Ballina Lajme nacionale Borxhi i Telekomit ndaj Devollit mbetet mister, askush nuk e di shumën

Borxhi i Telekomit ndaj Devollit mbetet mister, askush nuk e di shumën

15
SHPËRNDAJE

Dy muaj më parë, në një letër drejtuar Telekomit, kompania Z-Mobile i kishte kërkuar kompanisë publike borxhin prej 26.9 milionë eurove sipas gjobës së Gjykatës së Arbtrazhit. Shefi i Telekomit thotë se borxhi është më pak se kaq.

Në letrën e fundit që është bërë publike, në fund të prillit, kompania e biznesmenit Blerim Devolli i kërkonte Telekomit 25.9 milionë euro.

Shefi i Telekomit, Bedri Istrefi, i ka thënë Gazetës Expresss se në fakt borxhi nuk është i definuar dhe janë krijuar komisione nga të dyja kompanitë, të cilat do të japin vlerësimet e tyre se sa borxh i kanë mbetur Z-Mobile’it.

“Jemi dakordu që ky borxh të verifikohet nga dy ekipet tona. Nuk është 26 milionë se ne kemi paguar disa obligime. Dhe, prej kur është marrë vendimi me disa shërbime janë kryer disa obligime financiare”, ka thënë Istrefi.

Telekomi në vitin 2016 ishte dënuar gjithsej me 32 milionë, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e shpalli fajtore për mosrespektimin e kontratës së nënshkruar me Z-Mobile’in në vitin 2009.

Në 32-milionshin përfshihej edhe shuma që pala humbëse, në këtë rast Telekomi, detyrohet të paguajë shpenzimet e mbrojtjes. Në rastin Vala – Z-Mobile ishte caktuar 4.5 milionë euro.

Express ka raportuar se tashmë Z-Mobile’it i ishin paguar kjo shumë derisa shef i Telekomit ishte Agron Mustafa.

Drejtori i tanishëm thotë se borxhi është më pak se sa që i ka kërkuar Z-Mobile. Sipas tij, Telekomi ka kryer disa shërbime për MVNO’n, që e zbresin borxhin në rreth 20 milionë euro, por kjo akoma nuk dihet sigurt.

Ndryshe, Z-Mobile në prill e ka njoftuar Telekomin se nëse nuk e kthejnë borxhin që ua kanë sipas vendimit të Arbitrazhit, atëherë do të fillojnë me procedurë të përmbarimit.

Në këtë ka ndërhyrë Qeveria dhe sipas ministrit për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, palët janë pajtuar që të pritet edhe pak për pagimin e borxhit.

Gazeta Express ka mësuar se gjatë qershorit, Telekomi i ka dërguar një plan të kryerjes së pagesës Z-Mobile’it dhe se po pret përgjigje nga Devolli.

-----