
“Kurba filloi zbritjen dhe numri i vdekjeve gjithashtu po fillon të bjerë. Nëse këto të dhëna konfirmohen, do të duhet të nisim të mendojmë për fazën 2″. Presidenti i ISS (Istituto Superiore di Sanità), Silvio Brusaferro i bëri këto pohime në një konferencë për shtyp ku komentoi të dhënat e 5 Prillit, në të cilat rritja e vdekjeve ne Itali, ishte më e uleta që nga 19 marsi.
“Është e qartë se kurba e ka arritur kulmin e saj dhe tani ka filluar të zbresë. Ashtu si ndodh dhe me numrin e vdekjeve “, shtoi presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë gjatë përditësimit të Mbrojtjes Civile lidhur me përhapjen e koronavirusit në Itali. “Kemi disa tregues të ndryshëm, përfshirë ato të vdekjeve. Numri i rasteve të reja po zvogëlohet dhe ne presim që edhe vdekjet të ulen.
Pritshmëria është që në ditët në vijim do të vazhdojmë ta shohim këtë trend në uljet”, shtoi ai. Të dhënat e Mbrojtjes Civile, të përcjella nga kreu i saj, Angelo Borrelli, tregojnë një ulje të numrit të njerëzve në kujdesin intensiv dhe numrit të personave të shtruar në spital. Edhe vdekjet (525) janë më pak se të shtunën, më e ulta që nga 19 marsi.
Pavarësisht këtyre lajmeve pozitive, sipas Borellit, nuk duhet ulur vigjilenca. Kryeministri Giuseppe Conte deklaroi se nuk e thotë dot me saktësi në këtë moment se kur përfundon izolimi në vendin fqinj. “Vlefshmëria e masave tona është njohur nga OBSH dhe rezultatet tregojnë se jemi në rrugën e duhur ”, u shpreh ai në një intervistë për Nbc News.