Ballina Lajme nacionale Çmime “helm” të banesave në Shkup

Çmime “helm” të banesave në Shkup

39
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Edhe Banka Popullore konfirmon se ka rritje në çmimet e apartamenteve, sidomos në Shkup. Sipas raportit zyrtar, në tremujorin e tretë të vitit 2020 çmimet e shtëpive dhe apartamenteve regjistruan rritje vjetore prej 2.7 për qind, ndërsa nuk ka paralajmërime se në të ardhmen e afërt, nuk do të ketë ulje të çmimeve

Zenel MIFTARI

Shkup, 15 mars – Çmimi i apartamenteve në Shkup është rritur, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, por trendi i rritjes së çmimeve ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Agjencitë të cilët merren me shitblerjen e banesave, thonë se kjo ka ardhur si pasojë e hapjes së tregut të shitjes pas një pauze vitin e kaluar që e shkaktoi pandemia me virusin korona dhe masat restriktive për përhapjen e saj të marra nga Qeveria.

Igor Pançevski, pronar i Agjencisë së pasurive të patundshme “Nivlei 7”, është shprehur se lëvizja e çmimeve të pasurive të patundshme në Shkup është në rritje, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. “Ka pasur një rritje të çmimeve të banesave në pothuajse të gjitha lagjet e Shkupit ku ka interes dhe aktivitet ndërtimore. Gjithashtu, interesi dhe çmimet për shtëpi dhe pushimore janë rritur. Përveç në Shkup dhe Ohër, ku kemi vazhdimisht aktivitet të madh në tregun e pasurive të paluajtshme, në qytetet tjera nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i madh i çmimit”, shpjegon ai. Sipas tij, pandemia fillimisht uli interesin për pasuri të paluajtshme, por me kalimin e kohës dhe pas goditjes fillestare nga pandemia, pati një rritje të interesit të qytetarëve për të investuar në pasuri të paluajtshme.

“Pandemia na bëri të vetëdijshëm se përveç shëndetit, nevoja për hapësirën e jetesës është gjithashtu shumë e rëndësishme, por edhe mbrojtja e mjeteve financiare në një gjendje pasigurie të sjellë nga pandemia. Qytetarët e kuptuan se investimi më i sigurt në një situatë të tillë është investimi në pasuri të paluajtshme”, nënvizoi Pançevski. Në fund, ai shtoi se sipas analizës së tyre, ata presin që edhe në periudhën e ardhshme, pra deri në fund të vitit aktual, interesi i qytetarëve për apartamente të vazhdojë me të njëjtin ritëm si më parë. “Duke pasur parasysh punën fizike, materiali i ndërtimit dhe rrethanat tjera – nuk mund të shpresojmë që çmimet për apartamente të ulen”, përfundoi ai.

Ndryshe, edhe Banka Popullore në raportin e fundit të publikuar tregoi se ka një rritje në çmimet e apartamenteve. “Në tremujorin e tretë të vitit 2020, çmimet e shtëpive regjistruan një rritje vjetore prej 2.7 për qind, e cila është një përshpejtim i lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës”, thonë nga Banka Popullore. Sidoqoftë, pavarësisht rritjes së çmimeve në Shkup, çmimet janë shumë larg kryeqyteteve të vendeve të tjera, veçanërisht larg vendeve shumë të zhvilluara. Në ndërkohë, çmimi mesatar i banesave për metër katrorë në lagjen Avtokomandë është 890 euro, në Aerodrum 972, në Butel – 582, në Butel 2 – 532, në Gjorçe Petrov – 791, në Karpos – 1.213, në Kisella Vodë – 1000 euro. (koha.mk)

The post Çmime “helm” të banesave në Shkup appeared first on KOHA.

---- ----
-----