Ballina Lajme nacionale Brnabiq, Haradinajt për njohjen reciproke: Serbia është në OKB, s’ka nevojë për...

Brnabiq, Haradinajt për njohjen reciproke: Serbia është në OKB, s’ka nevojë për njohjen e Kosovës

38
SHPËRNDAJE

Brnabiq i reagon Haradinajt për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përsëritur vazhdimisht që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, dhe me integrim të Kosovës në NATO e Kombe të Bashkuara.

Megjithatë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, thotë se Serbia nuk ka fare nevojë për njohjen e Kosovës pasi që është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Unë nuk e di se cili është kuptimi që Kosova ta njohë një shtet që është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Ne absolutisht nuk kemi nevojë për njohjen e Prishtinës”, ka thënë ajo, shkruan ‘Novosti’, transmeton Express.

Sipas saj ky qëndrim i palës kosovare është një tregues që Kosova nuk është duke dëshiruar vazhdimin e dialogut.

Kryetarja e Qeverisë serbe ka thënë se ֛çështja e njohjes reciproke nuk është fare në tavolinën e diskutimeve.

“Ramush Haradinaj nuk dëshiron dialog, ndërsa në anën tjetër bëhët kinse dëshiron zgjidhje për dialogun”, ka shtuar Brnabiq.

Përveç tjerash Brnabiq sot ka deklaruar se kryeministri Haradinaj i ka thënë se është ‘lajm i rremë’ se Kosova ua ka ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve serbë. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës, ndërsa nga MPJ-ja e Behgjet Pacollit kanë insistuar se një vendim i tillë që ua ndalon hyrjen zyrtarëve serbë është marrë në koordinim me Qeverinë.