Ballina Sport Derbi, Ilir Daja: Janë në lojë të tre rezultatet, shpresojmë të fitojmë

Derbi, Ilir Daja: Janë në lojë të tre rezultatet, shpresojmë të fitojmë

9
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Partizani luan ditën e nesërme derbin ndaj Tiranës, teksa në konferencë për shtyp ka dalë trajneri, Ilir Daja. Ky i fundit, thekson se lajmi për aktivizimin e Erald Çinarit është shumë i mirë, por shkodrani nuk mund të luaj nga minuta e parë. Ndër të tjera, Daja ka treguar edhe merkaton e të kuqve teksa theksoi se po fokusohen te tregu i huaj.

“Të jemi të kujdesshëm si në derbin e kaluar dhe të shohim më shumë në sulm, duke luftuar me më shumë lojtarë. Kthimi i Çinarit? E quaj si një blerje kthimin e tij sepse është një nga lojtarët më cilësorë të Superiores dhe Partizanit. Është vlerë e shtuar sepse njeh ekipin dhe kampionatin dhe është stërvitur me ne gjatë kësaj periudhe. Natyrisht që do kohë të rikthehet në formën maksimale sepse nuk ka ndeshje zyrtare të luajtura.

Na erdhi lajm i mirë një ditë para derbit dhe shpresoj të jetë ogur i mirë. Mund të them se Çinari nuk e nis ndeshjen nga minuta e parë nesër sepse jemi përgatitur gjithë javës me mungesën e Çinarit, por do e hedhim në fushë në momentin e duhur sepse është lojtar me shumë vlera. Shpresojmë që të ketë ndërhyrje në mbrojtje. Po vëzhgojmë disa lojtarë si në Shqipëri dhe edhe jashtë vendit. Mundësitë janë të pakta.

Po fokusohemi në tregun e huaj dhe kemi dy tre alternativa për të zgjedhur më të mirin. Ndoshta nuk është më i mirë se ata që kemi, por duhet të dublojmë rolet. Do shikojmë të afrojmë lojtarë dhe kur të afrohen do lejojmë edhe lojtarë të largohen. Ata që kërkohen dhe mund të shiten dhe garantimi i anës financiare tregon vazhdimësi. Pa u afruar lojtarë, nuk largohen të tjerë. Ndaj Tiranës është ndeshja e radhës, përveç bonusit psikologjik.

Nuk ka ndikim përsa i përket vazhdimësisë. Jemi më të konsoliduar dhe jemi në formë të mirë, I kemi të gjithë në dispozicion. Mund të bëjmë ndërrime më shpejt se në ndeshjet e tjera. Derbet janë ndeshje specifike, është më e rëndësishmja e kampionatit shqiptar. Edhe kur ka pasur diferenca mes ekipeve derbet kanë qenë të paparashikueshme. Besoj se ky derbi i gjen ekipet ekipet aty-aty, mendoj se nesër do jemi të dy ekipet të motivuar. Janë të tre rezultatet në lojë dhe shpresoj të fitojmë ne.

Në “Elbasan Arena”? Kemi bërë analizën e ndeshjes në Korçë ku terreni ishte jashtëzakonisht i rënduar prej dëborës dhe kemi dalë në konkluzionin që ka pasur veprime të mira edhe në atë terren, kështu që i kam thënë lojtarëve se nuk ka asnjë justifikim që në një terren të shkëlqyer si ai i Elbasanit të mos ketë të njëjtin motivim si në Korçë. Lojtarët në derbi janë të motivuar, por që këtu i bashkëngjiten edhe kushtet maksimale të fushës së Elbasanit.

Unë e pëlqej atë stadium sepse me Elbasanin kemi fituar kampionatin para disa vitesh. Është një nga më të mirët në vend dhe të krijon mundësinë të shprehësh maksimumin e aftësive. Nuk kemi asnjë problem edhe Idrizaj është kthyer me skuadrën. Jemi në gjendje optimale dhe nuk e kemi ulur ritmin sepse ka rivalitet edhe brenda grupit. Nesër shkojmë në gjendje të mirë dhe me kontingjent të plotësuar.

Tirana 5 ndeshje pa humbur? Edhe ne kemi pak humbje dhe gola të pësuar, futemi në dy ekipet me më shumë gola. Tirana është kampione në fuqi dhe nuk e nënvlerësojmë dot sepse nuk kemi motiv për ta bërë këtë. Kanë mbrojtje të mirë, nuk janë mundur, por edhe barazimet kanë qenë me gola, që do të thotë se kanë edhe ata problemet e tyre.

Të luash me Partizanin presioni është prezent. Në derbi nuk duhet shtuar presioni, por duhet menaxhuar. Nuk jam dakord se rezultati i derbit tregon kush e lufton Vllazninë. Duhet të rikuperojmë diferencën me ta. Kemi nisur që në fund të dhjetorit sepse mendonim se do hapej merkato. Nxitimi nuk është gjëja e duhur sepse duam cilësi.

Duhet të jemi të kujdesshëm sepse të huajt kanë kosto financiare dhe duan kontratë afatgjatë, çka mund të çojë në gabime dhe kosto financiare. Junior? Pas konferencës kemi seancën e fundit stërvitore. Ekipi pothuajse e di kush e nis nesër derbin. Sot kemi seancën e fundit dhe nuk mund të them nëse e nis Junior nesër”, u shpreh Daja.

---- ----
----
----- ----
-----