Ballina Sport Cilën maskë të mbajmë: të Pandemisë apo atë të ..flamurën e...

Cilën maskë të mbajmë: të Pandemisë apo atë të ..flamurën e bojkotit!

11
SHPËRNDAJE

Futbolli në kohën e Pandemisë së parë dhe të dytë ka dëshmuar me vepra se po të kishte një fytyrë,  do të vinte  maskë përmbi maskë! E mbani mend  thirrjen e veçuar të shefave të futbollit  në valën e parë të epidemisë.

Kur të gjithë kishin ulur qepenat.. “kioska e FSHF-së”  pretendonte të nxirrte punonjësit  në fushë , të vazhdonte  misionin “ e madh” , pasi sipas tyre shqiptarëve të varfëruar e vetmja pasuri  u kishte mbetur  futbolli!  Pale ç‘u tha  në një deklaratë, me gojën e FSHF-së, ku qeveritarët shtetarë  që pengonin rifillimin e kampionatit u cilësuan si burokratë me  talent së prapthi ,  që privonin  shqiptarët të jetonin, pasi jeta e tyre s’kishte kuptim pa futbollin…

..Kur erdhi vala e dytë e Pandemisë, kur edhe bota shqiptare si Bota e madhe,  u detyrua të vendoste maskën përmbi maskë ,  vetëm ajka e  Superligës, ose e pjellës së saj shëmtaraqe  , ajo që e ka emrin Shtrigë , por shkurt i thonë Ligë, , vendosi ta hiqte maskën e lindjes!

Futbolli që në Pandeminë e parë u shit si “buka” e shqiptarëve, në kohën e Pandemisë së dytë  është vetmbyllur brënda kioskës  prej gati 2 muajsh, ngaqë  Shteti nuk po dorëzohet 100% , por vetëm 90 e ca përqind për plotësimin e  4 kërkesave të  famshme të mbijetesës.

Dhe kur  një “Parti”  futbolli , e cila  është mësuar gjithë jetën me votimet e Asamblesë Zgjedhore, ku 100% i votave  shitet si një  bollokume tradicionale, shifra 90% merret si  një fyerje gati historike në  këto dy dekada!

Të rrosh apo të mos rrosh?  Po të kishte gojë futbolli, këtë  pyetje që vjen nga tragjeditë njerëzore, do ta bënte vetë  i pari.  Pabesia  e atyre që shpikin bojkote apo lojëra  kote, na pëlqen apo s’na pëlqen,  ka vulën e një talenti të zi!

Në fillim i morëm virgjërinë  lojës, më pas u boshatisën stadiumet dhe kujtuam se më keq nuk ka ku shkon.

E keqja paska gjetur gjahun e vet!  Tani që kemi 2 muaj pa futboll , shefat po “luajnë” nëpër mbledhje , kurse  futbollistët  kanë dalë në një papunësi “të lumtur”.

Edhe pse janë të marrë peng,  duket sikur u rritet dashuria për pengmarrësit. Dhe kanë një arsye  shqiptare: duronin disa muaj pa rrogë kur luanin në kampionat dhe merrkan “rroga” rregullisht në javët e  “kampionatit të bojkotit”.. (Sfidanti.al)

-----