Ballina Sport Bojkoti, Prodani: FSHF e detyruar me ligj të nisë kampionatin

Bojkoti, Prodani: FSHF e detyruar me ligj të nisë kampionatin

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Edhe pse në radhë për t’u luajtur janë ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, në plan të parë mbetet paralizimi i futbollit kombëtar. Superiorja, që të dielën duhej të luante javën e 5-të sipas kalendarit, nuk ka nisur për shkak të bojkotit të shpallur nga Liga Profesioniste dhe të mbështetur nga FSHF-ja deri në plotësimin e katër kërkesave nga qeveria.

Kërkesa që mund të jenë të drejta për përmirësimin e sportit në vend, por për to mund të dialogohet dhe të gjendet një zgjidhje, ndërkohë që gara vazhdon. Shqiptarëve nuk ua mohon askush të drejtën për të parë futboll. Federatën Shqiptare të Futbollit e detyron Ligji për Sportin të organizojë garën, pra kampionatin kombëtar të futbollit. Deri tani jo vetëm nuk e ka bërë, por as nuk ka shpallur një datë zyrtare. Çfarë ndodh në këtë situatë?

Kampionati do të zhvillohet, patjetër. Eduard Prodani, ish-sekretar i Federatës Shqiptare të Futbollit, thotë për Gazeta Si se është një situatë absurde, e paprecedentë. Ai është bindur se futboll do të ketë dhe se është vetëm çështje presioni. Prodani jep edhe disa detaje se çfarë ndodh ligjërisht në një situatë të tillë.

“Ligji thotë se organizimi i kampionatit në mënyrë të përvitshme është një kusht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Në momentin që nuk e plotëson këtë kusht, Ministrisë (Arsimit dhe Sportet) i lind e drejta t’i heqë emrin “Federatë Shqiptare”. Pra, i bie që të mos e njohë më këtë federatë. Hapet rruga për një federatë tjetër, por kjo nuk bëhet me një vendim administrativ, bëhet me gjyq.

Pra, Ministria duhet t’i drejtohet Gjykatës për heqjen e titullit “federatë shqiptare”. Në këtë moment po bëhet presion, nuk mund të rrimë dot pa kampionat futbolli, nuk e lë njëri FSHF-në. Kjo është e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë që federata të bojkotojë kampionatin. Është edhe absurde, pasi bojkoti është ndaj vetes tënde.

Ata thonë që do ta fillojnë garën, pra kushti i zhvillimit të kampionatit do të plotësohet në fund të sezonit, do vijë një moment që do të fillojë gara. Do merren vesh me qeverinë dhe do të fillojë kampionati. Qeverinë nuk e detyron njeri të plotësojë kërkesat e Ligës, kurse federata është e detyruar ta bëjë kampionatin”, – është shprehur Prodani për Gazeta Si.

Çfarë thotë Ligji për Sportin
Neni 18
Detyrat e federatave

Federata shqiptare e një sporti të caktuar, krahas detyrave statutore, ka edhe këto detyra:
a) të organizojë, të drejtojë, të kontrollojë dhe të vëzhgojë aktivitetet sportive zyrtare në nivel kombëtar, në bazë të rregulloreve të miratuara;
b) të organizojë kampionatin kombëtar dhe të shpallë “Kampionin kombëtar” dhe “Ekipin kampion kombëtar” në sportin përkatës;
c) të organizojë Kupën e Shqipërisë dhe të shpallë “fituesin e Kupës së Shqipërisë” në sportin përkatës;
ç) të marrë masa për parandalimin dhe të luftojë dhunën, si dhe të promovojë sportin e pastër dhe tolerancën;
d) të përdorë simbolet e federatës ose të autorizojë përdorimin e tyre nga anëtarë të tjerë, për çdo qëllim;
dh) të organizojë ekipin kombëtar dhe të marrë pjesë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare ose të autorizojë pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në këto veprimtari;
e) të organizojë veprimtari zyrtare me karakter ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë me miratimin e ministrisë përgjegjëse për sportin.
ë) të licencojë trajner për sportin përkatës;
f) të japë pëlqimin për kryerjen e veprimtarive sportive, për anëtarët e saj.
2.Asnjë person juridik, privat ose publik, nuk mund të ushtrojë asnjë nga kompetencat ekskluzive të federatës, vetëm nëse ato i janë dhënë zyrtarisht prej saj.(SI)

---- ----
----
----- ----
-----