Ballina Lajme nacionale Deklarimi i koalicioneve parazgjedhore do të bëhet ditën e fundit

Deklarimi i koalicioneve parazgjedhore do të bëhet ditën e fundit

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Partitë e lënë për ditën e fundit deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

Pa asnjë koalicion të deklaruar në Komisionin Qendror Zgjedhor ka përfunduar dita e sotme, që është e parafundit për deklarimin e marrëveshjeve parazgjedhore të partive politike.

Partitë duket se e kanë lënë për momentet e fundit deklarimin e koalicioneve.

Se dita e sotme është mbyllur pa asnjë koalicion të deklaruar e ka konfirmuar për Koha.net zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së sotme nuk kemi pranuar ndonjë deklarim për koalicion”, ka thënë Elezi, teksa ka rikujtuar se afati për këtë gjë është të premten e 30 gushtit, deri në orën 24:00.

LDK-ja dhe Vetëvendosje thonë se po vazhdojnë të punojnë për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi parazgjedhor. Sot një takim të shkurtër e kanë pasur krerët e dy partive, Isa Mustafa e Albin Kurti.

Në anën tjetër AAK-ja me PSD-në tashmë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e kanë thënë se mbesin të hapur edhe për Nismën e AKR-në, që po kështu kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi në koalicion parazgjedhor. Ka pasur deklarime se Nisma Socialdemokrate e AKR-ja do ta zyrtarizojnë sonte në KQZ koalicionin e tyre, por megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

PDK-ja aktualisht është partia që nuk ka deklaruar koalicion parazgjedhor. Zyrtarë të saj kanë thënë se nuk janë të interesuara për koalicion me parti parlamentare, por kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me parti që s’kishin arritur të kalojnë pragun e të futen në Kuvend në mandatin e kaluar.

Në zgjedhjet e kaluara, koalicioni PAN, konkretisht mes PDK-së në njërën anë dhe AAK-së me Nismën që kishin lidhur koalicion paraprakisht në anën tjetër, u deklarua vetëm 5 minuta para se të përfundonte afati për zyrtarizimin e koalicioneve parazgjedhore.

---- ----
----
----- ----
-----