
Futbollisti Edwin Espinoza është ekzekutuar nga një breshëri plumbash në shtëpinë e tij në qytetin Guajakil. 20-vjeçari është vrarë mbrëmjen e kaluar në derën e banesës së tij dhe ka tronditur të gjithë botën e futbollit në Ekuador.
Lajmi i hidhur është bërë me dije nga vetë klubi i tij, Guajakili, që njoftoi se ekipi tashmë kishte humbur një lojtar model dhe një djalë të respektuar e me rregulla.
Ndërkohë mediat vendase, shtojnë se Espinoza nuk ka qenë shënjestra e atentatit. ata shkruajnë se atentatorët duhet ta kenë ngatërruar futbollistin me dikë tjetër, për të cilin ishin edhe plumbat.
Ai ishte i izoluar njësoj si e gjitha bota në karantinë, në shtëpinë e tij në lagjen mjaft popullore, Isla Trinitaria, dhe plumbat e kanë kapur sapo ka hapur derën.
Guajakili është qyteti më i prekur i Ekuadorit nga koronavirusi dhe gjendja është e vështirë për shkak problemeve në sistemin shëndetësor. Ndërkohë të afërmit e 20-vjeçarit të ndjerë janë marrë në pyetje për të zbardhur detaje në lidhje me atentatorët që nuk lanë asnjë gjurmë pas.