Ballina Sport Deklaratë e bujshme nga Infantino: FIFA do modifikojë pozicionin jashtë loje

Deklaratë e bujshme nga Infantino: FIFA do modifikojë pozicionin jashtë loje

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Është rregulli që gjithmonë sjell debate dhe diskutime ai i pozicionit jashtë loje. Edhe në epokën e VAR-it. Për këtë çështje ka thënë fjalën e tij edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, duke hedhur hipotezën e modifikimit të rregullit.

“Diskutojmë gjithmonë se si mund ta përmirësojmë futbollin, – ka deklaruar Infantino para asemblesë vjetore të IFAB-it. – Diskutojmë si mund ta bëjmë futbollin më tërheqës, por pa hequr shpirtin natyral të sportit. Rregulli i pozicionit jashtë loje është modifikuar dy herë në 135 vjet, por jemi të hapur për ndryshime që shtojnë spektaklin dhe numrin e golave, për gjëra që u japin më shumë mundësi sulmuesve. Ka qenë një propozim i Arsen Vengerit”.

Për këtë çështje flitet prej një viti, që kur ish-trajneri i Arsenalit shpjegoi se, sipas tij, “që të jetë real pozicioni jashtë loje, duhet të ketë dritë mes mbrojtësit të fundit dhe sulmuesit”. Nëse rregulli ndryshon, do të ishte një modifikim substancial. Me rregullin aktual, një lojtar është jashtë loje edhe nëse çdo pjesë e trupit të tij, me përjashtim të dorës dhe krahut, është përtej mbrojtësit të fundit.

Numri 1 i FIFA-s më tej ka folur për VAR-in, sipas tij i domosdoshëm. “Po i jep më shumë drejtësi futbollit, e bën më të pastër dhe ndihmon arbitrat. Disave u fal gëzim, disa të tjerëve ua heq, varet nga vendimi. Është e drejtë të fitosh jo për një gabim të arbitrit, por për një vendim korrekt. Në çdo rast, është e paimagjinueshme të luhet futboll pa VAR.

Nëse mendojmë si ka qenë futbolli para VAR-it dhe si është tani, mendoj se kemi bërë shumë hapa përpara dhe futbolli tani është më i drejtë. VAR-i ka thjeshtësuar punën e arbitrve, ka pasur shumë përmirësime”, – ka thënë më tej Infantino.

---- ----
----
-----
-----