
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur, për të ndihmuar në mbledhjen e informacioneve për koronavirusin.
Marrëveshja pason bisedimet në Pekin, midis shefit të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe presidentit kinez, Xi Jinping.
“Ndalimi i përhapjes së këtij virusi si në Kinë, ashtu edhe në nivel global është përparësia më e lartë e OBSH-së”, tha Tedros, duke vlerësuar “seriozitetin” e përgjigjes së Kinës ndaj shpërthimit.
Një ekip i OBSH-së në fillim të këtij muaji vizitoi Wuhanin, qytetin me 11 milionë njerëz, në të cilin shpërtheu virusi.
Virusi i ngjashëm me SARS, i cili ka vrarë më shumë se 100 njerëz, ka infektuar mijëra njerëz në Kinë dhe është përhapur në shumë vende tjera.