Ballina Lajme Bota/Rajoni Big Tech lobojnë fort në Bruksel, alarmohen rregullatorët e BE

Big Tech lobojnë fort në Bruksel, alarmohen rregullatorët e BE

16
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Një dokument i rrjedhur tronditi Brukselin në tetor, duke paraqitur plane të hollësishme nga Google për të minuar legjislacionin e ri, që mund të dëmtojë rëndë biznesin e saj të reklamave dixhitale.

“Aleatët akademikë” do të ngrinin pyetje në lidhje me rregullat e reja. Google do të përpiqet të gërryejë mbështetjen brenda Komisionit Europian,  për të komplikuar procesin e politikëbërjes. Dhe kompania do të përpiqej të fillonte një mosmarrëveshje tregtare trans-Atlantike duke listuar zyrtarë amerikanë kundër politikës europiane, sipas një kopje të shqyrtuar nga The New York Times dhe konfirmuar nga Google.

Për shumë zyrtarë në Bruksel, dokumenti konfirmoi atë që ata dyshonin prej kohësh: Google dhe gjigandët e tjerë të teknologjisë amerikane janë të angazhuar në një fushatë të gjerë lobimi për të ndaluar legjislacione më të forta kundër tyre.

Ndërsa Bashkimi Europian është bërë udhëheqësi global në rregullimin e teknologjisë, këto kompani janë përqendruar gjithnjë e më shumë në Bruksel me shpresën për të mbytur rregulla edhe më të ashpra,  përpara se ato të përhapen. Ligjvënësit dhe rregullatorët amerikanë janë bërë tashmë shumë më agresivë. Javën e kaluar, zyrtarët federalë dhe shtetërorë akuzuan Facebook për shkatërrimin e paligjshëm të konkurrencës. Në tetor, Departamenti i Drejtësisë akuzoi Google për mbrojtjen e paligjshme të monopolit të saj mbi kërkimin.

Në Europë, kompanitë po shpenzojnë më shumë se kurrë, duke punësuar ish-zyrtarë qeveritarë, firma juridike me kontakte të shumta dhe firma këshilluese. Ata financuan dhjetëra grupe mendimi dhe shoqata tregtare, pajisën me pozicione akademike në universitetet më të mira në të gjithë kontinentin dhe ndihmuan në botimin e kërkimeve miqësore ndaj industrisë,  nga firma të tjera.

Në gjysmën e parë të vitit 2020, Google, Facebook, Amazon, Apple dhe Microsoft deklaruan shpenzimin e një kombinimi prej 19 milion eurosh, ose rreth 23 milion dollarë, të barabartë me atë që kishin deklaruar për të gjithë 2019 dhe nga 6.8 milion  euro  më 2014, sipas Transparency International, një grup që monitoron lobimet në BE. Shpenzimet po ndihmojnë për të ofruar akses; kompanitë dhe aleatët e tyre raportuan qindra takime me zyrtarë në Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian.

‘Buxhetet janë me të vërtetë të pakrahasueshme – ne kurrë nuk kemi parë që kjo sasi parash të shpenzohet nga kompanitë drejtpërdrejt”, tha Margarida Silva, një studiuese në Observatorin e Korporatave të Europës, një grup që ndjek lobimet në Bruksel. Gjithsej janë ndoshta shumë më të larta, vuri në dukje ajo, sepse rregullat e zbulimit nuk kapin të gjitha shpenzimet për firmat ligjore, partneritetet akademike dhe aktivitetet në vende individuale.

Ndërsa shpenzimet janë më pak sesa në Shtetet e Bashkuara, industria në rritje e ndikimit po alarmon zyrtarët e Bashkimit Europian,  të cilët besojnë se Big Tech po kontribuon në një Uashingtonizim të Brukselit, duke i dhënë parave dhe kontakteve   një përparësi mbi interesin publik.“Ky është një trend që ka vazhduar për vite me radhë – një profesionalizim i industrisë së lobimit në Bruksel”, tha Max Bank, një hetues në LobbyControl, një grup me bazë Gjermane që ka studiuar ndikimin e korporatave.

Google, Amazon, Apple dhe Facebook nuk pranuan të komentojnë. Në deklaratat publike, të gjithë kanë shprehur dëshirën për të punuar me zyrtarë europianë, ndërsa shprehin shqetësime se ligjet e propozuara mund të dëmtojnë inovacionin dhe ekonominë europiane. Casper Klynge, i cili mbikëqyr çështjet e qeverisë europiane për Microsoft, tha në një deklaratë se Bashkimi Europian “ka qenë dhe mbetet një aktor i rëndësishëm për kompaninë tonë” dhe se Microsoft u përpoq të ishte një “partner konstruktiv dhe transparent për politikëbërësit europiane”.

Pavarësisht lobimit, industria ka pasur disa suksese të mëdha. Liderët europianë si Margrethe Vestager, e cila mbikëqyr politikën dixhitale, i kanë quajtur kompanitë kërcënime ndaj demokracisë dhe anti-konkurruese dhe kanë ndërmarrë disa hapa për t’i frenuar ato. Amazon, Apple, Google dhe Facebook ose janë nën hetim antitrust ose janë penalizuar tashmë me  miliarda dollarë.  Në vitet e fundit, Bashkimi Europian ka miratuar ligje të kundërshtuara nga industria për çështje,  përfshirë privatësinë dhe të drejtat e autorit në internet.

Alexandra Geese, një anëtare gjermane e Parlamentit Europian që punon për çështje dixhitale, tha se shumë zyrtarë i panë kompanitë me dyshim. Para se takimet personale të shkallëzoheshin për shkak të pandemisë, ajo rregullisht refuzonte ftesat nga lobistët e teknologjisë në tubime shoqërore, tha ajo.

“Nuk mendoj se duhet t’i bëjmë këto biseda mbi një shishe shumë të shtrenjtë Bordeaux”, tha zonja Geese. Por industria nuk duket e penguar, edhe pse përballet me atë që shumë besojnë se do të jetë lufta e saj,  më e vështirë deri më tani.

Të martën, zyrtarët e Bashkimit Europian të udhëhequr nga Znj. Vestager do të prezantojnë disa nga rregulloret më të gjera të teknologjisë në botë. Rregullat synojnë në të ashtuquajturat platforma gatekeeper, si Amazon, Apple, Facebook dhe Google, të cilat kanë një rol të madh në ekonominë dixhitale.

Ndër ndryshimet e pritshme janë rregullat për Facebook, Twitter dhe YouTube, i cili është në pronësi të Google, në lidhje me moderimin e përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit. Kërkesa të tjera do të bënin që kompanitë të zbulonin më shumë se si funksiononin shërbime si produktet e reklamave dixhitale të Google dhe Facebook. Kompanitë më të mëdha mund të detyrohen të ndajnë disa të dhëna, me rivalë të vegjël. Rregulla më të forta të konkurrencës mund të parandalojnë kompanitë që t’u japin shërbimeve të tyre trajtim preferencial ndaj rivalëve të vegjël dhe të kufizojnë aftësinë e tyre për të kaluar në kategori të produkteve të reja.

“Ka shumë për të humbur për industrinë e teknologjisë me legjislacionin e ri”,  tha Z. Bank nga  LobbyControl. Ligjet nuk pritet të miratohen para vitit 2022, duke u dhënë kohë të mjaftueshme kompanive për të ndikuar në debat.

Në tetor, dokumenti i zbuluar tregoi se si Google u përpoq të ndikonte në debatin europian para se të prezantohej një draft. Ai përfshinte plane për të rekrutuar zyrtarë amerikanë nga ambasadat në të gjithë Europën dhe në Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara. Ai sugjeroi pika bisedimi për mbështetësit e Google, të tilla si rreziku për ekonominë gjatë pandemisë.

Pasi detajet e dokumentit u botuan nga “Le Point”, një revistë franceze, shumë zyrtarë evropianë shprehën zemërim dhe vendosën të vazhdonin me ligjet e reja. Në një takim pas rrjedhjes së informacionit, Sundar Pichai, zyrtari ekzekutiv i Google, i kërkoi falje Thierry Breton-it, një komisioner europian që ndihmon në hartimin e rregullave të reja.

Megjithatë Google dhe aleatët e saj duket se po ecin përpara me idetë në plan. Në Uashington, Shoqata e Internetit, një grup tregtar që përfaqësonte Google dhe gjigandë të tjerë të teknologjisë, paraqiti komente te përfaqësuesi tregtar i ShBA, duke inkurajuar qeverinë federale të “veprojë me vendosmëri dhe shpejt  në mënyrë që të parandalojë zgjerimin e shpejtë të iniciativave të dëmshme”, në Europë.

Tiemo Wölken, një anëtar i Parlamentit Europian nga Gjermania, i cili ka qenë i përfshirë në hartimin e politikave, tha se kompanitë e teknologjisë kishin aleatë në Bruksel. Pasi ai prezantoi një propozim për të eksploruar një ndalim të reklamave të shënjestruara, i cili do të kishte një efekt shkatërrues në Google dhe Facebook, industria punoi me botuesit e lajmeve për të marrë një amendament të futur për të hequr formulimin, tha ai. Z. Wölken, i cili ka bërë thirrje për rregulla më të ashpra të lobimit, tha se ai e kishte luftuar përpjekjen me një votë të vetme, por pret që çështja të dalë përsëri.

Zyrtarët europianë kritikuan kompanitë më të mëdha të teknologjisë për pastrimin e ndikimit të tyre, përmes grupeve që duken të paanshëm. Në tetor, Qendra Europiane për Ekonomi Politike Ndërkombëtare publikoi një raport që tha se rregulloret e reja të teknologjisë do t’i kushtojnë ekonomisë europiane dy milion vende pune dhe 85 miliardë euro,  në prodhimin e brendshëm bruto të humbur. Qendra Europiane e Ekonomisë Politike Ndërkombëtare është një nga të paktën 36 grupe tregtare, shoqata dhe grupe studimore që Google financon, sipas Observatorit të Korporatave të  Europës.

“Njerëzit gjithmonë do të pretendojnë pavarësinë e tyre politike, akademike ose intelektuale – ata do të refuzojnë që të jenë ndikuar”, tha Marietje Schaake, një ish-anëtare e Parlamentit Europian e cila tani jep mësim në Universitetin e Stanfordit. “Por pyetja atëherë bëhet, pse firmat po shpenzojnë kaq shumë para në Bruksel?”

Në një organizatë jofitimprurëse me ndikim, Të Drejtat Dixhitale Europiane, Jan Penfrat kujtoi marrjen e thirrjeve telefonike vitin e kaluar nga Google, Facebook dhe të tjerët që kërkonin bashkëpunim dhe ofronin  mbështetje,  menjëherë pasi ai mori një pozicion drejtues.

“Ishte sikur ata po përpiqeshin të na bashkë-zgjidhnin dhe të na merrnin në anën e tyre”, tha Z. Penfrat. “Ky ishte sinjali  i parë dhe ishte alarmues”.

Paul Hofheinz, një ish-reporter i Wall Street Journal i cili bashkë-themeloi Këshillin e Lisbonës, një grup kërkimor në Bruksel që është përballur me kritika nga grupet vëzhguese për pranimin e parave nga Google, tha që partnerët e tyre të korporatave siguruan që kërkimi të ishte më i rrumbullakosur.

“Pikëpamjet tona janë të pavarura. Pikë ”, tha Z. Hofheinz në një email. “Unë nuk e di pse këto organizata fushate mendojnë se ne nuk mund t’i arsyetojmë gjërat për veten tonë. Ka diçka shumë fyese në atë ide. Dhe shumë të gabuar. ”

Pak parashikojnë që lobimi në Bruksel do të arrijë shkallën e Uashingtonit, ku korporatat dhe individët përballen me më pak kufizime për të shpenzuar para në fushatat politike. Por zyrtarët europianë po shohin më shumë shenja të rritjes së industrisë së ndikimit, duke përfshirë një treg të fuqishëm të pasurive të patundshme komerciale të mbështetur nga ardhja e korporatave të reja, firmave të lobimeve dhe grupeve të mendimit.

Para pandemisë, Znj. Silva e  Observatorit të Korporatave të Evropës ofroi “një tur lobist më këmbë” rreth Brukselit, duke përfshirë një kalim nga zyra e Google me pamje nga hurdha, në Leopold Park. “Rreziku”,  tha ajo, “është që ne po krijojmë një sistem që nxjerr përfitues  ata me më shumë para”.(The New York Times, gazeta Si)

---- ----
----
-----
-----