Ballina Lajme nacionale Asnjë përgjegjësi për dështimin me vaksinat

Asnjë përgjegjësi për dështimin me vaksinat

15
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------

Ministrin Filipçe dhe Qeverinë e mbrojti madje edhe presidenti Pendarovski. Sipas tij, autoritetet shëndetësore kanë bërë përpjekje të shumta në raport me furnizimin e vaksinave, por është treguar se kjo krizë më shumë ndikoi te vendet e vogla, sepse siç u shpreh ai, “vendet më të mëdha dhe më të pasura shumë lehtë kanë arritur te vaksinat”. Arben Taravari ndërkohë ironizon duke deklaruar se kjo Qeveri e ka kthyer këtë vend në një portal të kronikave të zeza

Xhenur ISENI

Shkup, 13 mars – Për dallim nga vendet e rajonit ku veçmë është në rrjedh procesi i imunizimit të popullatës, në të cilat masat restriktive do të ishin një “mbrojtje shtesë”, në Maqedoninë e Veriut për momentin po vaksinohen vetëm punonjësit shëndetësorë, por jo dhe qytetarët. Fillimi i imunizimit të popullatës varet nga ajo se kur do të arrijnë vaksinat e shumëpritura. Deri më tani, Maqedonia ka marrë 8 mijë vaksina Frajzer si donacion nga Serbia, dhe 3 mijë vaksina Sputnik nga Rusia. Por Qeveria deri më tani ka dështuar me furnizimin e vaksinave në sasi të mëdha. Tanimë disa javë janë premtuar 200 mijë vaksina kineze, por assesi të arrijnë në Shkup. Nga vaksinat ruse janë paralajmëruar edhe 200 mijë doza shtesë, por Qeveria dhe Filipçe nuk saktësojnë ditën kur do të arrijnë. Kryeministri Zaev dje tha se po frikohet të përmendë se kur mund të arrijnë të njëjtat, por ai përmendi dhe anën tjetër: “Çfarë nëse nuk arrijnë”?

Ndërkohë, ditëve të fundit gazeta italiane “La Verita” ka publikuar dy letra të ministrit të Shëndetësisë për furnizim me vaksinat kineze për të cilat thuhet se gjatë procedurës së blerjes së tyre, ka ndërmjetësuar një kompani fantome kineze. Publikimi në gazetën italiane pretendon se problematike është përmbajtja e letrës së dytë në të cilën kompania, gjegjësisht Kina i ikë përgjegjësisë nga pasojat eventuale nga shfrytëzimi i vaksinës. Sipas gazetës italiane, kjo është në kundërshtim me shumë konventa ndërkombëtare dhe paraqet shkelje të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Por, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe hodhi poshtë akuzat.

Ministrin Filipçe dhe Qeverinë e mbrojti madje edhe presidenti Pendarovski. Sipas tij, autoritetet shëndetësore kanë bërë përpjekje të shumta në raport me furnizimin e vaksinave, por është treguar se kjo krizë më shumë ndikoi te vendet e vogla, sepse siç u shpreh ai, “vendet më të mëdha dhe më të pasura shumë lehtë kanë arritur te vaksinat”. Si ilustrim e ndau një bisedë që ai bashkë me një ministër ka pasur me “Frajzer” para Vitit të Ri, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë i janë drejtuar në selinë e asaj kompanie në Boston. “Na pyetën se çfarë tregu potencial keni! Kur thamë se jemi dy milionë qytetarë, biseda mbaroi. Thanë që kanë kërkesa të mëdha nga shtete të mëdha me miliarda njerëz, kështu që politika e asaj kompanie në atë moment nuk është të bisedojë me shtete që kanë më pak se dy milionë banorë”, deklaroi Pendarovski. Nga ana tjetër, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët shprehen se Qeveria ka dështuar komplet me furnizimin e vaksinave dhe ballafaqimin me pandeminë.

Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, akuzon se kjo Qeveri e ka kthyer këtë vend në një portal të kronikave të zeza. Ai thotë se në këtë moment – ku gjithë globi ka kthyer sytë nga vaksina si shpëtimi i vetëm nga pandemia, Maqedonia nuk përfshihet madje as në listën e shteteve që do të marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian. “Ndërkohë që lagjet janë kthyer në pavione me të sëmurë që dergjen nga flama pandemike, spitalet janë në kaos absolut, Qeveria mburret për vaksinime, por realiteti tregon që nuk ka asnjë vaksinë! As kineze, as ruse, as gjermane, as britanike e as marsiane! Asnjë!”, potencon Taravari. Ai madje ironizon me paaftësinë e Qeverisë për tu furnizuar me vaksina, pasi që thotë se ndoshta kryeministri Zaev dhe partneri i tij, Ali Ahmeti i BDI-së po përpiqen të prodhojnë vaksinën e vet që t’i surprizojnë qytetarët.

“Ndoshta Qeveria Zaev-Ahmeti po përpiqet të shpikë vaksinën vet dhe t’ia bëjë surprizë qytetarëve. Nuk është çudi! Ky vend që ka aq teknologji sa të arrijë të bëjë hajvarin, ndoshta mendon Zaevi dhe Ahmeti se mund të shpikë edhe vaksinën e të çudisë edhe më shumë botën! Kështu ndoshta ëndërron Zaevi dhe Ahmeti e të bëhet lajmi i ditës me titull ‘Maqedonia prodhon vaksinën e saj’. Për fat të keq, na ka mbet vetëm t’i lutemi Zotit…”, ka deklaruar për KOHA, Arben Taravari.

Në ndërkohë, nga pakoja e ndihmës që mbrëmë BE e miratoi, e që kap vlerën prej 530 milionë euro, Serbia duhet të marrë rreth 12 milionë euro, Mali i Zi 200 mijë euro, ndërsa Shqipëria 900 mijë euro. Maqedonia e Veriut nuk do të marrë as edhe një euro ndihmë financiare nga fondi solidarë i BE-së dhe këtë e konfirmoi presidentja e KE-së, Ursula Fon Der Lajen, e cila përmes një postimi në Tëiter ka numëruar vendet që do të përfshihen në këtë pako, ndërsa mungon Maqedonia e Veriut. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e komentoi publikimin e BE-së se Maqedonia e Veriut nuk është në grupin e vendeve në të cilat Komisioni Evropian do të iu ndihmojë me ndihma financiare dhe medicinale përmes fondit solidarë që kap vlerën prej 530 milionë euro. Sipas tij, kjo është sinjal që perëndimi po ia mbyll dyert kryeministrit Zaev për arsye se është i korruptuar. “Në Lindje kërkojnë provizion, ndërsa Perëndimi ia mbyllë dyert Zaevit për arsye se është i korruptuar. Kështu shkurt shihet saga për furnizime me vaksina, deri sa shteti thyen rekorde për raste të vdekjeve nga korona. Sot, për fat të keq, Maqedonia mori edhe një shuplakë për shkak të paaftësisë të tender qeverisë së Zaevit”, thuhet në reagimin e Mickoskit.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut krahasuar me vendet e rajonit, është vendi me vdekshmërinë më të lartë nga Covid-19. Për momentin në repartet infektive në vend po shërohen 916 pacientë. Në Shkup janë hospitalizuar 350 pacientë, ndërsa në qytetet tjera 566 pacientë. Numri i të infektuarve me Covid që nga fillimi i pandemisë është 110.209 persona, nga të cilët 96.570 janë shëruar, ndërsa 3.265 kanë ndërruar jetë. (koha.mk)

The post Asnjë përgjegjësi për dështimin me vaksinat appeared first on KOHA.

---- ----
-----