Ballina Sport Derbi, Ilir Daja: Edhe me gjysmë goli të fitojmë jam në rregull

Derbi, Ilir Daja: Edhe me gjysmë goli të fitojmë jam në rregull

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Një ditë para derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, trajneri I “të kuqve” Ilir Daja doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku foli për rëndësinë e sfidës, gjendjen e ekipit dhe marrëdhëniet me trajnerin kundërshtar, Nevil Deden.

Si e keni përgatitur derbin ndaj Tiranës?

Derbi më shumë se për trajnerët është për tifozët. Është një ndeshje që duhet fituar, pasi përveç tifozëve ka edhe një bonus psikologjik. Ne e kemi përgatitur me qetësi sepse vijmë nga një gjendje psikologjike e mirë. Natyrisht që nuk presim të kemi kundërshtar si të mëparshmit. Do jemi me mendjen e ftohte dhe me zemrën zjarr.

Ju favorizon fakti që po kaloni një moment shumë më të mirë se kundërshtari?

Jemi me këmbë në tokë. Sipas historisë edhe kur ekipet kanë pasur diferenca edhe atëherë nuk mund të gjesh favoritë në derbi. Kemi konsoliduar mjaft mirë manovrën dhe kemi një shpirt skuadre, që duhet ta tregojmë me patjetër nesër sepse është një ndeshje shumë e vështirë.

Deden e keni pasur lojtar dhe tani e gjeni si trajner kundërshtar. Ju tremb fakti që ai mund t’i njohë mirë strategjitë tuaja?

Ka qenë një nga më të mirët që kam drejtuar, me mentalitet fituesi dhe i lehtë për t’u menaxhuar. Ka eksperiencë jo të mjaftueshme në trajnim dhe nuk kam pse të kem frikë unë Nevilin, por ai të ketë respekt për mua. Që kur ka marrë drejtimin e Tiranës nuk e kam takuar, si duket nga impenjimet paralele që kemi pasur.

Sa do t’i mungojë tifozëria derbit të kryeqytetit?

Flasim për dy tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Është mungesë e madhe dhe në këtë situatë që jetojmë, e ndiejmë akoma më shumë, pavarësisht se ne kemi pasur marrëdhënie të mirë dhe na kanë ndjekur edhe pse nuk lejohet. Nuk i kemi në stadium, por do na ndjekin në televizion dhe e dimë se janë të përqendruar në këtë derbi.

Sa i rëndësishëm është rikuperimi i Asanit?

Asani, Melo e Llanaj janë lojtarë me cilësi individuale, por do luajnë ata që kanë gjendjen më të mirë fizike do të. Ata kanë një javë që stërviten, por nuk rrezikojmë, pasi na duhen në vazhdimësi, jo veç në derbi. Duam t’u marrim maksimumin lojtarëve.

A mendoni se e kanë dobësuar largimet skuadrën e Tiranës?

Tirana ka larguar ata që kanë menduar se nuk u bëjnë punë. I vlerësojmë për cilësitë që kanë, por edhe ne kemi cilësi. Më vjen mirë që na shohin si favorite, gjithsesi Tirana është ekip për t’u mundur. Edhe me gjysmë goli të fitojmë jam në rregull.

Jeni i kënaqur që derbi do të luhet në “Air Albania?

Stadiumi i ri është më i miri në Shqipëri dhe duhet përshëndetur ndërtimi i tij, por ne na intereson fusha më shumë, pasi tifozët na mungojnë. Na shqetëson fusha, për shkak se luajmë me qarkullim topi. Nuk jam ndjerë mirë kur pashë gjendjen e fushës, pasi klubi e kishte filmuar. Mund të ishte luajtur diku tjetër.

---- ----
----
-----
-----