Ballina Sport Bojkoti ndryshoi skemën e Kupës së Shqipërisë, ndeshjet teke favorizojnë të mëdhatë

Bojkoti ndryshoi skemën e Kupës së Shqipërisë, ndeshjet teke favorizojnë të mëdhatë

10
SHPËRNDAJE

Bojkoti i futbollit, me skuadrat e Kategorisë Superiore që refuzuan të zbrisnin në fushë deri në plotësimin e kërkesave, ndikoi në mënyrë të drejtë për drejtë edhe te Kupa e Shqipërisë.

Nga vonesa e krijuar dhe për shkak të ngjeshjes së kalendarit, eventi i dytë për nga rëndësia në vend, që më 1 nëntor do të shënojë rikthimin e futbollit, detyrohet të ndryshojë edhe format.

Të gjitha ndeshjet e këtij edicioni të Kupës do të zhvillohen me sfida teke, duke evituar skemën me sistem vajtje-ardhme.

Skuadrat elitare kanë hyrë në garë prej turit të parë, duke bërë që dy ekipe si Luzi2008 dhe Shënkolli të eliminohen me short, pa zbritur në fushën e lojës. Skema e re e Kupës, e hartuar prej nevojave të një sezoni të pazakontë, të ndikuar nga pandemia dhe nga bojkoti, favorizon në mënyrë të dukshme skuadrat më të mëdha.

Në turin e 1/16-ve, skuadrat e Kategorisë Superiore përballen me kundërshtarë nga nivelet më të ulëta, ndërsa në turin pasardhës, nga 8 ndeshje të planifikuara, vetëm në dy raste rrezikohen sfida elitare.

Në fazën e 1/8-ve, Teuta do të sfidonte Kastriotin, nëse do të kualifikohen në Grupin A, ndërsa në Grupin B projektohet sfida ndërmjet Partizanit dhe Apolonisë. Ndeshjet e turit të dytë në Kupën e Shqipërisë do të luhen më datë 12 nëntor.

-----