Ballina Lajme Bota/Rajoni Arrestohen shtatë serbë të Bosnjës për krime të dyshuara gjatë luftës

Arrestohen shtatë serbë të Bosnjës për krime të dyshuara gjatë luftës

53
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Shtatë ish-oficerë të policisë dhe ushtrisë serbe të Bosnjës u arrestuan të martën nën dyshimet se kanë kryer krime kundër joserbëve, gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës tha përmes një deklarate se grupi dyshohet për krime kundër njerëzimit në rastin e burgosjes dhe torturimit të rreth 150 civilëve myslimanë dhe kroatë, në qytetin Donji Vakuf, më 1992.

Në deklaratë thuhet se shumë të burgosur kanë vdekur si pasojë e trajtimit çnjerëzor, rrahjeve dhe ngacmimeve, ose kanë pësuar trauma të përhershme.

Policia e Bosnjës tha se arrestimet janë bërë në qytetin e Banja Llukës.

“Të dyshuarit do t’i dorëzohen prokurorit të rastit brenda afatit ligjor, në përputhje me masat e sigurisë për shkak të pandemisë COVID-19. Prokurori do t’i intervistojë ata dhe do të marrë vendim për veprimet e mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Mbi 100,000 njerëz janë vrarë në luftën në Bosnje, e cila ka përfunduar me një marrëveshje të paqes, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në vitin 1995.

Me këtë marrëveshje, Bosnja është ndarë në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.

---- ----
----
-----
-----