Ballina Sport “Derbi është tjetër nivel”, Tedi Cara: Fanella kuqezi është vlerësim dhe motivim...

“Derbi është tjetër nivel”, Tedi Cara: Fanella kuqezi është vlerësim dhe motivim për mua

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Numri 22 i Partizanit, sulmuesi Tedi Cara është tashmë pjesë e “arenës së gjigandëve”. Në derbin kundër Tiranës, ai tregoi forcë dhe karakter, jo të zakonshëm për një 20 vjeçar. Pjesë e Kombëtareve të moshave, ai ende nuk e ka marrë ftesën nga Kombëtarja A, të cilën shpreson që ta marrë sa më shpejt. Përveç se ndiqte ndeshjet e idhullit të tij, Rikardo Kaka, si i çmendur në televizor, futbollin e praktikonte në lagje, me shokët e tij.

Prindërit besuan te talenti i tij dhe fillimisht e regjistruan të stërvitej me klubin e Besës së Kavajës, ndërsa Cara ia shpërbleu duke u bërë pjesë e klubit kryeqytetas të Partizanit. Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar”, në fshf.org, ai tregon se dashuria për futbollin e ka bërë të sakrifikojë shkollën. Të mbajë veshur fanellën e Kombëtares, edhe pse jo ende nën urdhrat e trajnerit Reja, e konsideron si vlerësim të madh dhe tregon se ruan marrëdhënie të mira me çdo staf të ekipeve kombëtare që ai është grumbulluar dhe ka luajtur.

Ecurinë dhe objektivat me klubin, momentin më të lumtur të karrierës së tij, të cilin ai thotë se e ka ende të freskët, e ardhmja me Kombëtaren dhe synimet, i kuqi i Partizanit dhe djaloshi kuqezi i Shqipërisë, i rrëfen në intervistën më poshtë.

 

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Si fëmijët e tjerë, edhe unë kisha shumë dëshirë të luaja futboll dhe në fillim luanim me shokët në lagje çdo pasdite kur ktheheshim nga shkolla. Më pas, filluam të shkonim shpesh në kalçeto. Mua më pëlqente shumë të luaja dhe prindërit e mi e panë që unë kisha talent dhe luaja me dëshirë dhe me pasion të madh. Kështu, ata vendosën të më lejonin që të filloja stërvitjen me ekipin e Besës, ku shkoja çdo ditë. I jam vërtetë falënderues atyre, sepse besuan tek aftësitë e mia dhe më lejuan që unë të ndiqja pasionin tim.

– Je pjesë e Kombëtares se moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në ekipin kuqezi?

– Fillimisht dua të theksoj që ndihem vërtetë i vlerësuar që e kam veshur këtë fanellë në çdo grup-moshë të Kombëtares dhe është një motivim shumë i madh. Me çdo trajner, me stafet e ekipeve kombëtare, me djemtë, kam pasur një marrëdhënie vërtetë shumë të mirë dhe vazhdoj të kem një marrëdhënie shumë të mirë.

– Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Deri tani jam shumë i kënaqur. Me Partizanin jemi në rrugën e duhur, kjo edhe falë punës së të gjithëve dhe harmonisë që kemi në grup. Kemi një objektiv, që është titulli kampion dhe besoj që me këtë grup të mirë që kemi, deri në fund të sezonit do ta arrijmë këtë objektiv.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

– Shumë i lumtur realisht sepse gjithmonë e kam pasur ëndërr që një ditë të isha pjesë e Kombëtares. Tani dëshira ime e madhe është të debutoj me Kombëtaren e madhe, pasi normalisht është ndjesi tjetër. Në debutim e nisa mirë, duke fituar një ndeshje miqësore.

– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë? 

– Kjo grup-moshë ka shumë lojtarë cilësorë që mund të bëjë shumë mirë. Objektivi ynë është të kualifikohemi dhe të ecim përpara. Në kualifikueset e kaluara kishim mundësi kualifikimi por nuk ia dolëm, pavarësisht se kemi treguar karakter dhe jemi përmirësuar shumë në lojë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– E kam ende të freskët momentin më të lumtur në jetën time, që ka të bëjë me derbin kundër Tiranës, ndeshje që e fituam me rezultatin 1-0. Kam pasur shumë dëshirë të luaj një derbi dhe përveç kënaqësisë që mora që u aktivizova në lojë, arritëm edhe të fitonim.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Kur isha i vogël nuk kam shkuar shpesh në shkollë, pasi shkoja në stërvitje, por edhe shumë gjëra të tjera që i kam lënë pasi i jam përkushtuar shumë futbollit.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im është që të marr ftesën e Kombëtares A dhe të luaj në një ekip jashtë vendit.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull Rikardo Kaka dhe prej tij kam nisur ta ndjek futbollin si i çmendur. Edhe tani që jam te klubi i Partizanit, kam marrë numrin që ai ka pasur tek ekipi i Milanit, numrin 22.

---- ---- ----
-----