Ballina Sport Broja: Më mungon goli me kombëtaren, dua rikthimin te Chelsea

Broja: Më mungon goli me kombëtaren, dua rikthimin te Chelsea

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Armando Broja po bën mjaft mirë në sezonin e tij të parë si profesionist në kampionatin holandez, ku është në huazim me skuadrën e Vitesse Arhnem, ku ka shënuar 10 gola në 24 takime të luajtura mes kampionatit e Kupës.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku foli për eksperiencën e tij në Eredivisie, ëndrrën për t’u rikthyer te Chelsea, por edhe dëshirën për të shënuar sa më shpejt me fanellën kuqezi.

Jeni në shtëpi apo në grumbullim para ndeshjes?

Qëndrojmë në shtëpi, pasi Holanda është e vogël dhe distanca më e madhe për t’u përshkuar është një orë e gjysmë. Nuk grumbullohemi zakonisht para ndeshjeve.

Cili është ndryshimi mes kampionatit anglez dhe atij holandez?

Këtu në Holandë është më mirë, pasi po luaj me ekipin e parë, ndryshe nga Anglia ku luaja me skuadrën e dytë. Luajmë më mirë dhe më shpejt, përveç faktit që atje kisha vetëm moshatarët e mi, ndërsa këtu ka edhe futbollistë me eksperiencë.

Te Vitesse po shënoni, por te Shqipëria nuk e keni dërguar ende topin në rrjetë…

Është e vërtetë që më mungon një gol te Kombëtarja, por shpresoj që do të arrij të shënoj sa më shpejt, ndoshta që në ndeshjen e radhës.

Luani sezonin e parë në Holandë dhe keni shënuar 9 gola në kampionat deri tani…

Javën e kaluar më kanë thënë që kam shënuar aq sa edhe Ibra në sezonin e tij të parë në Holandë. Unë vijoj të stërvitem dhe shpresoj të luaj e të shënoj akoma më shumë.

A jeni i kënaqur që zgjodhën Holandën?

Jam shumë i lumtur me zgjedhjen që bëra, pasi po luaj shumë dhe po shënon gola. Moshatarët e mi luannë ende në ekipet e moshave, ndaj jam i lumtur që jam këtu.

A e ndjek trajneri i Chelsea-t, Tuchel, ecurinë tënde te Vitesse?

Sigurisht që te Chelsea ka njerëz që ndjekin ndeshjet e mia te Vitesse, por deri tani nuk kemi vendosur asgjë pë rtë ardhmen. Më kanë thënë të vazhdoj kështu dhe do të flasim në fund të sezonit.

Ju vetë dëshironi të qëndroni te Vitesse, apo prisni rikthimin te Chelsea?

Kam pasur gjithmonë dëshirë të luaj me ekipin e parë të Chelsea-t. Nëse vijoj të bëj mirë dhe të shënoj gola, do të bisedoj me drejtuesit e nëse më pëlqejnë, të rikthehem te Chelsea.

Cili është sulmuesi që dëshiron t’i ngjash?

Më pëlqen shumë Ronaldo, Fenomeni, për cilësitë e larta teknike. Më pëlqen edhe Cristiano Ronaldo për seriozitetin me të cilin punon dhe mentalitetin që ka si lojtar.

Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë?

Unë gjithmonë kam luajtur sulmues qendre dhe aty më pëlqen të luaj. Kam provuar të luaj edhe në krah, por pozicioni i preferuar është ai i sulmuesit të qendrës.

Si jeni përshtatur në Arnhem?

Është pak e vështirë për shkak të koronavirusit, pasi janë të gjitha mbyllur. Mbaroj stërvitjen dhe punoj në palestër, pasi nuk ka shumë mundësi të tjera. Kohën e lirë e kaloj duke parë futboll apo duke luajtur Play Station.

Babai juaj me cilën skuadër shqiptare bën tifo?

Është bërë tifoz me Vllazninë, tani që janë në vendin e parë.

---- ----
-----