Ballina Sport Bojkoti i Futbollit, Liga Profesioniste i përgjigjet Fidel Yllit

Bojkoti i Futbollit, Liga Profesioniste i përgjigjet Fidel Yllit

11
SHPËRNDAJE

Pas deklaratës për media të një dite më parë të deputetit të Partisë Socialiste Fidel Ylli, i cili është njëkohësisht edhe i ngarkuari për zgjedhjen e problematikës mes qeverisë dhe Ligës Profesioniste të Futbollit, ka reaguar kjo e fundit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Liga Profesioniste e Futbollit shprehet se priste një qëndrim mbështetës për kërkesat e tyre, të cilat sipas tyre janë premtime që i ka bërë vetë kryeministri Edi Rama. Në postim shkruhet se konferenca e djeshme nuk i dha përgjigje disa prej pyetjeve të tyre të cilat ritheksohen edhe një herë përmes postimit.

Postimi i plotë:

I dashur zoti Fidel!

E ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit që ju dhe Ministria e Financave, zonja Denaj dhatë dje për mediat.

T’ju them të drejtën prisja një qëndrim më mbështetës për kërkesat e Ligës, të cilat në fakt janë premtime të drejtpërdrejta e të bëra fjalë për fjalë, nga Kryeministri përpara 18 muajsh.

Sigurisht që është e drejta juaj të bëni politikë me gjithçka, por komuniteti i futbollit nuk ndihet i nderuar nga kjo prirje. Konferenca e djeshme e shtypit nuk i dha përgjigje disa pyetjeve:

1) Pse nuk i përmbushni, derisa i konsideroni të drejta kërkesat e Ligës?

2) A janë prej kohësh të njohura për qeverinë kërkesat e ligës?

3) Përse ministria e financave do të bisedojë me ne, kur ajo dhe qeveria, siç deklaroi edhe dje, janë kundër kërkesave të ligës?

4) Pse qeveria bën një të ashtuquajtur ligj për sponsorizimet që nuk e ka asnje vend europian e ballkanik? Pse nuk miraton një ligj si Maqedonia, Kosova, Hungaria, Gjermania etj etj, “Ligjin për sponsorizimin”, që propozon Liga?

Unë si Sekretar i Ligës mbetem ne dispozicionin tuaj për çdo informacion që ju kërkoni. E përsëris edhe një herë ftesën në adresën tuaj, të vini për një takim në selinë e ligës.

Gjithashtu, ju lutem t’i përcillni Kryeministrit si i vetmi person që mund të krijojë një vullnet politik të shumicës për zgjidhjen e katër kërkesave, gatishmë e përfaqësuesve të tryezës së presidentëve për tu takuar e biseduar me të.

Me respekt,

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste

Dritan Kadia.

Tiranë, më 16 shtator 2020

 

Deputeti i PS, Fidel Ylli dhe Anila Denaj, Ministrja e Financave, nuk pranuan kërkesat e bëra publike nga Liga përmes një konference për mediat një ditë më parë.

“Jemi të hapur për të diskutuar, por Liga e Profesionistëve  duhet të jetë nxitëse e investimeve më shumë sesa për kërkesa, që nuk mund të realizohen pa një proces reformimi”, tha një ditë më parë Ministrja Denaj.

Ajo shtoi gjithashtu se Futbolli nuk mund të jetë element pengu dhe shantazhi për qeverinë. Ajo kërkoi negocim për dy pika por nuk pranoi për dy të tjera.

-----