Ballina Lajme Bota/Rajoni Arsyet pse katastrofa e Europës me vaksinat e Covid-19 lidhet me të...

Arsyet pse katastrofa e Europës me vaksinat e Covid-19 lidhet me të kaluarën e Angela Merkel

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Nga Mary Ellen Synon

Thjesht imagjinoni si ishin vitet e adoleshencës së Angela Merkel në Republikën Demokratike Gjermane. Muri i Berlinit ndante vendin dhe dhjetëra bashkëqytetarë të saj u vranë në përpjekje për ta kapërcyer, me shpresën se do të shpëtonin. Në të gjithë Gjermaninë Lindore, një në dy gjermanë informonte për fqinjët dhe kolegët e punës në policinë sekrete të Stasi-t.

Agjentët sovjetikë të KGB-së vepronin lirshëm në vend, përfshirë oficerin e inteligjencës së huaj Vladimir Putin. Por Angela Kasner, siç njihej asokohe, kishte pak ankesa.

Ajo po edukohej në Gjermaninë Lindore, ku më vonë pranoi se ishte diçka ‘pothuajse komode’. Në një vend ku familjeve u duhej të prisnin vite për të marrë një makinë, familja e Angelës kishte dy.

Ata u lejuan të udhëtonin lehtësisht midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, një liri e rrallë në shtetin e rreptë policor. Por, zonja Merkel e ka pranuar vetë: ‘”Po, ne bëmë kompromise”.

Kompromise të tilla si mbajtja e uniformës blu të shndritshme të Freie Deutsche Jugend (FDJ) – lëvizja zyrtare e të rinjve të shtetit komunist, së cilës ajo i përkiste të paktën deri në moshën 26-vjeçare.

Fotografitë e saj nga ajo kohë janë të rralla, por Angela u fotografua duke mbajtur veshur atë uniformë në vitin 1970, kur ju dha edhe një medalje për përkushtimin e saj të veçantë ’ndaj lëvizjes’. Në atë kohë ajo ishte 16 ose 17 vjeçe.

Një tjetër, e marrë dy vjet më vonë, tregon atë duke buzëqeshur me uniformë, këtë herë mes një grupi kadetesh femra, në një kamp trajnimi të mbrojtjes civile. Sipas dy dëshmitarëve të identifikuar më vonë nga biografët, Angela Kasner punoi në agjitacion dhe propagandë për FDJ.

Kur u pyet për herë të parë në lidhje me këto zbulime, Merkel tha se nuk e mbante mend. Më vonë ajo i mohoi pretendimet, por shtoi: “Nëse rezulton të jetë ndryshe, unë mund të jetoj me këtë”.

Por, pse ka rëndësi e gjithë kjo tani? Për shkak se Merkel e ka udhëhequr Gjermaninë dhe vendet e BE-së në një politikë të vetme të bllokut për vaksinat e Covid, një politikë që do të kushtojë jetë, të shkatërrojë bizneset dhe të dëmtojë ekonomitë.

Monolit dhe i ngadaltë, BE nuk arriti të blejë doza të mjaftueshme të vaksinës dhe tani po provon se nuk është në gjendje të japë atë që ka.

Sot, teksa Britania ka vaksinuar më shumë se 30% të popullsisë së saj me dozën e parë të vaksinës, BE mbetet shumë prapa.

Vetë Gjermania mezi ka vaksinuar 6%. Ky është një dështim që tani e ka “zhytur” qeverinë e Merkelit në një kthesë poshtëruese. Ajo tani pranon që vaksina e Oxford-AstraZeneca është e përshtatshme edhe për personat mbi 65 vjeç.

Merkel, drejtuesja e kombit më të pasur dhe me ndikim të BE, drejtoi politikën e saj të sigurimit të vaksinave në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo është arsyeja pse duhet të kujtojmë se kush ishte në të vërtetë Fraulein Angela Kasner.

Sot ne shohim fasadën e një kancelareje të veshur me “rrobat e mërzitshme” të një amvise gjermane. Ato janë mashtruese, ose ashtu janë menduar të jenë, sepse fshehin mendimin e një trajnimi të hershëm në internacionalizmin marksist.

Sot, njerëzit në të gjithë kontinentin po vuajnë për shkak të besimit të saj në një ideologji mbi-kombëtare. Si një e re, Merkel u mësua të besonte në një sistem Sovjetik që “palosi” 15 republika në një shtet të vetëm, Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.

Në muajt e fundit, ajo ka sakrifikuar të gjitha perspektivat e një vaksinimi të shpejtë dhe jetëve që mund të shpëtoheshin, për shkak të besimit të saj në “palosjen” e 27 vendeve të ndryshme, në një shtet të vetëm, të quajtur Bashkimi Europian.

Javën e kaluar, Filipp Piatov, opinionisti kryesor në gazetën gjermane “Bild”, shkroi se për një çështje kaq jetësore, Merkel preferoi ideologjinë para politikës së mirë, pasi ajo është “shumë e etur për të treguar fuqinë burokratike të Brukselit ndaj kombit”.

Në krye të burokracisë në fjalë është një politikane gjermane e krijuar nga Merkel. Ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila hartoi politikën mbresëlënëse të vaksinave të BE, pasi ajo u vu në postin e Komisionit nga Merkel në 2019.

Deri atëherë, Von der Leyen njihej si ministrja gjermane e mbrojtjes, e cila e la ushtrinë gjermane në një gjendje që u përshkrua nga veteranët politikë të Berlinit si ‘katastrofike’.

Në vend që të siguronte staf dhe pajisje të mjaftueshme, ajo e shndërroi ushtrinë në “çerdhe familjare”. E paepur, kancelarja e la zonjën Von der Leyen si ministre të mbrojtjes për pesë vjet.

Fatkeqësia e ka ndjekur Merkelin që kur ajo u bë kancelare në 2005. Ishin politikat e saj agresive financiare në fillim të krizës së eurozonës në 2009 që i kthyen Italinë dhe Greqinë në ‘zombi ekonomike’. Përgjigja e saj ndaj tragjedisë bërthamore në Fukushima të Japonisë në vitin 2011 ishte një tjetër rast i rëndësishëm.

Kjo e çoi atë në panik. E trajnuar si shkencëtare, ajo kishte qenë prej kohësh një mbështetëse e energjisë bërthamore. Megjithatë pas Fukushimës, ajo deklaroi se të gjithë reaktorët bërthamorë të Gjermanisë do të mbyllen në fund të vitit 2022.

Ndërkohë, ajo gjithashtu dëshironte t’i jepte fund energjisë së qymyrit. Dhe pa energji bërthamore ose qymyr, ku do ta merrte Gjermania fuqinë e saj? Nga Moska, natyrisht. Tani Merkel planifikon të marrë furnizimet e gazit direkt nga Rusia përmes tubacionit Nord Stream 2, duke rritur kështu varësinë e Gjermanisë nga regjimi i Putinit.

Në javët e fundit, Merkel ka lejuar spekulime se helmimi i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny mund ta bëjë Gjermaninë të tërhiqet nga marrëveshja.  Kjo nuk do të ndodhë. Gazsjellësi prej 10 miliardë eurosh, i ndërtuar direkt nga Rusia, nën Balltik dhe në Gjermani, është gati drejt fundit.

Pastaj erdhi vendimi i vitit 2015 për të hapur kufijtë e Gjermanisë për më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë.

Kjo shkaktoi tronditje në Gjermani dhe tërbim në vendet fqinje, të cilët zbuluan se kjo politikë e Merkel i vinte ata përpara krizave të mëdha të përballjes me mijëra afganë, sirianë, irakianë që po dilnin nga qytetet gjermane.

Kancelarja siguroi gjermanët asokohe: “Ne mund ta bëjmë këtë”. Por më pas, gjithçka u përmbys. Lajme të shumta nisën të qarkullonin, ku mes tyre, një 17-vjeçar afgan kishte sulmuar me thikë 20 pasagjerë në një tren afër qytetit të Wurzburg.

Ndërsa. gjashtë ditë më vonë, një azilkërkues sirian vendosi një bombë, duke hedhur veten në erë e duke plagosur 12 të tjerë në qytetin Ansbach.

Në prag të Vitit të Ri kishte një neveri publike pas raportimeve të shumta në rrugët e Këlnit për sulme seksuale, përdhunime dhe vjedhje nga burra të identifikuar vetëm si me pamje arabe ose afrikano-veriore.

Në atë moment, Merkel kërkoi që vendet e tjera të BE të merrnin përgjegjësitë e tyre, për një gabim që kishte bërë vetë ajo.

Kostoja financiare ishte e madhe dhe kjo vazhdon edhe sot. Tani rezulton se më shumë se 90 për qind e pacientëve në gjendje kritike nga Covid në spitalet gjermane, janë nga popullata e emigrantëve.

Kjo katastrofë e brendshme u kthye në një katastrofë të politikës së jashtme. Vendet dikur fort pro-BE, si Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, janë kthyer në një bllok shtetesh të zemëruara anti-gjermane.

Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, tani shprehet: ‘Ne jemi hungarezë, nuk mund të mendojmë me mendjet gjermane”.

Megjithatë, dështimi më spektakolar i Merkel ishte leximi i gabuar i mendimit britanik për Brexit. Në prag të referendumit në 2016, David Cameron bëri një turne në Europë, duke kërkuar që Mbretërisë së Bashkuar të lejoheshin kompetenca të reja për të kontrolluar emigrimin e BE në Britani.

Cameron mori një kundërshtim të mprehtë nga udhëheqësit e BE, të udhëhequr nga Merkel. Kancelarja i dha kryeministrit të atëhershëm një kontroll minimal, sa një “thërrime”, pasi gjykoi se britanikët nuk do të votonin kurrë për t’u larguar. Por, koha tregoi se ajo e kishte shumë gabim.

Merkel do t’i japë fund katër mandateve të saj si kancelare këtë vjeshtë. Kush do ta zërë vendin e saj?

Monolite, dogmatike, me dorë të hekurt, e verbër ndaj nevojave të votuesve të zakonshëm, Gjermania meriton diçka më të mirë se ideologjia e Luftës së Ftohtë të Merkel. Dhe po kështu edhe Europa.

---- ----
-----