Ballina Sport Bllokimi i merkatos së Partizanit, sekretarin Burba s’e mbajnë nervat: Ja si...

Bllokimi i merkatos së Partizanit, sekretarin Burba s’e mbajnë nervat: Ja si është e vërteta

11
SHPËRNDAJE

Do të zhbllokohet merkato apo jo? Kjo është një nga temat më të nxehta së fundmi në klubin e Partizanit. Të kuqtë ende s’kanë bërë asnjë afrim për shkak të “traut” të vendosur nga institucioni i futbollit botëror (FIFA) për shkelje të procedurave në afrimin e lojtarit Erald Çinari në vitin e shkuar.

Shumë futbollistë janë përfolur për t’iu bashkuar kryeqytetasve, po thuajse të gjithë kanë zgjedhur destinacion tjetër. Durimi tashmë është sosur dhe tifozët kanë shpërthyer në rrjetet sociale duke i kërkuar llogari sekretarit të përgjithshëm, Gerald Burba. Në rrjetet sociale ka reaguar edhe zyrtari i klubit të kuq, njëkohësisht juristi Burba, i cili i jep përgjigje ndjekësve të PartizanitL:

“Çfarë do që të të sqaroj se e kam sqaruar 100 herë në media dhe prap s’merr vesh. Meqenëse i ke vënë faqes emrin e Partizanit, s’të jep njeri të drejtë të flasësh në emër të tifozëve dhe të thuash budallallëqe me spektatorët. Ose nuk kupton hiç nga kjo situatë dhe merr përsipër të bësh prokurorin dhe gjyqtarin pa lidhje ose ke ndonjë qëllim të caktuar personal që më keqpërdor emrin si pa të keq. Megjithatë po të sqaroj edhe njëherë për hir të tifozëve që ndjekin këtë faqe.

Urdhrin për pezullimin e efekteve të vendimit të FIFA-s (për zhbllokimin e merkatos) e nxjerr CAS, nuk e nxjerr as unë e as klubi.

Këkesën klubi e ka dërguar me kohë dhe kur ta shikojë CAS të arsyeshme dhe sipas procedurave të veta do të kthejë përgjigje. Ça do të të sqaroj tjetër në lidhje me këtë temë?! Kur të vijë përgjigja do e publikojmë menjëherë, cilado që të jetë ajo. Duro siç po durojmë të gjithë ne dhe të fyesh punonjësit e klubit s’e bën përgjigjen e CAS që të vijë më herët.

Pastaj kur merr përsipër dhe flet për lojtarë të caktuar, a e ke pyetur ndonjëherë lojtarin përkatës nëse ka marrë ose jo ofertë nga klubi Partizani? Pyete njëherë e pastaj nxirr konkluzione a po na i marrin lojtarët apo jo. Kalofsh mirë”, ishte përgjigja e sekretarit të përgjithshëm, Gerald Burba, njëkohësisht përfaqësues ligjor i klubit të Partizanit.

Komenti i Burbës
-----