Ballina Lajme nacionale Çështja Kosovë-Serbi do diskutohet në Shtëpinë e Bardhë, ja kur zhvillohet takimi...

Çështja Kosovë-Serbi do diskutohet në Shtëpinë e Bardhë, ja kur zhvillohet takimi i rëndësishëm

33
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington.

“Lajm i mirë! Kam marrë premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të takohemi në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për diskutime rreth dialogut”, shkroi ai në Twitter.

Ai paralajmëroi se “nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi menjëherë, duke shkruar se “udhëheqja dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen përparimtare të Kosovës.

E mirëpres ftesën për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump dhe të dërguarit të posaçëm të tij, Richard Grenell”, shkroi ai.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti shkroi se “veprimtaritë e bashkërenduara me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Richard Grenellin, kanë dhënë rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën e saj të tërheqjes së njohjeve. Vazhdimi i dialogut është një hap kryesor për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë”, shkroi ai.

Presidenti Thaçi pritet që së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti të udhëtojë për në Uashington, ndërsa Serbinë pritet ta përfaqësojë presidenti i saj Aleksandër Vuçiç, i cili ishte shprehur i gatshëm “të pezullohet fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, nëse Prishtina heq dorë nga kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”./ VOA

---- ---- ----
-----