Ballina Lajme nacionale BE uron qeverinë Hoti: Tani, dialogun me Serbinë!

BE uron qeverinë Hoti: Tani, dialogun me Serbinë!

12
SHPËRNDAJE

Bashkimi Evropian e uroi qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se pret me padurim të bashkëpunojë në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen europiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionarit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka mirëpritur po ashtu votimin e qeverisë së re të Kosovës. “Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe Grenell kishte insistuar shumë në këtë pikë. Vetë presidenti Hashim Thaçi, i ofroi më herët bashkëpunim qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar votimin e saj si një veprim të rëndësishëm për demokracinë dhe për qytetarët e vendit.

Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, u shpreh Thaci.

-----