Ministria e Punëve të Brendëshme e thirri në Tiranë, ku dy oficerët, Petrit Arbana dhe Vilson Pecani që mbulonin emigracionin jugosllav në Shqipëri, e ngarkuan me një mision sekret, duke e dërguar në Jugosllavi së bashku me kolonelin serbo-malazez, Petër Bllazhoviç, i cili kishte braktisur funksionin e Shefit të UDB-së për Malin e Zi dhe kishte dalë në arrati. Çfarë detyrash kreu Zef Gjeloshaj në Jugosllavi, si përfundoi misioni sekret që i’u ngarkua nga Ministria e Brendëshme në Tiranë dhe përse ai u dënua me 15 vjet burg në Shqipëri, duke u akuzuar se me dorën e tij kishte vrarë kolonelin e UDB-së?!

Atë fillim të janarit të vitit 1950, teksa Zef Gjeloshaj nga Trieshi i Malit të Zi i detyruar nga përndjekjet dhe genocidi serbo-malazez, po kalonte kufirin jugosllav për të hyrë në Shqipëri, ai nuk e kishte menduar kurrë se në atdheun amë, për të cilin kishte thurur ato ëndërrat e bukura, do të arrestohej dhe do të dënohej me 15 vite burg politik. Dhe aq më tepër që ai dënim politik i dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, do të kishte të bënte me një akuzë shumë të rëndë dhe tepër absurde, pasi Zefi akuzohej se: “kishte vrarë me dorën e tij një kolonel të UDB-së jugosllave”!

Pak kohë pasi ishte arratisur nga Jugosllavia dhe kishte ardhur në Shqipëri, me kërkesë nga kuadrot e lartë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme, atij i’u ngarkua një mision special. Misioni konsistonte në futjen ilegale, në Mal të Zi të Zefit, së bashku me kolonelin e UDB-së Peter Bllazhoviç, për të kryer disa detyra të veçanta për regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kush ishte Zef Gjeloshaj, cila ishte e kaluara e tij dhe si mundi ai që të arratisej nga Jugosllavia dhe të vinte në Shqipëri në vitin 1950?! Cili ishte koloneli i UDB-së, Peter Bllazhoviç, ku kishte sherbyer ai deri në vitin 1948, dhe përse në atë periudhë ai e kishte braktisur postin e shefit të UDB-së për Titogradin dhe ishte në arrati? Si e mësuan organet e zbulimit shqiptar vëndodhjen e Bllazhoviçit në pyjet e Malit të Zi dhe si arritën agjentët të kontaktonin me të?! Çfarë misioni sekret i ishte ngarkuar Lekoviçit nga Mehmet Shehu dhe përse ai kishte heshtur gjatë takimit me ambasadorin sovjetik në Tiranë? Përse pas daljes nga burgu shteti shqiptar i lejoi të dy kolonelët jugosllavë që të riatdhesohen në Jugosllavi dhe përse Zefi do të fitonte pafajësinë në vitin 1984?

Lidhur me të gjitha këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e tij, si dhe historinë e familjes së tij, edhe pse në një moshë të thyer e me një jetë plot peripecira e vuajtje të mëdha, Zef Gjeloshaj i kujtonte me detaje dhe hollësira gjithçka kishte kaluar, duke na i rrëfyer publikisht në këtë intervistë që po publikojmë në disa numra, ekskluzivisht për Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Gjeloshaj, pasi ju u kthyet dhe raportuat para Vilson Pecanit, Petrit Arbanës e personave të tjerë që mbulonin sektorin e emigracionit politik jugosllav në Shqipëri, çfar i’u thanë ata në lidhje me ato që ju parashtruat rreth misionit tuaj?

Si fillim desha t’ju them, që sapo Vilson Pecani me nënpunësit e tjerë të Komitetit Qendror të PPSH-së, mësuan lajmin që unë isha kthyer vetëm në Shqipëri, pra pa kolonelin Peter Bllazhoviç, u mërzitën shumë dhe u prenë fare. Ata ishin të sigurt që atë mision që na kishin ngarkuar, ne do ta kryenim të plotë, dhe nuk u besonin syve sesi unë ndodhesha i vetëm aty. Por kjo gjë lidhej me faktin që ardhja e tij në Shqipëri dhe ngarkimi i misioneve sekrete për në Jugosllavi në emër të Informbyrosë, ishte cilësuar si një sukses i madh për qeverinë shqiptare. Madje shumë nga funksionarët e lartë të Tiranës zyrtare, kishin biseduar vetë gojarisht me të, kur ky i fundit ndodhej në vilat e Sigurimit të Shtetit.

Çfar i’u thanë ata, kur ju i shpjeguat se çfar u ndodhi me kolonelin Bllazhoviç në Mal të Zi?

Që në fillim ato hodhën dyshime, duke mos i besuar ato që i’u tregova unë rreth ngjarjes me kolonelin në malet e Leva-Riekës.

Cili ishte versioni që ju dhatë përpara tyre për zhdukjen e kolonelit të UDB-së?

Që në fillim, pasi i’u tregova gjithë ngjarjen, ata më pyetën duke më thënë se: cili ishte mendimi im rreth zhdukjes së tij.

Si i’u përgjigjët ju?

Unë i’u tregova të gjithë ngjarjen siç ndodhi, pra moment pas momenti, që kur u ktheva nga lumi pasi kisha mbushur paguret me ujë dhe kur shkova e nuk e gjeta më në shpellë Bllazhoviçin! Pra, i tregova vetëm këtë fakt dhe nuk mund të aludoja për versione të tjera rreth zhdukjes së tij.

Ju nuk dhatë asnjë lloj mendimi rreth zhdukjes së tij?

Unë shpreha mendimet e mija, por ata nuk më besonin dhe vazhdimisht ngrinin dyshime rreth meje, duke aluduar se unë e kisha vrarë qëllimisht atë!

Vetëm dyshime hidhnin ata mbi ju, apo u’a thanë hapur që, ‘ju e keni vrarë qëllimisht kolonelin e UDB, Bllazhoviç’?!

Në fillim paraqiteshin si dyshime, që ata ngritën ndaj meje, por më në fund, më akuzuan hapur që unë e kisha vrarë atë, i nxitur nga UDB-ja, pra me pak fjalë, sikur isha unë agjent i dyfishtë i saj.

Si reaguat jua pas këtyre akuzave?

Normalisht që unë u revoltova pa masë rreth këtyre akuzave që ishin krejtësisht të pabaza dhe të pavërteta. Unë i’u thashë, se si mund të punoja unë për UDB-në, kur ata më kishin vrarë babanë, më kishin plagosur një vëlla, dhe më kishin burgosur dy të tjerët?!

Pas kësaj që ju i thatë, çfar qëndrimi mbajtën ata ndaj jush, dhe a e mbyllën këtë problem?

Jo, ata prapë nuk më besuan dhe më mbajtën për rreth një vit nëpër bazat sekrete të tyre në Tiranë, nën një vëzhgim tepër të rreptë.

Por gjatë kësaj kohe që ata ju mbanin në Tiranë, organet e Zbulimit Shqiptar, nuk bënë asnjë përpjekje nëpërmjet kanaleve të tyre legale dhe ilegale, për të mësuar të vërtetën rreth zhdukjes së kolonelit Bllazhoviç?

Gjatë asaj kohe që unë mbahesha në vilat sekrete të Sigurimit të Shtetit në Tiranë, Zbulimi Shqiptar së bashku me degën e Informbyrosë në Tiranë, ngritën një grup pune të posaçëm të përbërë nga njerëz të zgjedhur, të cilët u dërguan ilegalisht në Jugosllavi, për të zbuluar të vertetën rreth zhdukjes së kolonelit Bllazhoviç.

Po juve ju përfshinë në atë grup?

Jo vetëm që nuk më përfshinë, por ngritjen e atij grupi unë e kam marrë vesh shumë vonë, kur kryeja dënimin në burgun e Tiranës, i akuzuar për zhdukjen e kolonelit Bllazhoviç. Mua kuptohet që nuk mund të më përfshinin, sepse kishin dyshime dhe më akuzuan hapur që unë e kisha vrarë Bllazhoviçin!

Si e mësuat atë fakt, pra për ngritjen e atij grupi të posaçëm, dhe kush ua tha atë gjë?

E mësova nga një emigrant jugosllav, i quajtur Rade Xharukiç, që ishte dënuar dhe vuante dënimin si unë në burgun e Tiranës.

Çfarë u tha ai konkretisht?

Sipas tij, në krye të atij grupi special që ishte krijuar nga Zbulimi Shqiptar dhe pjestarët e Informbyrosë, ishte Vukashin Sharanoviç. Dhe gjatë atij misioni, Sharanoviç ishte takuar personalisht me Bllazhoviçin, madje të dy kishin biseduar gjatë.

Pra, sipas tij rezultonte se Bllazhoviç ishte gjallë!

Sipas tij ashtu ishte dhe unë e besoja atë gjë.

Çfar kishin biseduar ata të dy, pra Bllazhoviçi me Vukashinin?

Sipas Rade Xharukiçit, Bllazhoviçi i kishte thënë Vukashinit, se ishte zhdukur vetë, pra ishte larguar prej meje, pasi nuk kishte dëshirë më që të rikthehej më në Shqipëri, dhe se do të hynte vetë në lidhje me Moskën dhe Kominternin.

Po kur u zbulua e verteta që koloneli Bllazhoviç ishte gjallë, përse ju dënuan juve me 15 vite burg?!

Edhe pse grupi special i Zbulimit Shqiptar dhe i Informbyrosë e kishin takuar kolonelin Bllazhoviç, ata e mbajtën sekret dhe nuk ma treguan mua.

Po përse nuk ua tregonin që koloneli Bllazhoviç ishte gjallë, dhe nuk donte më të rikthehej në Shqipëri, si mendoni?

Sipas mendimit tim, një nga arsyet që nuk ma tregonin faktin se koloneli Bllazhoviç ishte gjallë, ishte se, sipas tyre, unë isha fajtori i vërtetë, që ai iku nga Shqipëria dhe nuk donte që të rikthehej më. Duke qënë se ikja e tij në Jugosllavi dhe vendimi që ai mori ishte një humbje e rëndë për Zbulimin Shqiptar dhe për degën e Informbyrosë në Shqipëri, pra dikush duhet të mbante pergjegjësi. Dhe personat përgjegjës për këtë punë, për të lehtësuar përgjegjësitë e tyre, ma ngarkuan mua këtë punë, duke më dënuar me 15 vite burg politik. Kjo ishte arsyeja e vetme që atyre nuk u interesonte që të më tregonin të vërtetën rreth takimit me Bllazhoviçin.

Si ndodhi arrestimi juaj dhe me çfar akuzash i’u dënuan?

Në 7 nëntor të vitit 1952, më thirrën që të paraqitesha pranë Komitetit Qëndror të PPSH-së në Tiranë. Sipas njoftimit që mu bë unë u paraqita tek dezhurni dhe aty erdhën dy oficerë madhorë. Ata më thanë që t’i ndiqja nga pas në një largësi prej disa hapash, pasi do të bënim një bisedë në ndonjë lokal, dhe më pas do të ktheheshim përsëri aty.

Kush ishin ata dy oficerë, ju kujtohet?

Mbaj mënd vetëm njërin prej tyre, që quhej Isa Aliaj.

A shkuat ju me ta?

Patjetër, unë shkova bashkë me ta tek Selvia, ku ndodhej Drejtoria e Punëve të Brëndshme të Tiranës. Ata më thanë që të prisja poshtë tek zyra e rojes. Dhe ndërsa unë po rrija aty, erdhën dy oficerë të tjerë dhe më vunë prangat, duke më thënë se: “në emër të popullit, je i arrestuar”.

Ku ju çuan, pasi ju arrestuan?

Pasi më arrestuan, më çuan tek burgu në rrugën, Mine Peza dhe aty, më futën në një qeli të veçuar pa njeri tjetër brënda. Që në ditët e para filloi hetuesia ndaj meje, duke më marrë në pyetje vetëm natën.

Kush ju merrte në pyetje dhe për çfar ju akuzonin?

Gjeneral-major Nevzat Haznedari, ishte ai që më pyeste më shumë, së bashku me hetuesit Xhavit Struga dhe Ferhat Matohiti. Ata më akuzonin me të njëjtën akuzë, siç m’u tha në Komitetin Qëndror të PPSH-së, pra që unë e kisha eliminuar fizikisht kolonelin Bllazhoviç.

Vetëm për këtë ju akuzonin?

Jo vetëm për këtë, pasi ata më akuzonin edhe për agjitacion dhe propagandë, sikur unë kisha thënë që: “Maliqi i Korçës ku ndodhej fabrika e sheqerit nuk kishte qytet, siç e paraqiste propaganda zyrtare, por një fshat i prapambetur”.

Po kujt i’a kishit thënë ju atë gjë?!

Për këtë më nxorrën dëshmitar një polic, i cili tregonte sikur atë gjë i’a kisha thënë atij gjatë një bisede që kisha bërë me të, gjë e cila nuk ishte fare e vërtetë, pasi unë atë polic e shikoja për herë të parë! /Memorie.al

Vijon nesër

---- ----
----
----- ----
-----